Objektivi i kushtëzuar që deri më 2030 të arrihet 30 përqindshi i energjisë së rinovueshme për nevojat e vendit mund të arrihet nëse pa humbur asnjë çast kohë, duhet të nis implementimi i parashikimeve: Të identifikohen qartësisht dhe saktësisht vendet e mundshme për energji të ripëtritshme dhe të ftohen dhe të joshen investitorët. Ftesa ndaj investitorëve nënkupton hapjen e të gjitha dyerve për ta, ofrimin e të gjitha lehtësirave të mundshme dhe garancinë për investimet e tyre.
Mehmet GJATA
Kosova ka parashikime ambicioze për zhillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike. Strategjia e Kosovës, sipas vendimarrësve dhe zyrtarëve kompetentë të kësaj fushe, do të jetë mjaft optimiste në vendosjen e caqeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe në rritjen e efiçiencës së energjisë në industri dhe amvisëri. Ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, kohë më parë në disa paraqitje publike, duke shpalosur vizionet e Kosovës për energjinë rinovuese, tha saktësisht se “sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050″. “Për qytetarët e për planetin tonë, ne duhet të sigurohemi që të kontribuojmë për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike”, tha ajo.
Kur i ke parasysh këto numra dhe shifra, që brenda një dhjetëvjeçari parashihen të arrihen në përmbushjen synimeve dhe vizioneve të Kosovës për energji të rinovueshme, s’ka si mos të shtrohet pyetja: A do të ia del Kosova që për dhjetë vjetët e ardhshëm të ndërtojë, pra të ketë kapacitete për të prodhuar 30 për qind të energjisë elektrike të rinovueshme për nevojat e konsumit të vet.
Në bazë të ecurive të deritanishme në zhvillimet energjetike kosovare, gjegjësisht në bazë të të dhënave konkrete të zhvillimit të sistemit elektroenergjetik të vendit në këto 21 vjet e sa pas luftës, mund të thuhet se këto synime janë vështirë të realizueshme. Pati ambicje dhe parashikime jo të pakta për këto vjet, u sheshuan projekte e projekte për kapacitete elektroenergjetike si nevojë imediate për vendin, por, siç dihet, dhe siç ka informuar detajisht në disa raste Buletini Ekonomik, të gjitha këto vizione kanë dështuar, “ranë në ujë” dhe Kosova megjithë resurset e pashterrshme të qymyrit mbeti pa asnjë objekt të ri për prodhimin e rrymës. Kosova mbeti pra në ‘mëshirën” e termocentraleve të stërplakura dhe të stëramortizuara Kosova A dhe Kosova B, të ndërtuara në vitet e 60-ta dhe të 70-ta të shekullit të kaluar.
Më konkretisht, për dështim të faktorit njeri, më konkretisht për dështim të zyrtarëve dhe vendimmarrësve të deritashëm, Kosova ka mbetur kështu si është, e rrezikuar gjithnjë dhe përditë nga rëniet e paparashikuara të blloqeve të kapaciteteve të veta të plakura jashtë mase dhe me rrezikun permanent për t’u kushtëzuar furnizimi i konsumit kosovar nga rryma me çmime stratosferike nga importi. Por, me qasje serioze, të vemendshme dhe të përgjegjëshme gjithçka është e mundshme të arrihet, ndaj edhe objektivi që deri më 2031 të arrihet 30 përqindshi i energjisë së rinovueshme për nevojat e vendit.
Me këtë nënkuptohet që pa humbur asnjë çast kohë, duhet të nis implementimi i këtyre vizioneve: Të identifikohen vendet e mundshme për energji të ripërtritshme dhe të ftohen investitorët. Ftesa ndaj investitorëve nënkupton hapjen e të gjitha dyerve për ta, ofrimin e të të gjitha lehtësirave të mundshme dhe garancinë për investimet e tyre. Këtu mund të joshen investuesit e jashtëm. Në këtë mënyrë i ka joshur Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, po edhe Mali i Zi, që të gjitha këto, hiq Serbinë, me përvoja shumë më modeste në elektroenergjetikë se sa që kanë kosovarët.
Zyrtarët dhe vendimmarrësit duhet të qartësojnë fillimisht me vetveten saktë dhe prerë: Se Kosova nuk ka resurse për t’u mbështetur në këto vite në hidrokapacitete energjetike. Sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm për ndonjë hidrocentral të efektshëm dhe me ndikim për nga sasia e prodhuar e rrymës në konsumin e Kosovës. Por, nëse di dikush se eventualisht ka ndonjë mundësi të vetme për këtë, duhet parë pa humbur kohë dhe me analiza të saktësohet ka apo nuk ka një mundësi të tillë. Edhe kjo duhet bërë pa humbur kohë. Sepse koha ecën, 2031-shi mbërrinë sa çel e mbyllë sytë. Kosovës, hiç ujin që se kemi me bollëk, për energji të ripërtritshme më të ngutshme po i mbetën dy alternativat e tjera të mundshme: Ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme në bazë të erës dhe në bazë të paneleve solare.
Tashmë nuk ka më dyshime dhe as drojë për mundësitë e prodhimit të energjisë me erë edhe në Kosovë, që është një nga burimet e qenësishme të energjisë së ripërtëritshme, aq të kërkuar dhe sugjeruar nga bota energjetike dhe ajo financiare. Projekti 105 megavatësh, ose Parku i energjisë me erë, i përbërë nga 27 turbina me fuqi secila nga 3,45 megavatë, ose i tërë projekti me fuqi prej 105 megavatësh, i ndërtuar në Shalë të Bajgorës, është finalizuar i tëri këto ditë dhe ka nis të prodhojë enegji për sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Në prodhim gjendet tashmë e më shumë se dy vjet edhe centrali i erës në KITKë të Anamoravës. Me 9 turbinat e ndërtuara para dy vjetësh në Kitkë nga ndërmarrja ‘Gurish Holding’ nga Turqia, që kanë kapacitet gjithsej 36 megavatë, tashmë Kosova ka bashkarisht 36 turbina në bazë të erës, të cilat kanë kapacitetin 141 megavatë.
Por nuk është e gjitha kjo. Ka kohë që këtu, ekspertë vendor dhe ata nga bota, të interesuar për mundësitë e Kosovës për të prodhuar energji të erës kanë identifikuar edhe disa mjedise të tjera potenciale që mund të ndërtohen parqe të prodhimit të rryymës me erë. Pos Shalës dhe Kitkës, janë identifikuar me kohë si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të erës edhe 4 vende të tjera, e që janë Çyçavica, Zatriqi, Budakova dhe Kozhica, ku së bashku me Shalën e Bajgorës dhe Kitkën do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 megavatë. Duhet thënë se projekti i parkut energjetik në Shalë të Bajgorës hynë në projektet goxha të vështira për t’u ndërtuar për shkak të lartësive të mëdha të terrenit dhe punëve të rënda dhe të kushtueshme rreth përgatitjes së terrenit. Lartësia mbidetare e sipërfaqeve ku janë instaluar turbinat në Shalë sillet nga 1740 në 1820 metra. Dhe, sipas Atlasit të Erës të KFW-së, në Kosovë ka mundësi relativisht të mira për prodhimin e energjisë elektrike.
Poqese Kosova do sinqerisht për ta arritur objektin e 30 përqindshit të energjisë së rinovueshme deri më 2030 duhet bërë më shumë përpjekje për të shfrytëzuar këto mundësi. Duhet përkrahur dhe mbështetur pa humbur kohë kompanitë e brendshme dhe të jashtme që kanë bërë një përvojë të respektueshme dhe të vlerësuar nga partnerët në fushën e instalimit të turbinave me erë. Dhe siç merr vesh Buletini Ekonomik këto kompani kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar me projekte të reja në vendet e identifikuara si të mundshme për të ngritur turbina të reja. Mbështetja dhe përkrahja nënkupton që më shpejtë dhe jo me hapa të breshkës të vazhdohet me megavatë të rinj skema mbështetëse për energji me erë, që nga institucionet hë për hë është 150 megavatë, e që do të thotë se praktikisht kjo skemë ka përfunduar pasi që tashmë parku energjetik me erë në Shalë ka kapacitetin 105 megavatë, dhe 9 turbinat e ndërtuara para dy vjetësh në Kitkë, ose bashkarisht që të 36 turbinat kanë kapacitetin 141 megavatë. Kanë mbetur nga skema mbështetëse vetëm 9 megavatë, që praktikisht e bën të pamundshme vazhdimin e investimit të shpejtë në kaq pak megavatë. Këta investitorë, kompanitë e brendshme dhe të jashtme që janë të vlerësuar nga partnerët në fushën e instalimit të turbinave me erë ka kohë që kanë shfaqur interesimin për të vazhduar ndërtimin e kapaciteteve të tjera të energjisë elektrike me erë në ndonjërin nga vendet e identifikuara si të mundshme, dhe për këtë madje kanë paraqitur kërkesën në Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe janë në pritje të një përgjigjeje.
Vonesat e këtilla, siç është një përgjigje në kërkesën konkrete për investime në kapacitete të reja rinovuese, doemos nuk fletë në favor të arritjes së parashikimeve për energjinë e kushtëzuar nga asociacionet kompetente ndërkombëtare për energji të rinovueshme deri më 2030. Edhe një apo dy parqe eventuale të energjisë me erë do të krijonin mundësi të mira për të shtuar dhe zhvilluar burimet e ripërtëritshme të energjisë në Kosovë, do të shtonte efiçiencën energjetike dhe do të pastronte lakmueshëm gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri.
Duhet analizuar pa humbur kohë edhe mundësitë që ka Kosova për energjinë solare. A ka vende të identifikuara dhe të leverdishme për këtë lloj energjie dhe të tërheqen investuesit potencial për panele diellore. Në bazë të karakteristikave të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, siç ka shpjeguar për Buletinin Ekonomik eksperti Gazmend Kabashi, energjia nga era ka përparësitë e saj kundrejt energjisë solare. Energjia nga era është në dispozicion varësisht nga shpejtësia e erës. Kjo nënkupton që prodhimi nga burimet me erë janë në dispozicion 24 orë në ditë me variacionet e prodhimit që varën nga shpejtësia e erës. Ndërsa energjia solare kryesisht varet nga niveli i rrezatimit diellor, pra atëherë kur konsumi nacional është më i lartë, disponueshmëria e tyre është zero apo e ulët (sezona dimërore).
Sidoqoftë, potencial i lartë i vlerësuar në Kosovë është edhe instalimi i paneleve solare në kulmet e shtëpive, objekteve komerciale, hapësirave përgjatë autostradave dhe e gjitha e kombinuar me kapacitete të caktuara të baterive akumuluese do të ndihmonte shumë sigurinë e furnizimit. Në anën tjetër kostoja e ndërtimit dhe koha e ndërtimit është dukshëm më e ulët të parqet solare. Kosova, pra, mund të ketë përqindjen e domosdoshme të energjisë së rinovueshme nëse e do këtë, nëse është e vendosur dhe nëse nuk i zvarritë pafundësisht projektet potenciale të energjisë së rinovueshme. Tashmë, gabimet më nuk mund të falen, as të heshtën. Çdo vonesë eventuale do bie në kurrizin e kosovarëve, edhe çmimet enorme dhe të papërballueshme të energjisë elektrike, siç po ndodhë këtyre ditëve.