Kosova përmbyll vitin 2021 me rreth 125 mijë të papunë

Viti 2022 e gjen Kosovën me një shkallë të lartë të papunësisë. Madje njërën prej shkallëve më të larta në gjithë rajonin ballkanik. Shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2021, ishte 25.8%. Si rrjedhojë, rreth 125 mijë persona janë të papunë në vendin tonë.

Mirjeta SHABANI

Dy të tretat e gjithë popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Por, 124 mijë e 657 njerëz nga mosha 15 deri në 64 vjeç figurojnë si të papunë në Kosovë. Prej tyre, rreth 40 mijë janë vetëm të rinj të moshës 15 deri 24 vjeç që nuk janë të sistemuar në tregun e punës. Këto shifra të të papunëve në Kosovë përkthehen në një përqindje prej 25.8%, që tregon në tërësi shkallën e papunësisë.

Reklama e sponzorizuar

Popullsia në moshë pune gjatë tre muajve të parë të vitit 2021, ka qenë 1 milionë e 202 mijë e 489 persona. Prej tyre, si fuqi punëtore apo persona aktivë për punë ishin 483 mijë e 823 njerëz, kurse joaktivë figuronin 741 mijë e 657 veta. Prej kategorisë së fuqisë punëtore aktive, të punësuar ishin 359 mijë e 167, ndërsa të papunë ishin 124 mijë e 657 mijë.

Ndërkohë, përpos fuqisë punëtore deri në 64 vjeç, pjesë e tregut të punës janë edhe të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç, që janë gjithsej 77 mijë e 659 të rinj. Nga ta, të punësuar evidentohen 39 mijë e 889 veta, kurse të papunë janë ende edhe 37 mijë e 770 veta. Shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve prej 15-24 vjeç, në tremujorin e parë të vitit 2021, ishte 48.6 për qind.

Sipas rezultateve të dala nga raporti i ASK-së për tremujorin e parë 2021, nga e gjithë popullsia në moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 39.5%. Shkalla e punësimit sërish ishte më e lartë për meshkujt sesa për femrat, me ç’rast 42.8 % të meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 15.9 % të femrave po ashtu në moshë pune. Në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2020, në Kosovë ka pasur rënie të shkallës së punësimit me 0.9%.

Këto janë shifrat më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për tregun e punës në vendin tonë, pasi e njëjta nuk ka publikuar ende raportet edhe për tremujorët e tjerë të këtij viti.

Më tutje, shkalla e punësimit sipas grupmoshave ishte më e larta në mesin e personave të moshës mes 35-44 vjeç (39.9%) dhe më e ulëta në mesin e të rinjve 15-24 vjeç (12.0 %).

Ndërsa, sa i përket të punësuarve me kontrata, nga raporti i ASK-së del se 44 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Ndërkaq, përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 14.3 % e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme. Punëtorët në punë të paqëndrueshme ishin ose persona të vetëpunësuar pa punonjës, ose ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar. Këto dy grupe punëtorësh kishin gjasat më të ulta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me pagesë dhe rrogë. Shprehur në numra absolutë, 51,327 persona nga 359,167 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm.

Ndryshe, pagat neto të shumicës së punonjësve në këtë periudhë në Kosovë ishin midis 400 deri 500 euro në muaj. /Buletini Ekonomik/