Sa para sjellin emigrantët në vendet amë? Kosova zë vendin e parë nga shtetet e Evropës

Euro

Zyra Europiane e Statistikave ka përditësuar të dhënat në lidhje më dërgesat e emigrantëve sipas vendeve pritëse në Europë për vitin 2020, ku figuron edhe Koosva dhe Shqipëria. Në Shqipëri, remitancat në vitin 2020 llogariten në rreth 1.03 miliardë euro në total, çka e vendos atë në vend të 8-të në Europë në terma absolutë, me një shifër ndjeshëm më të madhe se shumë vende të tjera të kontinentit të vjetër, të cilat kanë edhe një popullsi disa herë më të madhe.

“Scan Intelligence Unit” i ka përpunuar këto të dhëna në raport me popullsinë, për të kuptuar më mirë se sa dërgesa nga emigrantët marrin shqiptarët, krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe rajonit, duke pasur parasysh faktin se Shqipëria ka në mërgatë një numër të konsiderueshëm të popullsisë, të akumuluar ndër vite.

Por, çfarë thonë shifrat?

Reklama e sponzorizuar

Gjatë vitit 2020, remitancat për frymë në vendin tonë fiksohen në 364 euro. Pra, kaq është shuma mesatare që çdo shqiptar ka marrë nga të afërm apo miq të tyre që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut. Kjo shifër na vendos në vend të 5-të në kontinentin e vjetër, pas Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Kosova mban vendin e parë në absolut, me 980 milionë euro remitanca për një popullsi më të vogël se 2 milionë banorë, ose më saktë, 506 euro për frymë. Më pas ndjek Kroacia, me 447 euro për frymë, Mali i Zi, me 417 euro për frymë dhe Bosnje Hercegovina, me 393 euro për frymë. Në rajon, vetëm Serbia me 357 euro për frymë dhe Maqedonia e Veriut, me 135 euro për frymë regjistrojnë shira më të ulta se vendi ynë.

Në vend të fundit të tabelës ndër vendet e kontinentit të vjetër ndërkohë gjejmë Gjermaninë, me rreth 0.05 euro për frymë, Turqinë me rreth 1.8 euro për frymë dhe Francën, me vetëm 3.89 euro për frymë.

Vetëm disa ditë më parë, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregonin se remitancat në vendin tonë gjatë tremujorit të tretë të vitit prekën nivelin më të lartë që prej vitit 2008, me rreth 200 milionë euro në vetëm 3 muaj.

Pandemia ka nxitur një rritje të ndjeshme të flukseve hyrëse të dërgesave nga emigrantët në vendin tonë, duke tejkaluar edhe nivelet e para krizës financiare globale të më shumë se një dekade më parë. /SCAN INTELLIGENCE UNIT/