Rizvanolli: Është e pakuptimtë që çështja e projektit të gazit të lidhet me ngritjen e çmimit të energjisë

Artane Rizvanolli-Ministre e Ekonomisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për krizën energjetike, ka thënë se është e pakuptimtë të mendohet se çështja e refuzimit të projektit të gazit të ketë ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Këtë përgjigje, Rizvanolli ia dha deputetit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Sipas Rizvanollit, kriza për energji që po përballet bota dhe rajoni është gjendje e jashtëzakonshme dhe është shkaktuar prej çmimeve të gazit. Mirëpo, ajo thotë se Kosova ka qëndruar mirë deri më tani sa i përket kësaj krize, pasi kërkesën e ka mbuluar nga kapacitetet vendore.

Reklama e sponzorizuar

“Pyetja si do ta kalojmë dimrin është shumë valide, por lidhja që po e bëni me gazin dhe countor globalin s’është e saktë. Për këtë do të flasim më vonë. Kriza për energji që po përballet bota dhe rajoni është gjendje e jashtëzakonshme dhe është shkaktuar prej çmimeve të gazit. Me ndërtu argument për lidhjen e gazit me çmim është e pakuptimtë. Deri tash ne kemi qenë më pak të prekur se shtetet e rajonit, kemi pasur nevojë më pak nevojë për import. Shtetet e rajonit veçse kanë pasur subvencione. Ne qëndrojmë mirë dhe kemi qëndruar mirë deri tash për shkak se kemi arritur kërkesën ta mbulojmë prej kapaciteteve vendore”, ka shtuar ajo. /Buletini Ekonomik/