KEDS njofton se do të kthehen reduktimet e rrymës nga dy orë, shkak mbingarkesa e rrjetit

Operatori i Shpërndarjes së rrymës në Kosovë, (KEDS) ka njoftuar se nga nesër në Kosovë do të ketë reduktime të energjisë elektrike sikur në vitet e para të pasluftës për 24 orë.

Në njoftimin e tyre thuhet se ky vendim ka ardhur si pasojë e mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, sipas tyre, kufizimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërkohë që në ditët në vijim priten instruksionet e KOSTT-it.

Tutje, KEDS-i ka apeluar për kursim të rrymës e për përdorim të formave alternative të ngrohjes, në ditët më të ftohta deri tash këtë dimër./Buletini Ekonomik/