Sfilitja e Flotacionit të stërvjetëruar të Kishnicës

Flotacioni i Kompleksit të Minierave të Kishnicës, që shtrihet fare pranë Minierës së Kishnicës, praktikisht ngjitas me të, sado që punon akoma disi dhe me kapacitete ndjeshëm të reduktuara, duket i stërvjetruar, i amortizuar, me pajisje dhe stabilimente të përfshira nga korezioni dhe me shumë stabilimente jashtë procesit të punës.

Buletini Ekonomik tashmë në disa tekste hulumtuese e analitike ka trajtuar deri në detaje gjendjen e rëndë, ngulfatëse dhe kaotike të katër minierave të Kompleksit të minierave në Kishnicë (Minierës së Artanës, Hajvalisë, Badovcit dhe asaj të Kishnicës), si pasojë e përmbytjeve nga uji dhe si rrjedhojë e lënies në harresë dhe pa përkujdesje shtetërore në vitet e pasluftës. Nuk mund të kontestohet se në Kosovë, në vitet e pasluftës ka munguar totalisht përkujdesja ndaj sektorit të minierave. Për këtë, pos këtyre minierave që tashmë janë në gjendje të llahtarshme dhe jashtë funksionit, flet edhe gjendja e rëndë në të cilin gjendet Flotacioni i Kompleksit të Minierave të Kishnicës.

Flotacioni që shtrihet fare pranë Minierës së Kishnicës, praktikisht ngjitas me të, sado që punon akoma disi dhe me kapacitete ndjeshëm të reduktuara, duket i stërvjetruar, i amortizuar pafundësisht, me pajisje dhe stabilimente të korezuara dhe me shumë stabilimente jashtë procesit të punës. Ky flotacion gjigant dikur edhe me infrastrukturë shumë moderne të kohës kur është ndërtuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, tani ka pamje të trishtë, tronditëse dhe për punonjësit e gjeneratave më të vjetra që kanë punuar këtu, të dhimbshme. Shumëçka brenda ambienteve të Flotacionit dhe rreth e qark tij, duket e rrënuar, e brejtur nga koha dhe e sfilitur nga moskujdesi.

Reklama e sponzorizuar

Bislim Fetahu, drejtori aktual i Kompleksit minerar Artanë, Hajvali, Kishnicë, Badovc dhe i Flotacionit në Kishnicë, që deri në imtësi i njeh problemet reale të minierave dhe Flotacionit, rrëfen duke rënkuar për rënien kaq të dhimbshme të këtij Flotacioni: “Dikur ka qenë gjigant i vërtetë në këtë lëmi. Ka punuar i ndarë, i sistemuar në katër faza. Tri faza kanë përpunuar xehen e plumbit dhe një fazë ka qenë vetëm për zinkun. Tani më nuk punohet kështu. Sot e tërë xeheja, qoftë me plumb, apo me zink pasurohet bashkarisht dhe fare në fund ndahet plumbi nga zinku”.

Për mbi 60 vjet, qëkur ka nisur puna në këtë objekt kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për xeheroret e Kompleksit të Minierave të Kishnicës, nuk është investuar asnjë cent i vetëm për ripërtëritje, ose rikonstruktim të ndonjë pajisjeje, stabilimenti apo makinerie, nuk është ndërruar kurrë asnjë pajisje, nuk është bërë asnjë remont i domosdoshëm, thotë Bislim Fetahu. Prandaj, sot duket kështu Flotacioni, i lënë, i shkatërruar, i ndryshkur e i stërvjetëruar.

Gjeologu me përvojë, që ka punuar thuaja në të gjitha minierat e Kompleksit të Kishnicës, qoftë në vende udhëheqëse qoftë më pak udhëheqëse, dhe tani drejtor i këtij Kompleksi minerar, Bislim Fetahu, thotë se remonti kapital, që do të thotë thuaja rindërtimi i Flotacionit ka pasur mundësi të bëhet goxha lehtësisht që në vitet e para të pasluftës. Sepse, infrastruktura ekzistuese, ndërtesat ku janë të vendosura stabilimentet dhe pajisjet dhe infrastruktura e domosdoshme përcjellëse janë ende të përdorshme, madje të mira dhe të qëndrueshme qind për qind.

Në tërë kompleksin e infrastrukturës ka qenë, dhe është e nevojshme të bëhet vetëm zëvendësimi i xhamave të thyer dhe ndonjë suvatim dhe ngjyrosje eventuale. Ndërsa, ka pasur shumë investitorë të interesuar nga jashtë në remontin e pajisjeve, ka pasur edhe oferta konkrete, por pakuptueshëm nuk është përfillur asnjë nga këto oferta, thotë Fetahu.

Kanë qenë të interesuar izraelitët me përfaqësues nga Kosova dhe të tjerë për të rindërtuar Flotacionin, dhe nuk është bërë asgjë deri më sot. Njësoj i vjetër, i amortizuar dhe goxha i dëmtuar ka qenë edhe Flotacioni në Leposaviq ku është bërë pasurimi i xehes së minierave në Cërnac dhe Bello Berdo, por sot ai funksionon sikundër të jetë fare i ri.

Në Flotacionin e Leposaviqit janë investuar vetëm 2 milionë euro për ta sjellë në gjendjen e tanishme, mjete këto të investuara nga finlandezët. Në vitet kur është bërë rehabilitimi dhe rekonstruktimi i Flotacionit të Leposaviqit, fare lehtë ka mundur, pak a shumë me të njëjtën kosto, të bëhet edhe rehabilitimi i Flotacionit të Kishicës.

Sipas drejtorit, edhe sot rehabilitimi i këtij objekti industrial mund të bëhet fare lehtë dhe me jo shumë para. Edhe sot ka të interesuar që të bëhet kjo punë, qoftë me partneritet publiko-privat, qoftë me investime të jashtme. Dhe ky Flotacion është më shumë se i rëndësishëm për këto miniera, që ndonjëherë sigurisht që do të riaktivizohen, edhe pse deri tash “as që u kujtua kush ndonjëherë të bëjë një përpjekje më të voglën për ta shpëtuar Kishnicën”, thotë i indinjuar skajshmërisht drejtori.

Flotacioni do dorën e njeriut për t’u rimkëmbur dhe për t’iu shërbyer minerave të këtushme, atyre aktive dhe atyre që ndonjëherë do të aktivizohen, për të pasuruar xehen e plumbit dhe zinkut, që do të vinte nga to. Bislimi thotë se “kur ka mundur Flotacioni i Leposaviqit të rindërtohet me vetëm 2 milionë euro, pse mos të mund të rimëkëmbet Flotacioni i Kishnicës, qoftë edhe me dyfishin, trefishin apo edhe katërfishin e këtyre mjeteve, e që edhe për shtetin e varfër të Kosovës, nuk janë mjete që nuk mund të sigurohen”. /Buletini Ekonomik/