Kush është përgjegjës për krizën aktuale energjetike në Kosovë?

Mehmet Gjata

Nuk ka diskutim se për dështimet një pas një në energjetikë, fajin e ka qeverisja e keqe, e padijshme dhe ç’është më keq, e korruptuar me sektorin e energjetikës në nivelin institucional në dy dekadat e shkuara. Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit (qymyrit të bollshëm në sipërfaqe të tokës), që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij.

Mehmet GJATA

Prishtinë, dhjetor – Tani, pas shpërfaqjes “për lëndinë” të krizës energjetike edhe në vendin tonë, vrullshëm, pa një pa dy, dolën shumë veta, të dijshëm dhe politikisht të ndikuar, por edhe të padijshëm vetëm sa për të thënë diçka, ose për të t’u bërë protagonistë në rrjetet sociale, të cilët identifikuan fajtorin për gjendjen e krizës elektroenergjetike, për rikthimin e reduktimeve goxha ekstreme (të mos kesh dy orë e më shumë rrymë gjatë ditës është reduktim i egër dhe ekstrem). Kush tjetër pos qeverisë aktuale, asaj Kurti 2.

Disa nga të “diturit dhe nga të gjithëditurit”, madje ironizuan me krekosje se “nuk deshët termocentral të ri dhe nuk deshët gazin dhe tani e keni terrin” etj. Dhe pa e zgjatur për të përmendur teza e teza të të “gjithëditurëve” për fajin e kësaj qeverie për krizën aktuale, pa asnjë hamendësim dhe pa asnjë dilemë, them se edhe për gjendjen aktuale energjetike, fund e krye janë fajtore të padiskutueshme qeveritë e deritashme që nga viti 2000. Pra, nuk ka diskutim se për dështimet një pas një në energjetikë fajin e ka qeverisja e keqe, e padijshme dhe ç’është më keq, e korruptuar me sektorin e energjetikës në nivelin institucional në dy dekadat e shkuara.

Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit (qymyrit të bollshëm në sipërfaqe të tokës), që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij. Për të qenë i saktë me pohimet e shpërfaqura edhe në këtë tekst, do të paraqes kronologjikisht dështimet ndër vite, që nga 2000-ta e deri më 2020-n, aq sa lejojnë mundësitë të paraqiten në një tekst, qoftë edhe analitik gazetaresk. Që në ditët e para të pasluftës, të alarmuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe kriza që i kanosej me shpejtësi Kosovës nga pasojat e mospasjes mjaftueshëm rrymë për konsumin e vendit, kur terri në njëfarë mënyre kërcënoi ta kolapsonte vendin, njohësit e proceseve ekonomike dhe zhvillimore kërkuan me ngulm nga zyrtarët dhe auroritetet vendimmarrëse që prioritet mbi prioritetet e institucioneve të Kosovës, të jetë ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik, edhe para autostradës së kombit dhe para zbatimit të procesit të privatizimit. Pak a shumë, atëherë ishin identifikuar nevojat për kapacitetet e reja energjetike.

Në dokumente të ndryshme zyrtare thuhej se synimet e politikave qeveritare, të prezantuara edhe në të gjitha Strategjitë e Energjisë së Kosovës, përveç planeve për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike, kanë për qëllim edhe përfshirjen e sektorit privat në projektet infrastrukturore të TC-ve të reja ku do të përfshiheshin zhvillimi, dizajni, ndërtimi, financimi, pronësia, mirëmbajtja dhe operimi në përputhje me standardet dhe kriteret ndërkombëtare. Shumica e ideve dhe vizioneve parashihnin ndërtimin e një termocentrali të ri, meqenëse Kosova kishte shumë thëngjill dhe rezerva të mjaftueshme të tij për periudha më të gjata (rezervat e linjitit vlerësohen të jenë të mjaftueshme për të furnizuar energjetikën kosovare disa qindra vjet të ardhshme, ose siç vlerësohet në shumicën e studimeve Kosova ka mbi 14 miliardë tonelata qymyr të mundshëm për t’u eksploatuar).

Ekspertët e shumtë pretendonin të ndërtohej urgjentisht një termocentral i ri. Më të ekuilibruarit e parashihnin si të domosdoshëm një termocentral me fuqi diku rreth 500-600 megavatësh. Ndërsa pati të tillë, sish nga euforikët, madje edhe autoritete deri të ministrat, që ishin përcaktuar definitivisht për ndërtimin e një megatermocentrali, ose një numri sish, me fuqi deri në 2.100 megavatësh, pa pasur, siç duket, fare parasysh, se çdo të bëhej me popullsinë, pra me kosovarët që jetojnë e gjallojnë mu në afërsi të drejpërdrejtë të këtij shkatërruesi potencial të ambientit, florës, faunës dhe ajrit e ujërave të Kosovës (një nga përkrahësit e këtij megaprojekti që gjithsesi do të ishte shkatërrues i ardhmërisë së Kosovës, ka qenë dhe vazhdon të jetë sot e kësaj dite ish-ministri Ethem Çeku).

Një variant i mesëm, po në vazhdën e kërkesave për kapacitete të reja energjetike ishte ndërtimi i një TC-je me fuqi 1000-1.200 megavatë-orësh. Pas “rënies në ujë” të të gjitha këtyre parashikimeve, në të shumtën me fajin e vendimmarrësve tanë, më në fund Qeveria e Kosovës i dha kompanisë ContourGlobal statusin e ofruesit të preferuar në vitin 2015 për zhvillimin e termocentralit të ri me kapacitet 2 herë 300 megavatë, të emërtuar si ‘Kosova e Re’.

Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal në ndërkohë nënshkruan Marrëveshjet Komerciale për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re në dhjetor të 2017-s, u saktësuan edhe afatet e ndërtimit. Nga qeveritarët u tha se Termocentrali ‘Kosova e Re’ do t’i sjellë vendit furnizim të besueshëm me energji si themel për investime në të ardhmen të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ndërtimi i impiantit do të krijojë mundësi për vende të reja pune, si dhe punësim afatgjatë me të filluar operimi i impiantit. Dhe prap nuk u bë asgjë.

Siç dihet, edhe ky projekt ka dështuar tashmë. Kosovën e re në këtë variant, pos ish-qeveritarëve të cilët e mbrojtën me ngulm dhe pa bindje, të gjithë kosovarët e tjerë, praktikisht e refuzuan. Kundër tij ishin shoqëria civile në radhë të parë, ekspertët, njohësit e zhvillimeve energjetike, por edhe institucionet financiare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat e shihnin projektin si shumë të dëmshëm financiarisht për Kosovën dhe si të tillë edhe një ndër gjeneruesit e ardhshëm potencial të krizave financiare që do ta kaplonin vendin.

 

Pse dështuan të gjitha këto projekte për ndërtimin e një kapaciteti elektroenergjetik në Kosovë?

Në vitet e para pas luftës, në opinion ishte krijuar përshtypja se, më në fund, autoritetet kosovare janë vetëdijësuar për urgjencën e ndërtimit të një termocentrali të ri. Iu hap dera atëbotë edhe investitorëve ndërkombëtarë. Dhe interesimi i kompanive të fuqishme nga bota nuk mungoi, as asistenca teknike ndërkombëtare (Banka Botërore, Komisioni Europian dhe USAID-i). Disa ofertues serioz, në ato vite hapën zyra në Prishtinë për të treguar seriozitetin e tyre për të qenë konkurrentë në ndërtimin e këtij projekti. Por, shumë shpejt u pa se të gjitha këto kishin qenë vetëm iluzione. Sepse, shi kur mendohej se gjithçka shkonte vaj, dy konzorciume prestigjioze gjermane “RËE” dhe “EnBË” me partnerin e saj amerikan “ËGI”, njëra nga të cilat ishte instaluar në kryeqytet me zyra dhe personel të përgatitur, u tërhoqën nga gara e procesit të tenderimit. Kur tek pastaj u tërhoq edhe CEZ-i çek, pretenduesi i tretë për ta ndërtuar termocentralin e ri, u bë e tejdukshme se këto synime po dështonin ende pa nisur.

Me fajin tonë, të vendimmarrësve të atëhershëm, të cilët me hezitimin e tyre të pakuptueshëm, pa aftësinë profesioniste, kalkulimet e gabueshme dhe ç’është me e keqja me kërkesa të turpshme për t’u korruptuar, praktikisht dëbuan ofertuesit më seriozë që ndonjëherë kishin ardhur në Kosovë. Dhe tani dëgjohen zëra pse nuk u ndërtua për këta muaj një termocentral, sikur të ishte ai një lodër fëmijësh që bëhet sa çel e mbyllë sytë.

Ndërsa dihet që një termocentral, përafrsisht sa Kosova B, edhe po t’i kesh miliardat e botës në trezorët e Kosovës, nuk mund të bëhet, në rrethanat më optimale para 4-5 vjetësh.

Gabim fatal dhe i kushtueshëm për nga pasojat ishte edhe privatizimi i Distribucionit me çmim 26,3 milionë euro, dhe sipas politikave të djathta, sipas të cilave “privatizimi zgjidhë problemet me shërbime publike”. Ka kohë që është dëshmuar sa e keqe ishte kjo shitje, ky privatizim pra. Dhe për shkak të këtij privatizimi diskutabil dhe të keq, tashmë për ditë e më shumë po dëgjohen zëra, sikundër që ishte edhe ai i djeshmi i një analisti kosovar që “KESCO dhe KEDS duhet të nacionalizohen për të funksionuar parimet: kur ka fitim ta ndajmë atë, kur ka humbje t’i ndajmë edhe ato, e jo kështu – fitimi i tyre, ndërsa humbja e jona, sikundër edhe shërbimi katastrofik, kur futemi në orën e 14-të pa rrymë”.

Tashmë nuk ka më dilema se për këto dështime fajin e patëm ne, vetëvetja, pra qeverisja e keqe, miope dhe fare e padijshme me sektorin e energjetikës në nivelin qeveritar të deritashëm. Dhe për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit, që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij në 20 vjetët e shkuara.

Sidoqoftë, Kosova sot e kësaj dite, 21 vjet pas përfundimit të luftës ka mbetur vetëm me kapacitetet Kosova A dhe B, të cilat kanë gjithsej fuqi të instaluar diku rreth 1.300 megavatë-orë, por që tashmë me vite, edhe pas rivitalizimeve të shumta dhe të shpeshta, prodhojnë në ditët më të mira diku 700-800 megavatë-orë.

Ndërkohë, konsumi aktual i Kosovës, thuaja pa asnjë kapacitet industrial (tani kur nuk funksionon as Ferronikeli, ndërsa mbase kohë pas kohe funksionon pjesërisht vetëm ndonjë repart i Trepçës), gjatë muajve të verës është pak a shumë sa prodhimi, ndërsa muajve të dimrit dhe kohës së pikut edhe në muajt e verës, ka mungesë të theksueshme të energjisë elektrike dhe kjo mungesë përmbushet nga energjia e importuar.

Sipas KEDS-it, gjatë këtyre ditëve të ftohta konsumi kosovar i energjisë elektrike di të shkojë edhe në 1,150-1,250 megavat-orë. Në këtë mënyrë, pa elaboruar më shumë, Kosova tashmë gjendet në krizë jo të paktë dhe të vogël, ose në prag të ndonjë krize të madhe energjetike. Duhet thënë se që nga fillimi i pasluftës, jo pak zëra preferonin me shumë arsyetime, që për tejkalimin e krizës energjetike të rivitalizohej tërësisht, madje thuaja të rindërtohej si tërësi kompleksi i termocentraleve “Kosova A”, blloku i parë i të cilave ka filluar punën që në vitin e largët 1960. Pati të tillë që kishin kërkuar që në TC “Kosova A” të mbesin vetëm muret dhe eventualisht oxhaqet ekzistuese, ndërsa të tëra stabilimentet tjera të vendosen fare të reja dhe nga teknologjitë e fundit. Dhe, para disa muajsh, rivitalizimi i TC “Kosova A” , ose rindërtimi i saj, siç po thuhet tani, si mundësi e tejkalimit të krizës energjetike për dhjetëra vjet, u riaktualizua sërish nga Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut dhe nga Qeveria Kurti.

Në fakt, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut tashmë ka marrë vendimin për nisjen e procedurave për rindërtimin e termocentralit ‘Kosova A’. Në mungesë të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, rehabilitimi i Kosovës A ishte opsioni, mbase i vetëm që do të garantonte qëndrueshmëri energjetike.

Riaktualizimi i rivitalizimit të termocentraleve “Kosova A” për shumë kosovarë, ndër ta edhe jo pak ekspertë të energjetikës ishte i pranueshëm dhe madje, lajm i mirë, nëse bëhet mirë, nëse respektohen në përpikëri dhe saktësisht standardet ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit dhe nëse bëhet pa humbur kohë. Dhe pastaj janë dëgjuar goxha shumë arsyetime të ekspertëve dhe njohësve të rrethanave, se me këtë Kosova do të kursente shumë para. Sipas tyre, pas dy dekadash, energjia nga burimet gjeneruese do të jetë parësore edhe në Kosovë, prandaj deri atëherë të ketë një zgjidhje, qoftë e përkohshme që do të furnizonte mjaftueshëm Kosovën me rrymë.

Megjithatë, popullata e Kosovës, e sidomos kryeqytetasit, që jetojnë në afërsi të drejtëpërdrejtë me “Kosovën A”, por edhe përfaqësues të asociacioneve kompetente ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, edhe pse duan të kenë energji elektrike të bollshme, nuk e fshehin frikën e ndotjes së ambientit, e ç’rregullimit të ekuilibrit ekoloogjik në afërsi të drejpërdrejtë të Prishtinës së mbipopulluar, që deri tash po nga ky termocentral është ndotur jashtë çdo standardi.

Kërkohet përkujdesje dhe insistim që gjatë rivitalizimit të TC “Kosova A” të zbatohen të gjitha kriteret, standardet dhe rregullativat ligjore ndërkombëtare (konventa e Aarhusit, protokolli i Kyoto-s etj.). Shkurt, kryeqytetasit kërkojnë maturi, studime të thella dhe të gjithanshme për këtë projekt, verifikim të stabilimenteve eventuale të reja, të cilat do të instaloheshin në termocentralin e rehabilituar. Gjithsesi, nuk do të ishte zgjidhje fatlume të veprohet sipas maksimës “ose rivitalizimin e Kosovës A, ose terrin, gjegjësisht krizën energjetike”, që ka kohë po troket në derë.

Tani, pas rekomandimeve të fundit të G20-shit dhe të ripërsëritura gjithandej nga institucionet relevante energjetike botërore, dhe fare të ditura rreth “Jo”-së së fortë për të investuar më në energjinë e prodhuar nga qymyri, rindërtimi i ‘Kosovës A’, kushtimisht bëhet problematik. Si do t’i përballojë Kosova këto restriksione dhe përkufizime shumë sfiduese për vendin tonë, aq më parë kur dihet se edhe për shumë vjet te ne qymyri ishte i paraparë si burimi qenësor për prodhimin e energjisë elektrike?

Kjo është sfida e qeverisë aktuale, jo dështimet e deritashme. Ato, huqjet evidente pra, ato të deritashmet, kanë emër dhe mbiemër dhe nuk është mirë të heshten, të harrohen dhe të anshkalohen duke fajësuar të tjerët për fajin e pabërë. Përballja me krizën energjetike të shpërfaqur këto ditë ashpër edhe në Kosovë, si dhe me ndalesat e shumta dhe paralajmërimet e panumërta për ndalesa shtesë të reja ndaj përdorimit të qymyrit si burim energjetik, janë detyrat që presin qeverinë aktuale. Siç janë detyra me urgjencë përpjekjet dhe investimet për të zëvendësuar kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme, të cilat tani për tani Kosova i ka fare pak, thuaja simbolike. Qeveria Kurti duhet të jetë shumë më ekspeditive dhe më këmbëngulëse për të kërkuar përkrahje edhe financiare edhe me projekte energjetike nga Organizatat ndërkombëtare, posaçërisht Banka Botërore, AER-i, USAID-i, ndihma e të cilave është më se e domosdoshme për të ndihmuar dhe këshilluar Qeverinë Kurti dhe ministrinë përkatëse në drejtim të sigurimit të më shumë opsioneve zhvillimore të energjetikës, dhe më shumë projekte alternative që do ta adresonin krizën aktuale energjetike, duke i siguruar përmirësim të dukshëm situatës së vështirë mjedisore të krijuar nga termocentralet. Këshillimet dhe sugjerimet e eksperiencës ndërkombëtare në energjetikë duhet t’i kërkojë pa asnjë hezitim dhe pa asnjë vonesë Qeveria aktuale, së paku për ta pasur ndërgjegjen e pastër.

Qeveria Kurti do të duhej të ishte gjithsesi më konsekuente dhe të mos binte pre kaq e lehtë e shantazheve të turpshme dhe agresive të tregtarëve të rrymës, as e shantazheve, siç është kjo me rikthimin e reduktimeve të ashpra të rrymës sy uvertyrë e ditur dhe e tejduukshme për ta ngritur çmimin e energjisë elektrike të kërkuar me muaj dhe pareshtur nga KEDS-i. Të tjerat faje, t’u mvishen atyre që i kanë bërë ato. /Buletini Ekonomik/