Çmimet e naftës janë rritur në sesionin tregtar të ditës së enjte, duke rikuperuar humbjet e ditës së mëparshme, ndërkohë që investitorët përshtatën pozicionet në bursë përpara vendimit të OPEC mbi prodhimin.
Megjithatë, rritja u limitua prej shqetësimeve nga varianti Omicron i koronavirusit, që pritet të godasë kërkesën.
Nafta Brent u rrit me 1.24 dollarë apo 1.8% në 70.11 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane shtoi 1.13 dollarë, apo 1.7%, në 66.70 dollarë për fuçi. Çmimet në botë kanë humbur mbi 10 dollarë për fuçi që prej javës së kaluar, kur lajmi i Omicron tronditi investitorët.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendet aleate, që njihen si OPEC+, pritet të vendosë këtë javë nëse do të prodhojë më shumë naftë, siç u planifikua më parë.
Që prej muajit gusht, karteli ka shtuar 400,000 fuçi në ditë tek oferta botërore çdo muaj, ndërkohë që përpiqet të zhbëjë shkurtimet rekord të bëra gjatë fillimit të pandemisë. Megjithatë, varianti i ri ka vështirësuar vendimmarrjen, me disa mbikqyrës që spekulojnë se Organizata mund të ndalojë prodhimin shtesë për janarin. Shqetësimet mbi Omicron u rritën pas raportimit të rastit të parë në SHBA.
Rimëkëmbja e çmimeve u limitua edhe prej publikimit të të dhënave mbi inventarët në SHBA, ku pati rënie më pak se sa pritej. Inventarët e naftës bruto ranë me 910,000 fuçi në javën që përfundoi më 26 nëntor, sipas Administratës së Informacionit mbi Energjinë, krahasuar me pritshmëritë për 1.2 milionë rënie. /Scan tv/