“Global Gateway” – Çfarë përfaqëson plani gjigant infrastrukturor i BE-së?!

Me një kaskadë investimesh në vendet e varfra, Komisioni Europian kërkon t’i bëjë konkurrencë serioze Kinës. “Global Gateway” e BE-së do të jetë më atraktive se “Rruga e Re e Mëndafshit që ka iniciuar Kina.

Deri në 300 miliardë euro kërkon të mobilizojë Bashkimi Europian në 5 vitet e ardhshme për të investuar në projekte infrastrukturore në të gjithë globin, sidomos në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. “Global Gateway” quhet iniciativa e re globale dhe përmban një shumë më të madhe parash për investime se sa ishte bërë e ditur. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen personalisht do të kujdeset për këtë program investimesh. Ai do të jetë në alternativë mbi bazën e vlerave demokratike kundrejt projektit kinez të njohur si “Rruga e Re e Mëndafshit”, i iniciuar në virin 2013.

Komisioni Europian kërkon të zmbrapsë influencën në rritje të Kinës, megjithëse nuk e përmend këtë shprehimisht. “Përmes kësaj oferte të një zgjerimi pozitiv të infrastrukturës botërore “Global Gateway” synon të investojë në stabilitetin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin. Përveç kësaj kërkohet të demonstrohet që vlerat demokratike, siguria dhe “fairness”, sjellin qëndrueshmëri për partnerët dhe avantazhe për njerëzit rreth e rrotull globit”, thuhet në programin e KE. Pyetjes nëse kjo iniciatvë shënjestron Kinën, Ursula von der Leyen ju përgjigj se kjo është një alternativë e qartë ndaj programeve të tjera.”

Reklama e sponzorizuar

Mobilizim i kapitalit privat

Tek shuma prej 300 miliardë eurosh e investimeve, 135 miliardë euro deri në vitin 2027 do të merren me garanci nga “Fondi Europian i Zhvillimit të Qëndrueshëm”, KE kërkon që të joshë me “instrumente të reja financiarë” kapitalin privat për projekte të përbashkëta. Banka Europiane e Zhvillimit në Luksemburg, shoqëri e Komisionit Europian do të luajë një rol qendror. 150 miliardë euro të tjera do të merren nga programe të ndryshme ekzistuese, institucione financiare të BE dhe programet e investimit të shteteve anëtare që do të bashkohen. Nuk bëhet fjalë për fonde të reja, por për metodë të re llogaritjeje. 18 miliardë eurot e tjera do të vijnë si garanci nga buxheti i zhvillimit të BE.

Shembull prodhimi i hidrogjenit

Si shembull konkret KE merr investimin në prodhimin e hidrogjenit në Afrikë. BE do t’i sigurojë me 3,5 miliardë euro garanci investimet private. Kundrejt kësaj vendet marrëse do të garantojnë që të eksportojnë prodhimin e hidrogjenit të lirë dhe pa barriera tregtie. Sigurisht Brukseli shpreson që sipërmarrjet europiane të kenë rol në ndërtimin e impianteve të prodhimit dhe vënien në funksionim e shpërndarjen e hidrogjenit, thonë diplomatët europianë që kanë punuar për programin e ri të investimeve.

Projekt tjetër gjigand është vendosja e kabllove nëndetare për internetin e shpejtë në Detin e Zi. Në Jordani, BE mund të financojë një urë të re që do çojë në Jordaninë Perëndimore të pushtuar nga Izraeli. BE parashikon të mbështesë firmat europiane financiarisht me subvencione, me qëllim që ato të kenë sukses në tregjet e rregulluara ndaj konkurrentëve vendas, apo sipërmarrjeve të financuara nga shteti, siç bën Kina. Nga ana tjetër BE kërkon të vendosë standarde botërore në sektorë të caktuar të prodhimit industrial. Pikat kryesore të programit të ri “Global Gateway” do të jenë investimet në digjitalizim, mbrojtjen e klimës dhe energjive të rinovueshme. Nuk bëhet fjalë për të ndërtuar rrugë, që eventualisht mund të çojnë në një port të financuar nga Kina, ishte shprehur muaj më parë presidentja e KE, von der Leyen./SCAN TV/