Brukseli: Rregullat e reja për punonjësit e ekonomisë gig mund të frenojnë ‘abuzimet’

BE planifikon ta vendosë përgjegjësinë mbi kompanitë si Uber për të provuar se shoferët që përdorin atë platformë janë të vetëpunësuar.

Rregullat e reja që do t’u japin punonjësve të ekonomisë gig (ndodh në një treg të lirë ku kontratat e punës janë të përkohshme) të njëjtat të drejta si të punësuarit e tjerë mund të parandalojnë “abuzimet” në pjesë të tjera në zhvillim të ekonomisë dixhitale, sipas zyrtarit të lartë të Brukselit për punën.

Nicolas Schmit, komisioneri i BE-së për punën dhe të drejtat sociale, tha për Financial Times se kompanitë si Uber dhe Deliveroo duhet të kufizohen nga rregulla më të ashpra dhe se kjo do të frenojë gjithashtu në të ardhmen modelet e punësimit “në platformë”.

Reklama e sponzorizuar

Komisioni Europian do të publikojë të enjten projektligjin që do të vendosë barrën mbi platformat dixhitale për të vërtetuar se ata që punojnë duke përdorur platformën – si për shembull shoferët – janë të vetëpunësuar. Aktualisht, kjo kategori punonjësish duhet t’i drejtohet gjykatës për të fituar të drejtat e punëmarrësit.

Duke folur për Financial Times, Schmit tha: “Nëse e lëmë këtë biznes jashtë standardeve normale dhe krijojmë hapësira për abuzime, kam frikë se si përfundim ky modeli i platformave do të zhvillohet edhe në shumë fusha të tjera”.

Nëse sektorët e tjerë në ekonominë dixhitale shohin se ka një mundësi për të “shpëtuar nga sigurimet shoqërore”, tha Schmit, ata “do të reflektojnë për të ndërtuar një model platforme që të mos punësojnë dhe të mos paguajnë të gjitha kontributet shoqërore”.

Sipas projekt-propozimeve të reja, nëse një person plotëson të paktën dy kritere, që përfshijnë faktin nëse një platformë përcakton nivelin e tyre të pagës ose mbikëqyr punën e tyre, atëherë ata automatikisht do të klasifikohen si punonjës.

BE vlerëson se më shumë se 500 platforma dixhitale punësojnë aktualisht rreth 28 milionë njerëz në të gjithë unionin. Numri i të punësuarve në ekonominë gig pritet të rritet në 43 milionë deri në vitin 2025. Aktualisht, nëntë nga dhjetë platforma i klasifikojnë njerëzit si të vetëpunësuar.

Brukseli do të nisë gjithashtu një konsultim mbi udhëzimet për të lejuar të vetëpunësuarit të negociojnë kolektivisht për pagat dhe kushtet e punës. Aktualisht, të vetëpunësuarit që zbulohet se po bëjnë diҫka të tillë do të konsiderohen si të angazhuar në veprime të ngjashme me kartelet duke thyer ligjet e konkurrencës.

Aktivistët e këtyre platformave kanë argumentuar se legjislacioni i ri mund të sjellë pasiguri ligjore dhe mijëra humbje vendesh pune, si dhe kanë shtuar se punonjësit preferojnë fleksibilitetin e të qenit të vetëpunësuar.

Move EU, një organ tregtar që përfaqëson Bolt, Free Now dhe Uber, tha: “Shumica dërrmuese e shoferëve nuk duan të jenë të punësuar dhe anketat në të gjithë Europën tregojnë vazhdimisht se ata nuk duan të humbasin fleksibilitetin dhe të ardhurat shtesë që marrin nga mundësia që kanë për të punuar për disa platforma njëkohësisht.”

“Riklasifikimi i shoferëve nuk do të rrisë domosdoshmërisht pagat apo t’i sigurojë atyre mundësi fitimi… mbi 149,000 shoferë mund të humbasin aksesin te puna, ndërsa konsumatorët do të shohin se shërbimet në të cilat ata janë mbështetur deri tani, janë dëmtuar rëndë.”

Schmit kundërshtoi përpjekjet e lobimit dhe shtoi se njerëzit mund të kenë edhe një status të qartë punësimi, edhe fleksibilitet. Ai tha: “Reformat e mëdha sociale janë kundërshtuar gjithmonë nga njerëzit që preken në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur në Mbretërinë e Bashkuar, në shekullin e 19-të, njerëzit filluan të thoshin ‘Është e padrejtë t’i bësh fëmijët të punojnë në minierat e qymyrit’, reagimi ishte pakashumë se ky do të ishte fundi i industrisë së minierave.”

Por ai shtoi: “Ka gjithashtu një jetë pas ndryshimit të rregullave.”

Për sa i përket konsumatorëve që duhet të paguajnë më shumë nëse platformat ia kalojnë atyre kostot e rritura si rezultat i rregullave të reja që i detyrojnë ato të shtojnë të drejtat e punonjësve, ai tha: “Nëse kjo do të thotë që pica ime do të kushtojë 2 € më shumë, atëherë do të mësohem të jetoj me këtë fakt.”/Financial Times/