Kosova ‘pa zgjidhje’ për rreth 100 mijë të rinj të pashkolluar

Jashtë tregut të punës në Kosovë, pa shkollim e as trajnime, kanë mbetur gjithsej 98 mijë e 730 të rinj.

Përqindja e lartë e këtij grupi të rinjsh që nuk janë pjesë e sistemit arsimor në Kosovë, po rrit vazhdimisht shqetësimet që ata as në të ardhmen të mos gjejnë punë, pasi vet fakti se nuk ndjekin ndonjë trajnim ose mësim tregon shkëputje nga tregu i punës.

Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë të vitit 2021, 98 mijë 730 të rinj të moshës 15 deri 24 vjeç në Kosovë, nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në ndonjë trajnim dhe të njëjtit përbënin 29.8 % të popullsisë së re.

Reklama e sponzorizuar

E meshkujt kanë një përqindje më të lartë të mosshkollimit prej 29.9% apo 51 mijë e 147 të rinj, në krahasim me femrat të cilat përbëjnë 29.6% të popullsisë së re që nuk janë të angazhuar në arsimim, e si rrjedhojë as në punë. Gjithsej në numër janë 47 mijë e 583 të reja të pashkolluara e të papuna, përcjell Buletini Ekonomik.

Përveç kësaj, sipas ASK-së, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/