Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti me rastin e konferencës së fundvitit, theksoi sot se viti 2021 mund të konsiderohet një vit i suksesshëm për Kosovën, falë diasporës, politikave të qeverisë dhe rolit të BQK-së.
Ai shtoi tutje se këtë vit ekonomia e Kosovës është rritur me 9.9 për qind dhe se përkundër pandemisë vendi ka arritur ta ruajë stabilitetin financiar.
Sipas guvernatorit Mehmeti, rritje kanë shënuar dhe remitencat, që shkuan mbi 900 milionë euro këtë vit.
“Me gjithë vështirësitë, viti 2021 jam i lumtur si guvernator i BQK-së, që kemi arritur me sukses t’i arrijmë objektivat. Kemi arritur që ta sigurojmë një sistem financiar por njëkohësisht kemi qenë shtyllë kryesore e ekonomisë në vend”, tha Mehmeti.
“Kishim edhe një rritje të kërkesës së brendshme dhe të importit”, u shpreh guvernatori.
Sipas të dhënave të BQK-së, 265 milionë euro janë investuar nga investitorët e jashtëm, kryesisht në patundshmëri.