Buxheti i votuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës ka paraparë shkurtimin e buxhetit në fushën e Shëndetësisë prej 231.5 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 195.5 milionë për vitin që po vjen.
Në dokumentin Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, të publikuar si dokument në faqen e Ministrisë së Financave, Ministria e Shëndetësisë do të ketë në dispozicion 61,3 milionë euro, përkatësisht 35,8 milionë euro më pak sesa ai i këtij viti. Përgjatë vitit 2021, MSH-ja kishte në zotërim 97,1 milionë euro për një vit, raporton lajmi.net.
Buxheti i paraparë nga Qeveria në kuadër të investimeve kapitale të MSH-së për vitin 2022 janë shkurtuar për gati trefish më shumë në krahasim me atë të vitit 2021. Në vitin 2021, Qeveria kishte ndarë 32 milionë për shpenzime kapitale, derisa për vitin 2022 janë paraparë 11 milionë euro në këtë pjesë.
Megjithatë, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) iu janë ndarë 23 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar. Përgjatë këtij viti, SHSKUK-së ia kanë kushtuar 127 milionë për një vit, derisa në vitin e kaluar Qeveria kishte ndarë 104 milionë sosh.
Shkurtim buxheti është paraparë edhe në fondin e sigurimeve shëndetësore, ku nga 7,9 milionë euro sa ishin për vitin e kaluar, janë ndarë vetëm 6,8 milionë sosh.
Rritjet janë vërejtur në paga dhe mëditje në këtë dikaster. Për vitin 2022, në Ministrinë e Shëndetësisë janë ndarë 9,245,123 milionë euro për paga dhe mëditje, derisa në vitin e kaluar ishin të ndara 7,07,582 milionë sosh.
Lajmi.net ka kontaktuar nëpërmjet e-mailit Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me çështjen e shkurtimit buxhetor dhe është në pritje të një përgjigjeje.
Si prioritare Shëndetësinë e proklamonte kreu i ekzekutivit, Albin Kurti. Në seancën e ftuar që të votohej për projektbuxhetin e vitit 2022 dhe të debatohej për të, ai thoshte se ky buxhet ka prioritare shëndetësinë e arsimin.
“Për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni, që ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete”, deklaronte Kurti në Kuvend.
Në mbledhjen e ftuar për votimin e projektbuxhetit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, anëtari i këtij komisioni, Avdullah Hoti, njëherësh edhe deputet nga radhët e LDK-së, e ka paraparë si problematike shkurtimin e buxhetit në fushën e Shëndetësisë.
Në një analizë buxhetore të vitit 2021 të përgatitur nga Drejtoria për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv Kuvendi i Republikës së Kosovës, të përkrahur nga USAID-i, njoftonte për buxhet më të shkurtuar në krahasim me vitin 2020 në fushën e Shëndetësisë.
“Projektbuxheti 2021 parasheh një buxhet për shëndetësi (që përfshinë Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, dhe Grantin për Shëndetësi për komuna), prej 231.5 milionë euro, gjë që është 39.3 milionë euro apo 15% më pak se sa në buxhetin e rishikuar të vitit 2020. Reduktimi më i madh vjen si pasojë e shkurtimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, e cila pritet të ketë 25.5 milionë euro më pak krahasuar me buxhetin e rishikuar 2020”, shkruhej në analizë.
“Shuma e ndarë sipas projektbuxhetit për vitin 2021 për shëndetësi si përqindje e BPV-së është 3.2%. Prej të dhënave më të fundit të vitit 2017, vendet e rajonit shpenzojnë një përqindje më të madhe në shëndetësi si për shembull Shqipëria 4%, Serbia 5%, Maqedonia e Veriut 4%, dhe Bosnja dhe Hercegovina 6%”, thuhej ndër të tjera në shkrim.
Buxheti për vitin 2022 pritet të votohet në lexim të dytë në dhjetor të këtij viti në Kuvendin e Kosovës.