Mbrojtësit e Konsumatorëve thirrje KESCO-s: “Ndaleni terrin për konsumatorët dhe respektoni Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit”

“Mbrojtësit e Konsumatorëve” i kanë bërë thirrje kompanisë së furnizimit me energji KESC0-s, që të respektojnë të drejtat e konsumatorëve për informim, furnizim të rregullt dhe kompensim të dëmeve për qytetarët pas reduktimeve të energjisë.

Ata përmes një njoftimi për media, i kanë bërë thirrje gjithashtu edhe Qeverisë dhe institucioneve tjera relevante, që të mos i fajësojnë qytetarët për konsum të shtuar të përdorimit të energjisë, por t’iu dalin atyre në ndihmë në këtë kohë të krizës dhe të gjejnë rrugëzgjidhje në dobi të konsumatorëve.

Reklama e sponzorizuar

“Konsumatorët janë të pa informuar, të diskriminuar dhe të lënë pa shërbime bazë në një kohë të vështirë e pa të drejtë. Energjia elektrike është produkt bazë pa të cilin jeta e konsumatorëve vështirësohet”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Mbrojtësve të Konsumatorëve, përveç që u urdhërua me lehtësi privimi i konsumatorëve nga energjia elektrike, ata as nuk po informohen me kohë mbi kohëzgjatjen e reduktimeve, dhe për më tepër institucionet përgjegjëse nuk kanë ndonjë plan transparent se deri kur do të zgjasë kjo periudhë.

Neni 4 i Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorëve thekson qartë që e drejta për informim të konsumatorëve dhe e drejta për shfrytëzim të shërbimeve publike është e drejtë thelbësore. Duke u bazuar në këtë ligj, Mbrojtësit e Konsumatorëve thonë se me reduktimet pa njoftim dhe orar, KEDS/KESCO po shkelin një parim bazë të të drejtave të konsumatorëve.

Ata tutje shprehen se janë thellësisht të shqetësuar me tejzgjatjen e reduktimeve dhe se konsumatorët gjithandej Kosovës po raportojnë për periudha shumë më të gjata sesa dy orë me reduktime.

Ata i bëjnë thirrje urgjente edhe Zyrës së Rregullatorit për Energji që ta monitorojë në mënyrë strikte zbatimin e “dy orëshit” të reduktimeve dhe të shqiptojë gjoba në rastet kur kjo periudhë e proklamuar nuk respektohet.

“Konsumatorët e Kosovës i lusim të jenë vigjilent dhe të ankohen për shkeljet që po ndodhin. Shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe parashtroni ankesë në [email protected] si dhe në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Zyrën e Rregullatorit për Energji në email-in [email protected]. Terri nuk është zgjidhja. Energjia elektrike është shërbim i domosdoshëm për konsumatorët. Informimi i tyre, qasja në këto shërbime dhe dëmshpërblimi në rast të dëmit janë të drejta thelbësore me pasoja juridike”, përfundon reagimi i Mbrojtësve të Konsumatorëve. /Buletini Ekonomik/