Banka botërore ndan 93 miliardë dollarë për vendet e varfra

Banka Botërore njoftoi se institucioni i saj, Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), ka ndarë 93 miliardë dollarë për të ndihmuar vendet me buxhete të vogla të përballen me krizën e pandemisë së coronavirusit dhe të nxisin rritjen e tyre ekonomike.

Siç njoftoi Banka Botërore të mërkurën, kjo është shuma më e madhe e dhënë deri më tani nga IDA, e cila jep kredi për 74 vende, kryesisht nga Afrika.

IDA është një shoqatë e Grupit të Bankës Botërore që ndihmon vendet më të varfra të botës duke u dhënë atyre subvencione dhe kredi me interes të ulët ose pa interes për projekte dhe programe që nxisin rritjen ekonomike, ulin varfërinë dhe përmirësojnë jetën e të varfërve.

Reklama e sponzorizuar

Shoqata financohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare dhe donatorët mblidhen çdo tre vjet për ta forcuar atë, transmeton euronews.albania.

Fondet për të cilat janë publikuar të dhënat, do të shpërndahen deri në korrik të vitit 2022.

“Angazhimi bujar i partnerëve tanë sot është në një fazë të rëndësishme në mbështetjen e vendeve të varfra në përpjekjet e tyre për t’u rikuperuar nga kriza COVID-19,”, tha në një deklaratë presidenti i Bankës Botërore, David Malpas.

“Ne jemi mirënjohës për besimin që partnerët tanë kanë në IDA si një platformë jo e fragmentuar dhe efektive për të përballuar sfidat e zhvillimit dhe për të përmirësuar jetën e miliona njerëzve në mbarë botën”, shtoi ai.

Me këtë paketë të fuqishme, IDA do të jetë në gjendje të rrisë mbështetjen e saj në pandemi dhe të adresojë sfidat shëndetësore, duke ndihmuar 400 milionë njerëz të përfitojnë burime shëndetësore dhe ushqimore.

Programi i rrjetit të mbrojtjes sociale pritet të arrijë deri në 375 milionë njerëz.