Kosova është e përfshirë nga kriza energjetike. Por, konsumatori aktualisht nuk po e ndjen krizën pasi që këtë barrë për momentin e ka mbi supe sistemi elektroenergjetik i Kosovës, pra, KEDS, KESCO dhe KOSTT. Sasia rreth 750 megavat/orë që prodhohet aktualisht në termocentralet kosovare nuk mjafton në kohë piku. Kërkesa po arrin në 1000 megavat/orë kur moti ende nuk është ftohur. Pra, “mungojnë minimalisht 200 megavat/orë që po importohen me çmime astronomike”. Gjithmonë duhet të kihet parasysh që problematika nuk po shkaktohet nga kërkesa e qytetarëve për energji elektrike, por problemi qëndron tek kërkesat e larta për energji termike.
(Intervistë me Viktor Buzhalën, zëdhënës në KEDS)
Mehmet GJATA
Vendi ynë është i përfshirë nga kriza energjetike. Treguesit janë aty. Vetëm se deri tani këtë krizë është duke e bartur në supët e veta KEDS/KESCO. Sigurisht që kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Fatmirësisht është krijuar Task Forca për t’u përballur me këtë krizë. Ne jemi pjesë e kësaj Task Force dhe besojmë qe do të gjendet zgjidhje më e mira për qytetarët dhe ekonominë e vendit, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.
Sipas tij, sasia që prodhohet aktualisht në katër njësi të prodhimit të termocentraleve kosovare nuk mjaftojnë në kohë piku, pasi prodhohen rreth 750 megavat/orë maksimlisht, ndërsa kërkesa po arrin në 1000 megavat/orë për momentin kur moti ende nuk është ftohur. Pra, “mungojnë minimalisht 200 megavat/orë që po importohen me çmime astronomike”, ka thënë Buzhala në këtë intervistë.
Ai këmbngulë se KEDS nuk kërkon me ngulm rritjen e çmimit të rrymës. Ka paralajmëruar çka mund të ndodhë në bazë të ecurisë së tanishme të rrethanave energjetike. Ka treguar se sa kjo rritje e çmimeve po i kushton sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Ne jemi pjesë e sistemit elektro-energjetik evropian dhe influencohemi nga çdo lëvizje në këtë treg. Aty, po e blejmë nga 300 euro megavatin dhe po e shesim 60 euro tek konsumatorët tanë. Kjo nuk ka logjikë ekonomike dhe nuk mund të funksionojë për kohë të gjatë. Ne e dijmë që konsumatori aktualisht nuk po e ndjen krizën pasi që këtë barrë për momentin e ka mbi supe sistemi elektroenergjetik i Kosovës, pra, KEDS, KESCO, KOSTT.
Kompania qysh në muajin tetor ka tejkaluar koston prej 5% nga ato të lejuara nga rregullatori, e cila dëshmon barrën qq po e bartim për këtë rritje të kostove si pasojë e krizës. Sigurisht, Task Forca do të gjejë zgjidhjet më të mira, për ta ruajtur përballueshmërinë e sistemit dhe përballueshmërinë e popullatës. Por, sipas Buzhalës, gjithmonë duhet të kihet parasysh që problematika nuk po shkaktohet nga kërkesa e qytetarëve për energji elektrike. Problemi qëndron tek kërkesat e larta për energji termike. Sigurisht, nuk është detyrë e KEDS/KESCO-s që të ofrojnë atë.
“Në mungesë të alternativave po detyrohemi ta bëjmë këtë. Por, kur kjo ndodhë në mënyrë masive, atëherë dhunon sistemin dhe rrezikon shumë asetet elektroenergjetike në mënyrë konstante. Përdorimi i formave alterntive të ngrohjes aty ku ka mundësi, është një nga mënyrat më të mira për ta liruar këtë barrë dhe impaktin e krizës globale tek ne” ka thënë Buzhala.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën:
Buletini Ekonomik: Pse gjithë ky insistim nga KEDS-i për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë?
Viktor Buzhala: KEDS-i nuk po insiston në shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike. KEDS ka paraqitur situatën aktuale dhe trendet e pesëfishimit të çmimeve të energjisë elektrike. Thirrjet tona janë bërë për të ndikuar sadopak në kursim dhe në shpërndarje të konsumit pas mesnatës, në mënyrë që impakti në çmim të jetë sa më i vogël dhe sistemi ta përballojë sa më lehtë. Është përgjegjësi e secilit prej nesh, duke përfshirë edhe mediat të cilat na kanë mbështetur fuqishëm, që të bëjmë më të mirën në kohë krize për sektorë jetik, siç është energjia.
Buletini Ekonomik: Ngulmimi i KEDS-it për rritjen e çmimit dhe në njëfarë mënyre edhe përkrahja zyrtare, ndër to edhe e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, a po bëhet pa analizuar detajisht rrethanat aktuale energjetike në vendin tonë?
Viktor Buzhala: Ne vetëm kemi vlerësuar situatën aktuale dhe efektin që kriza po shkakton. Analiza të çështjeve energjetike janë bërë dhe bëhen në detaje çdo ditë, javë, muaj dhe vit. Sigurisht që znj. Rizvanolli, respektivisht Ministria e Ekonomisë luan rolin e saj karshi përgjegjësive që u takojnë në mënyrë që sistemi elektroenergjetik të funksionojë më së miri dhe të gjenden zgjidhjet më të mira për qytetarët në përgjithësi, e sidomos tani në këtë kohë krize.
Buletini Ekonomik: Sipas njohësve të zhvillimeve energjetike në Kosovë, ende vendi ynë nuk është i përfshirë nga kriza globale energjetike, që nuk do të thotë se nuk do të përfshihet në një të ardhme, mbase edhe të afërt. Ku e shihni ju krizën energjetike në vendin tonë?
Viktor Buzhala: Vendi ynë është i përfshirë nga kriza. Treguesit janë aty. Vetëm se deri tash këtë krizë është duke e bartur në supët e veta KEDS/KESCO. Sigurisht që kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Fatmirësisht është krijuar Task Forca për t’u përballur me këtë krizë. Ne jemi pjesë e kësaj Task Force dhe besojmë që do të gjendet zgjidhje më e mirë për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Buletini Ekonomik: Nëse tani paska krizë, kur ç’është e vërteta, janë në prodhim të gjitha blloqet e termocentraleve kosovare (B1 e B2 si dhe A3, A4 dhe A5), çka do të bëhet pas shkurtit kur do të shkojë në “pushim” të dhunshëm Kosova B, gjegjësisht kur do të fillojë instalimi i elektrofiltrave të ri në këtë TC?
Viktor Buzhala: Në funksion janë dy njësi të TC A dhe dy njësi të TC B. Këto nuk mjaftojnë në kohë piku, pasi prodhojnë rreth 750 megavat/orë maksimlisht në kohë piku, ndërsa kërkesa po arrin në 1000 megavat/orë për momentin kur moti ende nuk është ftohur. Pra, mungojnë minimalisht 200 megavat/orë që po importohen me çmime astronomike.
Buletini Ekonomik: Kosova, është e saktë që importon goxha energji elektrike, sidomos gjatë dimrave dhe në kohën e pikut, por poashtu është fare e saktë se eksporton sasi të madhe të rrymës në periudhën e natës, kur konsumi i Kosovës është shumë më i vogël se sa prodhimi. Pse KEDS-i gjatë promovimit të kërkesave për çmime të ngritura e heshtë, apo nuk e përmend fare eksportin që e bënë thuaja çdo natë?
Viktor Buzhala: KEDS/KESCO nuk bëjnë eksport. Për të bërë eksport duhet të prodhosh energji elektrike apo ta kesh në dispoziocion. Ne nuk jemi as prodhues, as nuk kemi teprica. Ju duhet ta dini që energjia eletrike nuk mund të konzervohet dhe të përdoret më vonë. Ajo duhet të konsumohet në momentin që prodhohet. Tepricat që ndodhin pas mesnate, duhet të konsumohen në momentin që prodhohen dhe kjo bëhet që të mbahen blloqet në sistem për ta përdorur pastaj energjinë elektrike kur ka nevojë. Pra, mbajtja e blloqeve në punë është e domodoshme edhe kur nuk na nevojitet energji elektrike pasi termocentralet nuk kanë fleksibilitet prodhimi. Ndërkohë, u sqarua në përgjigjen paraprake sa është kërkesa dhe sa është prodhimi. Ju kishim lutur t’i drejtoheni KEK-ut për detaje dhe t’i plasoni në sensin e drejtë informatat pasi mund të ketë keqinterpretim shumë lehtë nga ata që nuk e njohin sistemin.
Buletini Ekonomik: Sa, këtyre ditëve Kosova importon dhe sa eksporton energji elektrike?
Viktor Buzhala: Importi varion nga dita në ditë, por po rritet çdo ditë me ftohje të temperaturave. Sigurisht, po importohen mijëra megavat/orë në ditë. Vetëm një dite të vetme të nentorit është importuar mbi 600 mijë euro energji elektrike. Në përgjigjen e mëparshme sqarova që ne nuk eksportojmë asnjë kilovat/orë sepse nuk jemi prodhues.
Buletini Ekonomik: A e ka parasysh KEDS-i fare, se kosovarët e paguajnë tepër shtrenjtë rrymën që e konsumojnë. E paguajnë edhe me shëndetin e tyre, edhe me degradimin e pamasë të ambientit dhe arave të tyre edhe me ndotjen enorme dhe të përditshme të mjedisit në gjysmën e Kosovës, thuaja. A është normale, në këtë kontekst, që kosovarët të kenë çmime të papërballueshme të energjisë elektrike?
Viktor Buzhala: Ky është konstatim i pasaktë. Çmimet e energjisë elektrike, sipas Eurostatit janë më të ulëtat në Evropë. Për shkak që çmimet janë më të ultat e kemi edhe trendin e lartë të rritjes së konsumit, kur konsumatorët po përdorin me të madhe energjinë elektrike për ngrohje. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, konsumi është rritur për 9 për qind, derisa nga 2017 deri më 2020 kemi rritje të konsumit per 30%. Kjo rritje ka filluar të ndodhë nga shumë faktorë, por nuk duhet abstrahuar çmimin e ulët të energjisë elektrike që ka ndodhur si pasojë e largimit të blok-tarifave.
Buletini Ekonomik: Pse KEDS-i, nëse ka bërë analiza se me këto çmime po u rrezikuakan eventualisht ecuritë afariste të tija, nuk gjen mënyrë tjetër për të zbutur këto probleme, qoftë edhe me kërkesa për ta subvencionuar dikush çmimin e rrymës, por kërkon me ngulm dhe përditë ngritjen e çmimit për kosovarët e varfër?
Viktor Buzhala: KEDS nuk kërkon me ngulm rritjen e çmimit të rrymës. Ka paralajmëruar çka mund të ndodhë në bazë të ecurisë së tanishme të rrethanave energjetike. Ka treguar se sa kjo rritje e çmimeve po i kushton sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Në pyetjen tuaj, Ju jeni duke e abstrahuar me konstatime komplet krizën globale dhe influencimin e saj në Kosovë. Ne jemi pjesë e sistemit elektro-energjetik evropian dhe influencohemi nga çdo lëvizje në këtë treg. Aty, po e blejmë nga 300 euro megavatin dhe po e shesim 60 euro tek konsumatorët tanë. Kjo nuk ka logjikë ekonomike dhe nuk mund të funksionojë për kohë të gjatë. Ne e dimë që konsumatori për momentin nuk po e ndjen krizën pasi që këtë barrë për momentin e ka mbi supe sistemi elektroenergjetik i Kosovës, pra, KEDS, KESCO, KOSTT. Kompania qysh në muajin tetor ka tejkaluar koston prej 5% nga ato te lejuara nga rregullatori, e cila dëshmon barrën që po e bartim për këtë rritje të kostove si pasojë e krizës. Sigurisht, Task Forca do të gjejë zgjidhjet më të mira, për ta ruajtur përballueshmërinë e sistemit dhe përballueshmërinë e popullatës. Por, gjithmonë duhet të kihet parasysh që problematika nuk po shkaktohet nga kërkesa e qytetarëve për energji elektrike. Problemi qëndron tek kërkesat e larta për energji termike. Sigurisht, nuk është detyrë e KEDS/KESCO-s që të ofrojnë atë. Në mungesë të alternativave, po detyrohemi ta bëjmë këtë. Por, kur kjo ndodhë në mënyrë masive, atëherë dhunon sistemin dhe rrezikon shumë asetet elektroenergjetike në mënyrë konstante. Përdorimi i formave alternative të ngrohjes aty ky ka mundësi, është një nga mënyrat më të mira për ta liruar këtë barrë dhe impaktin e krizës globale tek ne.
Buletini Ekonomik: Sa është çmimi i një megavat-ore energji elektrike, të cilin e blen KEDS-si nga KEK-u dhe sa aktualisht është çmimi i një megavatorë që ua shet konsumatorëve kosovarë?
Viktor Buzhala: Pasi çmimi i blerjes nga KEK-u mund të zbulojë informata afariste që përfshijnë edhe një subjekt tjetër, ne nuk mund ta bëjmë këtë pa dakordimin e kësaj kompanie. Kosova ka sistem tarifor, pra nuk ka çmim unik. Çmimi fillon nga 2.89 centë që është çmimi më i ulët në Evropë dhe ndër më të ulëtit në botë.
Buletini Ekonomik: A ka ende konsumatorë të privilegjuar sa i përket çmimit të rrymës në vendin tonë, dhe nëse ka, cilët janë ata dhe sa paguajnë si të privilegjuar karshi konsumatorit të rëndomt?
Viktor Buzhala: Nuk ka konsumatorë të privilegjuar. /Buletini Ekonomik/