Bota ulë çmimet e shumë produkteve, Kosova vazhdon trendin e ngritjes

Trendin e kaosit dhe zhvillimeve të egra, shumica e tregtarëve kosovarë, të njohur tashmë nga ngarendjet e tyre për t’u pasuruar me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete, e kanë vazhduar edhe në këtë vit në periudhën të cilën e trajton ASK-ja (janar – mars). Ata, duke synuar mbi fitime edhe në periudhën e tremujorit të parë të këtij viti kanë ngritur në përqindje të mëdha çmimet e produkteve të importuara.

 Mehmet Gjata

Pas publikimit të këtoditshëm të statistikave për çmimet e importit (të shumë produkteve që importon Kosova) nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2023, dalin sheshit ecuritë e çregulluara dhe jo normale në sektorin e çmimeve në Kosovë, që po vazhdojnë që nga pandemia e Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase.

Reklama e sponzorizuar

Që nga kjo kohë, rreth 1,5 vjet e më shumë në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi duke mos përfillur nga tregtarët e pandërgjegjshëm në asnjë moment ligjshmërinë e tregut, në radhë të parë me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore.

Për fat të keq, trendin e kaosit dhe zhvillimeve të egra shumica e tregtarëve kosovarë, të njohur tashmë nga ngarendjet e tyre për t’u pasuruar me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete, e kanë vazhduar edhe në këtë vit në periudhën të cilën e trajton ASK-ja (janar – mars). Ata, duke synuar mbi fitime edhe në periudhën e tremujorit të parë të këtij viti kanë ngritur në përqindje të mëdha çmimet e produkteve të importuara. Këto rritje, sipas të dhënave të ASK-së, janë jashtë çdo logjike të tregut, por edhe të frikshme, kur dihet se në tregjet e botës, edhe në ato prej nga importojnë tregtarët e Kosovës, sivjet ka ulje të ndjeshme të çmimeve të shumicës absolute të produkteve dhe paralajmërime për zbritje edhe më të mëdha të çmimeve aktuale.

Por, për të qenë më konkret, të shohim se çka dëshmojnë të dhënat e Indeksit të Çmimeve të importit, të bëra publike para dy-tre ditësh nga ASK-ja. Sipas këtyre të dhënave, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 8.6%.

Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (25.2%); letra dhe artikujt e saj (21.2%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (17.7%); vajrat ushqyese (14.6%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (13.0%); produktet minerale (12.8%); produktet e industrive kimike (9.2%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (7.7%); këpucët (7.4%); mjetet e transportit (7.1%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (6.4%); druri dhe artikujt e tij (6.3%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (5.7%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (4.4%); dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (1.6%). Ngritja thuhet se u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: lëkura dhe artikujt e saj (-4.3%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (-1.5%); si dhe metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1.3%). Sipas statistikave të ASK-së, çmimet e importit u rritën për 1.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023 edhe krahasuar me tremujorin e katër të vitit 2022.

Dhe, kur në mbarë botën shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërmuese të produkteve, ndërsa këtu në tregun tonë evidentohen çmime të ngritura me përqindje 25,2%, 21,2%, 17,7%….

Doemos shtrohet pyetja se pse në vendin tonë, ndër më të varfërit në rajon dhe përtej, vazhdon të mbretërojë tendenca anarkike në fushën e çmimeve. Pse tregtarëve të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, të cilët po ngarendin të shftytëzojnë situatën, përqëndrimin e vëmendjes në gjendjen aktuale politike, nuk ka kush t’u dal përpara. Dhe së fundi, pse gjithë ky mosangazhim, neglizhencë e paparë e autoriteteve në krye të shumë dikastereve kompetente, për të inspektuar ecuritë e çmimeve në tregun tonë.

S’do mend, se situata politike në vend, e rënduar sidomos pas ofensivës diplomatike të BE-së dhe të SHBA-së dhe trysnisë së tyre ndaj Kosovës për ta formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe pas trazirave në veri të vendit, kanë margjinalizuar dhe kushtimisht kanë qitur në plan të dytë thuaja të gjitha zhvillimet e tjera shqoqërore e ekonomike. Është e kuptueshme, mbase, vëmendja e madhe dhe e tejdukshme e institucioneve më të rëndësishme të vendit ndaj zhvillimeve politike tash e sa muaj, dhe, në një farë mënyre, edhe anashkalimi i çështjeve të rëndësishme shoqërore, sidomos atyre zhvillimore, ekonomike e financiare.

Mirëpo, nuk është fare e kuptueshme, që përqëndrimin e krerëve shtetëror në situatën politike aktuale, përgjegjësit e dikastereve kompetente përkatëse për t’u përballur me çështjet ekonomike, financiare e sociale po e shfrytëzojnë skajshmërisht për rehatinë e tyre personale, duke i ikur përballjeve me problemet e paraqitura, por edhe me përmbushjen e objektivave që dalin nga dokumentët e miratuara dhe nga premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë marrjes së detyrave me ardhjen në pushtet.

Në këtë mënyrë, në këto kohë, praktikisht në sektorin e çmimeve, sikundër edhe në disa sektorë të tjerë vital dhe me interes jetik për shoqërinë, në mungesë të mbikëqyrjes së përgjegjshme dhe të domosdoshme nga “eprorët”, sikur po legjitimohet dominimi i anarkisë dhe kaosit, duke shkaktuar dëme të pariparueshme proceseve të konsolidimit të shtetit.

Duhet konstatuar se anarkia e çmimeve rifilloi që në ditët e para të 2023-tës, për të nos u ndalur asnjë ditë dri më sot. Më konkretisht, ngritje e re e vrullshme çmimesh ka nisë që në ditën e parë pas festës së Vitit të Ri. Që nga e hëna, 2 janar 2023, qytetarët e Kosovës u përballën me çmime të reja të ngritura befasisht, në ditën e parë pas festës, të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve që lëndë të parë kënë qumështin.

Dhe ky trend i shpërthimit të egër të çmimeve i të gjitha produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumica e kosovarëve të varfër nuk po ndalet ende, sot e kësaj dite, edhe pse tregjet e botës kanë zënë tashmë të ulin çmimet e shumë produkteve. Në mbarë botën tashme çmimet e energjisë elektrike janë ulur edhe me nga 4-5 herë krahasuar me periudhën e shpërfaqjes së krizës energjetike në botë dhe çmimeve që atëbotë shkuan në stratosferë.

Në Kosovë, mbrenda 13 muajve të fundit janë ngritur çmimet e energjisë elektrike dy herë. Në prill të këtij viti, kur në disa shtete të botës ranë për toke çmimet e rrymës, te ne është rritur çmimi i energjisë elektrike 15 për qind. Në Kosovë, pra po vazhdon të ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nis trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit.

Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Nuk pati ndonjë efekt në parandalimin e ngritjës abuzive të çmimeve as nga premtimet e panumërta të dhëna publikisht të autoriteteve më të larta të vendit për ndërmarrjen e masave ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale. Këtë po e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit të ASK-së. /Buletini Ekonomik/