Në muajt e fundvitit është sezona e frutit të mandarinës edhe në Kosovë. Ky frut, që kur ka filluar importin masovik nga Shqipëria fqinje, konsumohet relativisht shumë tek ne edhe për shkakun se deri sivjet çmimet kanë qenë thuaja se të arsyeshme.
Sivjet në fillim të sezonit të mandarinës po vërehet se çmimet janë më të ngritura, madje me përqindje goxha të lartë.
Dje në tregjet e Prishtinës dhe në marketet e vogla dhe të mëdha, çmimi i një kilogrami të këtij fruti sillej nga 79 centë deri në 1 euro.
Sipas menaxherëve të marketeve në Prishtinë, çmimi i kilogramit të mandarinave të Shqipërisë kushton më shtrenjtë për shkak së janë më të freskëta. Pra, kilogrami i tyre sillet rreth 1 euro, ndërkohë që çmimi i mandarinave të Turqisë dhe atyre të Greqisë sillet rreth 79 deri në 89 centë.
Saktësisht, çmimi i një kilogrami të mandarinave të Turqisë shkon deri në 79 centë, ndërkaq ato Greqisë kushtojnë 89 centë për kilogram.
Njëri nga menaxherët e një marketi në Prishtinë në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik ka thënë se çmimet e pemëve dhe perimeve kanë luahtje çdo ditë.
Sipas tij, janë pikat e furizimit ato të cilat e përcaktojnë çmimin e tyre.
“Ne dhe shumë markete të tjera në Kosovë furnizohemi nga kompania ‘Doni fruits’ e cila së bashku me produktin që na sjellin e përcaktojnë edhe çmimin, ndonëse pothuajse çdo ditë dergojnë emaila lidhur me luhajten e tyre”, tha menaxheri i një marketi në kryeqytet.
Krahas kësaj, edhe çmimi i portokajve nuk duket të jetë i arsyeshëm për qytetarët kosovarë.
Çmimi i tij në tregjet në vend sillet prej 1 euro e 19 centë, deri në 1 euro e 50 centë.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/