Dekonspirohet lista e të punësuarve në Shqipëri, dalin pagat për rreth 550 mijë të punësuar

Lista e pagave zyrtare për punonjësit në të gjithë Shqipërinë u dekonspirua këto ditë dhe po qarkullon në të gjithë median online.

Lista është me 630 mijë punonjës në të gjithë vendin të punësuar dhe vetëpunësuar ndërsa pagat janë publikuar për rreth 550 persona të cilët janë të punësuar në biznese dhe në shtet

Verifikimet tregojnë se lista është reale, teksa publikimi i saj përbën dekonspirimin më të madh te të dhënave personale me sensitivitet të lartë, pas publikimit te të dhënave personale gjatë zgjedhjeve elektorale të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Burimi kryesor që prodhon dhe administron të dhënat është Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, por të dhënat përpunohen dhe administrohen edhe nga institucione të tjera statistikore në vend të tilla si INSTAT, etj. Ndërkohë nuk dihet se nga ka dalë lista, që po shpërndahet sot në whats’up .

Vitet e fundit Shqipëria ka investuar në dixhitalizimin, por siç është parë deri më tani siguria e informacionit është shumë e ulët dhe dekonspirimi i të dhënave sensitive është shumë i lartë.

Ky publik përveç se mund të ekspozojë të punësuarit ndaj keqbërësve mund të bëhet shkak për rritje të konflikteve sociale pasi të dhënat rreth pagave preferohen të mbahen të fshehta.

Sakaq Prokuroria e Tiranës ka nisur një proces verifikimi pas publikimit të të dhënave.

Mediat raportojnë se grupet e hetimit po përqendrohen në institucionet që administrojnë të dhënat.

Monitor iu drejtua AKSHI-t dhe Drejtorisë së Tatimeve. AKSHI tha se nuk ka lidhje me të dhënat që kanë dalë, ndërsa mbetemi në pritje nga Drejtoria e Tatimeve.