Hungarezët e OTP drejt blerjes së Alpha Bank Albania

Banka hungareze OTP është drejt fitimit të garës për blerjen e Alpha Bank Albania. Megjithëse grupi bankar grek nuk ka shpallur ende zyrtarisht një fitues të procesit, burime nga tregu bëjnë të ditur se grekët kanë vendosur të pranojnë ofertën e OTP dhe palët janë duke negociuar marrëveshjen e shitblerjes.

Nëse marrëveshja mbyllet me sukses, më tej ajo do të jetë subjekt i miratimeve rregullatore nga Banka e Shqipërisë, Autoritetit të Konkurrencës dhe nga institucionet homologe në tregjet e tjera ku veprojnë palët e përfshira e në transaksion.

Procesi i shitjes së Alpha Bank Albania ka rezultuar më i gjatë se parashikimet, në mënyrë të ngjashme me proceset e mëparshme të shitjes së dy bankave të tjera greke, NBG Bank dhe Tirana Bank. Pritej që grupi Alpha Bank të shpallte një ofertë fituese në mesin e muajit nëntor, 30 ditë pas afatit të fundit për dorëzimin e ofertave nga bankat pjesëmarrëse në garë.

Reklama e sponzorizuar

Megjithëse vlera e ofertave të paraqitura nga pjesëmarrësit është konfidenciale, burime nga tregu shprehen se vlera e kërkuar nga Alpha Bank në proces ishte afërsisht në vlerën e kapitalit të saj aksioner, të matur sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, rreth 65 milionë Euro. Mbi këtë bazë, mund të supozohet se oferta fituese për blerjen e saj të jetë sipër kufirit të 60 milionë Eurove. Në raport me kapitalin aksioner (price to book value), me siguri Alpha Bank do të marrë çmimin më të mirë në proceset e shitjes së bankave nga viti 2015 e në vazhdim. Por, nëse oferta fituese i është afruar kërkesës prej rreth 65 milionë eurosh të grupit grek, atëherë kjo do të rezultojë shitja më e shtrenjtë edhe në vlerë absolute, duke kaluar vlerën prej 57.3 milionë Eurosh të paguar për Tirana Bank nga konsorciumi Balfin Komercijalna Banka.

Çmimi në këto nivele u përcaktua nga fakti se Alpha Bank Albania ka me një bilanc më të shëndetshëm krahasuar me bankat e tjera që kanë dalë në shitje, me një raport të kredive me probleme pranë nivelit të 3%. Nga ana tjetër, edhe konkurrenca e për blerjen e saj ishte mjaft e lartë, me pesë banka që kryen due diligence dhe katër prej tyre që paraqitën oferta angazhuese (binding). Ofertues ishin OTP, ABI Bank, Tirana Bank dhe Union Bank, ndërsa bullgarët e Fibank u tërhoqën me argumentin se çmimi po arrinte nivele të paarsyeshme, në këndvështrimin e tyre.

Grupi hungarez OTP hyri në tregun shqiptar në vitin 2018, me blerjen e filialit shqiptar të grupit francez Societe Generale. Vlera e marrëveshjes nuk u bë zyrtare, por sipas të dhënave nga tregu besohet se OTP pagoi pak më shumë se 32 milionë euro. Nës do të finalizohet, blerja e Alpha Bank me siguri do të jetë shumë më e kushtueshme.

Në fund të tremujorit të tretë, OTP Albania ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej 107 miliardë lekësh ose 6.2% të tregut. Nëse do të finalizojë me sukses edhe blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut të OTP do të arrijë në 10.9% të aseteve totale të sistemit, duke iu afruar shumë Intesa Sanpaolo Bank Albania, që zotëron rreth 11.8%. Shitja me sukses e Alpha Bank njëkohësisht do të sillte një konsolidim të mëtejshëm të sektorit bankar në vend, me uljen e numrit të përgjithshëm të bankave në 11, nga 12 që janë aktualisht. /Monitor.al/