Rënia e aseteve të huaja të Turqisë zbulon ndërhyrjen “agresive” për lirën

Bankierët theksojnë përpjekjet ‘shumë të bashkërenduara’ për të rritur vlerën e monedhës pasi Erdogan zbuloi skemën e kursimeve.

Rezervat në valutë të huaj të Turqisë kanë rënë me miliarda dollarë që nga fillimi i javës, duke treguar se ndërhyrjet agresive kanë ndihmuar në rifuqizimin e lirës nga nivelet rekord të ulëta ku kishte rënë.

Lira kishte rënë ndjeshëm pas serisë së fundit të uljes së normave të interesit, por ajo u rifuqizua dukshëm të martën pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan zbuloi një skemë të re kursimi që synon nxitjen e banorëve vendas për të mbajtur depozita në lira.

Reklama e sponzorizuar

Por në të njëjtën kohë, aktivet e huaja neto të vendit ranë me 5.9 miliardë dollarë në dy ditët e para të kësaj jave, duke shkuar në minus 5.1 miliardë dollarë sipas llogaritjeve të Financial Times bazuar në të dhënat e bankës qendrore.

Banka qendrore turke nuk ka njoftuar asnjë ndërhyrje zyrtare këtë javë dhe nuk pranoi të komentojë nëse kishte shitur dollarë për të mbështetur lirën në ditët e fundit. Por, tkurrja e aseteve të saj të huaja tregon se kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e lirës.

Ugur Gurses, një ish-zyrtar i bankës qendrore, tha se rritja me 50 për qind e vlerës së monedhës krahasuar me pikën më të ulët që kishte arritur të hënën. shpjegohet të paktën pjesërisht nga një “ndërhyrje e pasme”.

Një analist në Londër, i cili kërkoi të mos bëhej publik, tha se ai kishte llogaritur një ndërhyrje prej 6.9 miliardë dollarësh në të njëjtat ditë – vlerësimet variojnë nga 5.5 miliardë dollarë në 7 miliardë dollarë. Bankierët turq raportuan një “përpjekje shumë të bashkërenduar dhe agresive për ta bërë njoftimin e Erdoganit të dukej sa më mirë”, tha ai.

Lira e Turqisë arriti një rekord të ulët ditën e hënë, ku një dollar amerikan këmbehej me 18.4 lira, një rënie kjo me 60 për qind përgjatë vitit. Por, monedha vendase shënoi një rikthim të rëndësishëm pasi Ankaraja njoftoi disa skema të mbështetura nga Thesari dhe banka qendrore e Turqisë, për të mbrojtur kursimet në monedhën lira dhe për të mbështetur monedhën duke e indeksuar atë në valutë të huaj.

Erdogan deklaroi të mërkurën se Turqia po e fitonte betejën e saj financiare. “Ne po luftojmë kundër shtypjes së popullit tonë me inflacion dhe interes,” tha ai në një fjalim televiziv. “Kësaj radhe do të arrijmë rezultatet që duam.”

Analistët vlerësojnë se ndërhyrja e fuqishme në fillim të javës e ҫon shifrën totale të ndërhyrjeve nga banka qendrore këtë muaj diku mes 15 dhe 17 miliardë dollarë.

Kjo shkallë ka gjasa të ringjallë alarmin mes analistëve për shëndetin e rezervave në valutë të huaj të Turqisë.

Fondet e luftës të bankës ishin rikuperuar në fillim të këtij viti pasi ranë në nivelin më të ulët 20-vjeçar, pas një përpjekjeje të mëparshme për të mbrojtur lirën duke ulur normat e interesit, gjë që solli humbjen e më shumë se 100 miliardë dollarëve.

Agjencia e vlerësimit Fitch, e cila në fillim të këtij muaji e ndryshoi perspektivën e saj për Turqinë duke e cilësuar si “negative”, shprehu shqetësimin e saj për një njoftim në fillim të dhjetorit se banka qendrore do të rifillonte ndërhyrjet për të mbështetur lirën. Agjencia paralajmëroi se, nëse kjo politikë mbështetet, ajo “rrezikon të minojë më tej përbërjen tashmë të dobët të rezervave ndërkombëtare të bankës qendrore”.

Shqetësimet për rezervat e Turqisë erdhën pasi analistët paralajmëruan se skemat e reja të kursimeve të shpallura nga presidenti rrezikonin të nxisnin më tej inflacionin stratosferik të vendit, i cili në muajin nëntor ishte 21 për qind sipas shifrave zyrtare.

Disa analistë argumentuan se plani i ri sillte një rritje klandestine të normës së interesit ose fiksimin e normës së këmbimit të monedhës, ndërsa banka qendrore mund të detyrohet të printojë më shumë para për të mbuluar detyrimet e saj të reja.

Qeveria ishte dorëzuar përballë inflacionit dhe po miratonte një kurs këmbimi gjysmë fiks, shkroi në Twitter Hakan Kara, i cili ishte kryeekonomist në bankën qendrore përpara se të pushohej nga puna në vitin 2019.

“Për 10 vjet, kërkesa për norma interesi [të ulëta] ka bërë të nevojshme nxjerrjen e instrumenteve të ndryshme,” tha ai. “Ne ende nuk kemi një politikë monetare stabilizuese. Edhe ky sistem do të kërkojë rishikim.”

“Nuk do të ketë më spirale të kursit të këmbimit dhe të normës së inflacionit siҫ kishte më parë, por do të jetë ende shumë e vështirë për ta rikthyer inflacionin në nivele njëshifrore,” tha Kieran Curtis, menaxher borxhi për tregjet në zhvillim në Aberdeen Standard Investments në Londër. Diferenca e madhe mes inflacionit të Turqisë dhe atij të SHBA-së e të Eurozonës do të dobësonte lirën dhe do të shtonte kostot fiskale, tha ai.

Investitorët mund të inkurajohen të blejnë asetet turke pasi skema ul mundësinë e kontrolleve të kapitalit në të ardhmen e afërt, por këto shuma do të ishin gjithsesi të vogla, shtoi Curtis. Aberdeen shiti ekspozimin e vet ndaj borxhit turk në mars dhe që atëherë nuk ka blerë më të tillë.

Erdogan tha se ata që shqetësoheshin se lira mund të rifillonte marshimin e saj drejt rënies ishin “mendjelehtë” dhe se agjencitë rregullatore po ndiqnin çështje ligjore kundër atyre që përpiqen të dobësojnë lirën duke inkurajuar njerëzit të blejnë valutë të huaj. /Financial Times/