Ndërsa bota kërkon të frenojë ndryshimet klimatike dhe të reduktojë emetimet e karburanteve fosile, disa kompani po fokusohen në një burim relativisht të pashfrytëzuar, por të madh dhe të mjaftueshëm të energjisë -dallgët e baticës.
Në anët e kundërta të Atlantikut, dy firma po punojnë për të shfrytëzuar rrymat e oqeanit në mënyra të ndryshme në përpjekje për të gjeneruar energji të pastër e të sigurt.
Në brigjet e Skocisë, Orbital Marine Power ka vënë në përdorim atë që ajo thotë se është “turbina më e fuqishme e baticës në botë”. Turbina ka afërsisht madhësinë e një aeroplani pasagjerësh dhe madje duket e ngjashme me të, me platformën e saj qendrore që pluskon në ujë dhe dy krahë që shtrihen poshtë në të dyja anët. Në skajet e secilit krah, rreth 60 këmbë nën sipërfaqe, janë rotorët e mëdhenj, lëvizja e të cilëve diktohet nga valët.
“Vetë energjia e rrymave të baticës është e njohur për njerëzit, është energji kinetike, kështu që nuk është shumë e ndryshme nga diçka si era,” tha Andrew Scott, CEO i Orbital, për CNN Business. “Pjesët e teknologjisë që gjenerojnë energji nuk janë shumë të ndryshme nga një turbinë me erë.”
Por ka disa dallime kryesore me energjinë e erës, kryesisht për faktin se valët janë shumë më të parashikueshme se erërat. Zbatica dhe rryma e baticave rrallë ndryshojnë në sasi të konsiderueshme, si dhe mund të përcaktohen në kohë shumë më saktësisht.
“Ato lëvizje mund të parashikohen me vite e dekada përpara”, tha Scott. “Por nga pikëpamja e drejtimit, ato vijnë vetëm nga dy drejtime të cilat janë pothuajse 180 gradë,” shtoi ai, ndryshe nga turbinat me erë që duhet të llogarisin erën nga disa drejtime të ndryshme në të njëjtën kohë.
Dallgët e baticës janë gjithashtu të afta të gjenerojnë më shumë energji sesa era, thotë Scott. “Uji i detit ka dendësi 800 herë më të madhe se era,” tha ai. “Pra, shpejtësitë e rrymave janë shumë më të ngadalta, por ato gjenerojnë shumë më shumë energji.”
Sipas kompanisë, turbina Orbital, e cila është e lidhur me rrjetin elektrik në Orkney të Skocisë, mund të prodhojë deri në dy megavat – sasi e mjaftueshme për të furnizuar 2,000 shtëpi në vit.
Scott pranon se teknologjia nuk është ende plotësisht e përhapur dhe disa sfida mbeten ende, duke përfshirë koston e lartë të teknologjisë, por besueshmëria dhe potenciali i energjisë së baticës mund ta bëjnë atë një mjet të dobishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike. “Po bëhet gjithnjë e më e dukshme që… ndryshimi i klimës nuk do të zgjidhet me një plumb argjendi,” tha ai.

“Mund të jetë energji 24 orë në 7 ditët e javës”
Rreth 3,000 milje larg turbinave të Orbital-it, Verdant Power po përdor teknologji të ngjashme për të gjeneruar energji pranë ishullit Roosevelt në lumin East River të qytetit Nju Jorkut. Edhe pse ende nuk kanë hyrë në treg, turbinat e Verdant të ngritura si pjesë e një projekti pilot ndihmojnë në furnizimin me energji elektrike në rrjetin e Nju Jorkut. Por, në vend që të pluskojnë pranë sipërfaqes, ato janë montuar në një bazament që është ulur në fund të lumit.
“Mënyra më e mirë për të imagjinuar se çfarë është teknologjia e Verdant Power, është të mendosh për turbinat e erës nën ujë”, tha themeluesi i kompanisë, Trey Taylor, për CNN Business. Dhe rrymat e lumenjve priren të ofrojnë të njëjtat avantazhe për gjenerimin e energjisë si rrymat e oqeanit, shpjegoi ai (megjithëse lumi Lindor është gjithashtu i lidhur me Atlantikun).
“Gjëja më e mirë për lumenjtë dhe sistemet tona është se mund të prodhojnë energji 24orë në 7 ditë të javës,” tha ai. “Jo për të hedhur poshtë energjinë e erës apo të diellit, por era nuk fryn gjithnjë dhe dielli nuk shkëlqen gjithmonë. Por rrymat e lumenjve, në varësi të lumit, mund të jenë 24 orë në 7 ditët e javës”
Në një periudhë 8-mujore, Verdant ka prodhuar mjaftueshëm energji elektrike për të furnizuar rreth 60 shtëpi – megjithëse Taylor thotë se një central i plotë i ndërtuar me teknologjinë e tij mund të gjenerojë mjaftueshëm energji për 6000 shtëpi. Dhe sipas vlerësimit të tij, kapaciteti global për energjinë e baticës është i madh.
“Potenciali për energji është rreth 250 gigavat në mbarë botën”, tha ai, që mjafton për të furnizuar me energji 250 milionë shtëpi për një vit. “Ka shumë hapësirë dhe ne me të vërtetë shpresojmë që edhe konkurrentët tanë të kenë sukses, për të mirën e industrisë.”

Një teknologji e kushtueshme
Për momentin, pengesa më e madhe për arritjen e këtij qëllimi është se sa e shtrenjtë është ngritja dhe rritja në një shkallë të gjerë i sistemeve të energjisë së baticës.
“Prodhimi i energjisë elektrike nga dallgët e oqeanit nuk është sfida. Sfidë është ta bësh atë me kosto efektive, në mënyrë që njerëzit të jenë të gatshëm të paguajnë, në mënyrë që tëk onkurrohet me… burimet e tjera të energjisë,” tha Jesse Roberts, drejtues i Analizës Mjedisore në Laboratorët Kombëtarë Sandia, të lidhura me qeverinë amerikane.
“Kostoja e shtuar e daljes në oqean dhe e vendosjes në oqean… është shumë e shtrenjtë për t’u bërë” – shtoi ai. Sipas shifrave të vitit 2019 nga Departamenti Amerikan i Energjisë, projekti mesatar tregtar i energjisë së baticës kushton deri në 280 dollarë për megavat orë. Energjia e erës, për krahasim, aktualisht kushton afërsisht 20 dollarë për megavat orë dhe është “një nga burimet e energjisë me çmimin më të ulët në dispozicion sot”, sipas agjencisë.
Roberts vlerëson se energjia e baticës është dy ose tre dekada prapa energjisë së erës për sa i përket adoptimit dhe zbatimit në përmasa të mëdha.
Kostot dhe sfidat e operimit nën ujë janë diçka që Scott dhe Taylor e pranojnë.
“Dielli dhe era janë mbi tokë. Është e lehtë të punosh me gjëra që mund t’i shohësh,” tha Taylor. “Ne jemi nën ujë dhe ndoshta është më e lehtë të çosh një raketë në Hënë sesa t’i bësh këto të funksionojnë nën ujë.”
Por qëllimi i fuqisë së baticës nuk është edhe aq për të konkurruar me këto dy burime energjie, sesa për të rritur sasinë e përgjithshme.
“Dielli dhe era ishin mjaft të dukshme,” tha Scott. “Por a duhet të jenë ato zgjidhja e vetme? A ka vend për zgjidhje të tjera? Mendoj se kur burimi i energjisë është atje dhe mund të zhvillohen teknologji që mund ta shfrytëzojnë atë, atëherë absolutisht që po.” /CNN/ /Monitor.al/









