Sfidat e Kosovës nga Gllasgou

Mehmet Gjata

Rekomandimet e shteteve të rëndësishme të botës për të ndalur financimin e ndërtimit të termocentraleve të reja në bazë të qymyrit, dihet se i godasin më së shumti vendet e varfëra, e sidomos ato që natyra u ka falë sasi të bollshme të qymyrit dhe mundësi natyrore që ky resurs natyror të shfrytëzohet lehtësisht për të prodhuar energji. Tani, në vitet në vazhdim, Kosova do të sfidohet realisht nga rekomandimet ndërkombëtare. Kosova, pra është në hall. Nuk ka mjete financiare vetanake për të financuar ndërtimin e ndonjë objekti të ri energjetik, por as nuk mund të shpresojë në paratë e institucioneve ndërkombëtare financiare për këtë destinim, vlerësojnë vendimarrësit kosovarë, ekspertët dhe njohësit e rrethanave në këtë fushë.

 Mehmet GJATA

Ka kohë që autoritetet botërore duke përfshirë edhe krerë të shteteve më të mëdha dhe më të rëndësishme botërore,  i kanë shpallur “luftë” përdorimit të qymyrit si burim energjetik. Thuaja se nuk kalon vit që në shumë raste në takime të ndryshme politike, shkencore, ambientaliste që nuk debatohet për domosdonë e reduktimit të thëngjillit sa më shumë dhe sa më shpejtë që është e mundur, me qëllim në radhë të parë, të ruajtjes së ambienit nga ndotja, reduktimit të dioksid karbonit dhe ndotësve të tjerë potencial të liruar nga djegja e thëngjillit. Dhe, ndër rekomandimet, në raste jo të pakta edhe ndër vendimet për të cilat është gjetur gjuhë e përbashkët e shumicës absolute të shteteve pjesëmarrëse, ka qenë reduktimi total i karbonit deri në gjysmë të këtij shekulli. Pra, bota është e vendosur që pas 2050-s të mos ketë me karbon, që do të thotë pas këtij viti i bëhet stop edhe përdorimit të qymyrit si burim energjie.

Reklama e sponzorizuar

Së fundi, në muajin e kaluar, udhëheqësit e G20-ës ranë dakord në fund të takimit të tyre në Romë, që të “punojnë për të arritur një nivel neutral karboni “deri në mes të shekullit” dhe premtuan t’i japin fund financimit për uzinat e qymyrit në vendet e tjera deri në fund të këtij viti”, sado që, ata nuk arritën të bien dakord për eliminimin gradual të qymyrit brenda vendeve të tyre.

Udhëheqësit e mbledhur në Romë folën për përpjekjet për të arritur objektivin e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius, në përputhje me një angazhim global të bërë në vitin 2015 në Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Grupi prej 19 vendesh dhe Bashkimit Evropian çlirojnë më shumë se tre të katërtat e gazrave që shkaktojnë efektin serrë në botë.

Megjithatë qymyri, mbetet një temë e madhe mosmarrëveshjeje. Anëtarët e G20-ës, Kina dhe India i kanë rezistuar përpjekjeve për të dalë me një deklaratë për eliminin gradual të konsumit vendas të qymyrit. Pak a shumë ngjashëm është vendosur edhe në takimin më të gjerë të OKB-së për ndryshimet klimatike, COP26, që është mbajtur poashtu në muajin tetor në Glasgou të Skocisë. Edhe në këtë takim, shtetet potente financiare dhe institucionet ndërkombëtare financiare ishin goxha decidive se më nuk do të financohet në asnjë mënyrë asnjë kapacitet i ri energjetik me qymyr. Këto rekomandime ndërkombëtare dihet i godasin më së shumti vendet e varfëra, e sidomos ato që natyra u ka falë sasi të bollshme të qymyrit dhe mundësi natyrore që ky resurs natyror të shfrytëzohet lehtësisht për të prodhuar energji.

Tani, në vitet në vazhdim, Kosova me qymyrin e bollshëm (rezerva kolosale) te dera dhe thuaja në sipërfaqe të tokës (minierat kosovare të qymyrit janë sipërfaqësore), do të sfidohet realisht nga rekomandimet ndërkombëtare. Kosova, pra është në hall. Nuk ka mjete financiare vetanake për të financuar ndërtimin e ndonjë objekti të ri energjetik, por as nuk mund të shpresojë në paratë e botës, as të institucioneve ndërkombëtare financiare për këtë destinim. BE-ja do të financojë, edhe atë me kondita rigoroze për mbrotjen strikte të ambientit vetëm në riparime dhe në rivitalizime të ndonjë kapaciteti ekzistues deri më 2050-n.

Kësisoj, BE-ja ka nisur financimin e rivitalizimit të termocentraleve Kosova B, investim ky që u prolongua për në vitin e ardhshëm për pasojë të pandemisë. Ndërkaq, vizionet dhe parashikimet kosovare për rindërtimin e Kosovës A tash për tash janë bërë fare të paqarta, të mjegulluara dhe me pak gjasa që të jetësohet ndonjëherë. Po, çka do të bëjë dhe çka duhet të bëjë Kosova e gjetur në këtë udhëkryq jo pak të ndërlikuar- në një anë me nevoja të shtuara për energji elektrike dhe me mungesa të ndjeshme të kapaciteteteve prodhuese dhe në anën tjetër me rekomandimet strikte të botës?

Duhet thënë se është ndër rastet e pakta kur edhe politika kosovare, edhe komuniteti energjetik dhe ai i ekspertëve pak a shumë përputhen. Pra, dominon mendimi, gjithsesi i kushtëzuar, se Kosova duhet ta bëjë dekarbonizimin në mënyrë graduale, pa i cënuar shumë inetresat e vendit, por as kërkesat ndërkombëtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një televizion kosovar ka thënë këto ditë se qeveria e tij është shumë e angazhuar në sektorin e energjisë, dhe se gabimet eventuale në këtë sektor mund të jenë shumë të mëdha. Ai tha se nuk është përmbyllur projekti i gazit, porse për momentin fondet e MCC janë orientuar më shumë tek burimet e ripërtëritshme.

“Pra, ne nuk e kemi mbyllur përgjithmonë edhe vitin e ardhshëm do mund ta bëjmë, mirëpo tash jemi të interesuar që fondet e MCC-së më shumë t’i shpiejmë tek burimet e ripërtëritshme”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti, duke saktësuar, madje se Kosova në mandatin e parë të Vetëvendosjes sërish do të varet kryesisht nga thëngjilli.

“Brenda mandatit të parë tonë është e vërtetë që qymyri do të ngelet edhe më tej dominues, sepse aktualisht është 95%. Mirëpo, qysh sot duhet t’a bëjmë hapin e par në mënyrë që ta zvogëlojmë këtë, duke mos harruar një gjë tejet të rëndësishme, 53% e ndotjes së ajrit në Kosovë vije nga amvisëritë që djegin qymyr, që ngrohen me djegien e qymyrit, dhe ne kemi nevojë për efiçiencë të energjisë”, ka sqaruar Kurti.

Po çfarë thonë ekspertët kosovarë, rreth kësaj çështjeje?

Gazmend Kabashi, një njohës i mirë i zhvillimeve energjetike në Kosovë dhe më gjerë, ka thënë në një intervistë për Buletinin Ekonomik se sado që konferenca për klimën COP26 e mbajtur në Glasgou dhe vendet e zhvilluara janë zotuar që të mos financohet më në termocentralet e reja nga qymyri si emetuesit ndër më të mëdhenjtë të CO2, kjo nuk do të thotë që Kosova nuk do të lejohet të përdorë termocentralet ekzistuese. Por, ndërtim të kapaciteteve të reja nuk do të ketë.

“Padyshim që edhe për shumë kohë Kosova si shtyllë kryesore të sigurisë së furnizimit do ta ketë nga termocentralet ekzistuese TC Kosova B dhe A”, thotë Kabashi.

Varësisht se si do të përcaktohen kostot e CO2 për vendet e Komunitetit të Energjisë, do të ndikohen edhe orët e operimit të termocentraleve ekzistuese, sqaron tutje Kabashi. Në Evropë, për vendet e BE-së, ekziston mekanizmi i tregtimit të karbonit ETC, i cili përcakton nivelin e lejuar të emetimit të CO2 për secilin termocentral nga fosilet apo industritë që përdorin energjinë nga fosilet. Pjesa e CO2 që tejkalohet duhet të blehet në tregun e ETC, ku p.sh., çmimi aktual i CO2 ka mbërritur në 60 euro/ton. Ky nivel i emetimit vit pas viti azhurnohet, që nënkupton që reduktohet duke bërë presion tek prodhuesit e energjisë nga fosilet që gradualisht të reduktojnë prodhimin, pasi që komercialisht nuk do të mund të operojnë me kapacitet të plotë.

Aktualisht, vendet e Ballkanit nuk kanë obligime të tilla por nga viti 2025 pritet që në mënyrë graduale të adaptohet nga vendet përkatëse taksa e CO2, e cila kuptohet që fillimisht do të jetë e vogël por me një ngritje graduale sipas caqeve që do të përcaktohen nga Komuniteti i Energjisë për secilin vend të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Kabashit, vendet në zhvillim siç është Kosova nuk duhet ta mbajnë barrën e njëjtë me vendet e zhvilluara apo emetuesit e mëdhenjë të CO2.

Dekarbonizimi i sektorit të energjisë duhet të ndodhë në mënyrë graduale në Kosovë. Kjo nënkupton mbajtjen e gjenerimit bazë nga termocentralet ekzistuese sa më gjatë që të jetë e mundshme (deri sa komercialisht mund të operojnë) por të revitalizuara ashtu që niveli i ndotësve të jetë në kuadër të limiteve të lejuara me standardet Evropiane.

Gjenerimi nga Burimet e Ripërtëritshme duhet të shtohet ashtu që Kosova ta përmbushë nivelin e diversifikimit të gjenerimit nga BRE-të. Dhe, këto janë mundësitë aktuale dhe reale të Kosovës së vogël dhe të varfër financiarisht dhe shumë të pasur me rezerva enorme të linjitit (e pesta në botë).

Kërkesat e botës janë tejet sfiduese, por edhe nevojat e Kosovës për energjinë elektrike tashmë tepër të kushtueshme dhe me çmime të larta që nuk mbahen mend janë imediate. Prandaj, kur dihet se energjinë elektrike askush nuk ta falë, dhe me çdo kusht dhe kosto çfarëdo qoftë duhet ta kesh në shtëpi, çështja doemos bëhet më serioze. Karshi këtij udhëkryqi të ndërlikuar dhe serioz, duhet të jenë seriozë dhe të vendosur edhe vendimarrësit në Kosovë, por edhe ata që i këshillojnë dhe sugjerojnë, siç janë ekspertët dhe njohësit e këtyre rrethanave, për ta sendërtuar kahin e pranueshëm për të gjithë. Pra, të vazhdojmë edhe për disa vite, së paku për 25-30 vjetët e ardhshme ta shfrytëzojmë qymyrin tonë të bollshëm për nevoja energjetike, por edhe të përmbushim obligimet nga kërkesat dhe rekomandimet ndërkombëtare. Kjo përmbushje nënkupton që të jemi përgjegjës maksimalisht dhe në asnjë mënyrë siç ka ndodhur viteve deri më tani, që të përkujdesemi për ruajtjen e ambienit siç bëhet në të gjitha shtetet normale, duke instaluar teknologjitë më të fundit të elektrofiltrave dhe të stabilimenteve e pajimeve të tjera, të njohura tashmë për rezultate të prekshme në ruajtjen nga ndotja dhe që emetojnë minimalisht elementet ndotëse nga djegja e qymyrit.

Kur mundet të bëjnë shumë shtete dhe kur e kanë zgjidhur ato këtë problem, pse mos të mundemi edhe ne ta bëjmë, aq më parë kur akoma ekziston përkrahja direkte dhe indirekte e botës për këtë proces. Dëshmi e përkrahjes është BE-ja e cila është zotuar dhe tashmë është përcaktuar se do të financojë ndërrimin e elektrofiltrave në termocentralet Kosova B, investim ky që ka një kosto mbi 70 milionë euro. /Buletini Ekonomik/