Dhjetëra mijëra njerëz u zgjuan në mëngjesin e Kërshëndellave të befasuar nga banka “Santander”. Kjo bankë gabimisht transferoi 130 milionë funte në 75.000 llogari më 25 dhjetor.
Stafi i bankës tani po ngutet që t’i kthejë paratë, ndonëse detyra po bëhet më e vështirë, sepse një shumë e konsiderueshme është transferuar në banka rivale, shkruan “The Times”, përcjell Gazeta Express.
Gabimi ndodhi, kur pagesat nga 2.000 llogari biznesore u bënë dy herë. “Na vjen keq që për shkak të një problemi teknik, disa pagesa nga klientët tanë janë dyfishuar në mënyrë të gabuar në llogaritë e marrësve”, thuhet në deklaratën e bankës.
Një menaxher i listës së pagave, i cili kërkoi që të mos i publikohej emri, i tha BBC-së se gabimi i ka lënë një hije gjatë festës. “Ma prishi periudhën e festave, sepse mendova se kam paguar qindra mijëra gabimisht – mendova se kam bërë diçka gabimisht”, tha ai.
Banka që e bëri gabimin tha se tashmë i ka nisur kontaktet me rivalët, në mesin e të cilëve u raportua se përfshihen bankat “Barclays”, “HSBC”, “NatWest”, “Co-operative Bank” dhe “Virgin Money”.