​PDK: Me rritjen e çmimeve, qytetarët po shpenzojnë më shumë, por po ushqehen më pak

Kuvendi i Kosovës

Partia Demokratike Kosovës (PDK) ka kritikuar Qeverinë Kurti për ngritjen e çmimeve të produkteve bazike në vend gjatë vitit të kaluar, gjendje kjo që po vazhdon edhe më 2022.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala tha se nën qeverisjen Kurti, qytetarët po shpenzojnë më shumë, por po ushqehen më pak.

Ai ngriti si shqetësim edhe mundësinë e ngritjes së çmimit të bukës në 1 euro, pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Sot nën qeverisjen Kurti, qytetarët e këtij vendi shpenzojnë më shumë dhe ushqehen më pak. Shpenzojnë më shumë dhe udhëtojnë më pak. Shpenzojnë më shumë dhe marrin shërbim të njëjtë. Punojnë më shumë, por të ardhurat i kanë të njëjtat, shpenzojnë shumë dhe jetojnë shumë më keq…Ngritja e çmimeve në sektorin e energjisë do të reflektojë pashmangshëm në tërë zinxhirin të prodhimeve dhe konsumit ditor. Merrni me mend, nëse sot kemi 50 cent bukë dhe këto ngritje të çmimeve që po e kalojnë 100 përqindëshin dhe disa raste 200 për qind”, tha ai duke shtuar se nga parashikimet çmimi i bukës mund të arrijë shifrën deri në 1 euro”, është shprehur Shala.