Tërhiqet plani i paraparë për minierën e litiumit në Serbi

Kuvendi Komunal i Lloznicës solli më 16 dhjetor vendimin për ndërprerjen e planit hapësinor të këtij qytetit në perëndim të Serbisë.

Me këtë plan parashihej ndërtimi i minierës së litiumit të kompanisë, Rio Tinto.

Rio Tinto renditet si kompania e gjashtë në botë për metale e miniera. Fjala është për një kompani multinacionale britaniko-australiane, me seli në Londër, e cila operon në 35 shtete të botës.

Reklama e sponzorizuar

Në seancën urgjente të thirrur nga Kuvendi Komunal, 46 asamblistë votuan për ndërprerje të planit, askush nuk ishte kundër dhe 13 asamblistë nuk morën pjesë në votim.

Qytetarët serbë protestuan të hënën e 29 nëntorit në këtë qytet para Kuvendit Komunal duke kërkuar tërheqjen e planit hapësinor, me të cilin parashihej ndërtimi i minierës.

Peticionin kundër planit në këtë zonë e nënshkruan më shumë se 5 mijë njerëz nga rreth 80 mijë banorë.

Banorët lokalë të mbledhur në shoqata të ndryshme, organizata lokale, një pjesë e ekspertëve dhe shumë parti opozitare konsideronin që miniera do të mund të kishte pasoja negative ndaj mjedisit jo vetëm në perëndim të Serbisë por edhe më larg.

Protestën e organizoi një shoqatë lokale ekologjike e qytetarëve që kundërshtonte ndërtimin e minierës së regjistruar në këtë zonë.

Paralajmërimi për ndërtimin e minierës së litiumit të kompanisë, Rio Tinto krahas Ligjit për shpronësim dhe Ligjit për referendume ishin faktorë që nxitën një valë protestash të disa organizatave ekologjike kah fundi i nëntorit dhe në fillim të dhjetorit për dy fundjavë rresht. Protestuesit bllokuan rrugët e trafikut ndërkombëtar në disa pjesë të Serbisë.

Më 8 dhjetor, Qeveria e Serbisë tërhoqi Ligjin për shpronësim e përgjatë votimit në Kuvend më 10 dhjetor e plotësoi Ligjin për referendume.

Rio Tinto ka mohuar akuzat e aktivistëve për dëme potenciale në mjedis dhe theksoi se projekti do të realizohet në “përputhje me rregulloret ligjore të Serbisë, atë të Bashkimit Evropian dhe standardeve të vet kompanisë”.