Banka e Anglisë rrit normën bazë të interesit në 0.25%

Banka e Anglisë ka rritur normën bazë të interesit nga 0.1 për qind në 0.25 për qind, duke shënuar rritjen e parë në më shumë se tre vjet, duke theksuar se rreziqet e inflacionit kërkonin që ajo të merrte masa parandaluese edhe pse Britania e Madhe është përfshirë nga vala e variantin Omicron të koronavirusit.

Duke befasuar tregjet financiare të enjten për të dytin muaj radhazi dhe duke votuar 8-1 në favor të normave më të larta të interesit, Komiteti i Politikës Monetare (MPC) të bankës vendosi se nuk mund të priste më përpara se të kërkonte të frenonte shpenzimet në ekonomi.

Pas takimit, Andrew Bailey, guvernatori i bankës së Anglisë ( BoE), tha: “Ne kemi parë prova të një tregu shumë të shtrënguar të punës dhe po shohim presione inflacioniste të vazhdueshme”.

Reklama e sponzorizuar

Duke pranuar se inflacioni po shkonte drejt nivelit prej rreth 6 për qind, guvernatori shtoi: “Ne jemi të shqetësuar për inflacionin në afat të mesëm. Dhe tashmë po shohim elementë tani që mund ta kërcënojnë këtë tregues. Prandaj duhet të veprojmë.”

Në muajt në vijim mund të jenë të nevojshme rritje të mëtejshme “modeste” të normave të interesit, tha MPC, në mënyrë që të mbahet nën kontroll inflacioni dhe për ta ulur atë në objektivin prej 2 për qind të BoE.

MPC tha se vala e koronacirusit Omicron do të godasë ekonominë në fund të këtij viti dhe në tremujorin e parë të 2022, por efektet e variantit të ri në inflacion ishin të paqarta./Financial Times