Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, ndërsa partitë opozitare kanë kundërshtuar ashpër mundësinë e rritjes së çmimit të rrymës, madje kanë paralajmëruar edhe protesta.
ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.
“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.
Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.
Por, propozimi për tarifa të reja të rrymës është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, pas paralajmërimeve për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Në një postim në Facebook, kreu i LDK-së shkruan se fajtor kryesor për këtë është Qeveria e Kosovës, e cila sipas tij, është vonuar në përgjigjen e saj ndaj krizës energjetike.
Sipas Abdixhikut, vendimet në lidhje me problemin e energjisë elektrike kanë qenë të vonshme dhe skandaloze.
Pas propozimeve për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se kjo është njëra nga goditjet më të ashpra ndaj qytetarëve.
Anëtar i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci në një konferencë për medie ka thënë se masat e propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk përkojnë me gjendjen aktuale të familjeve.
“Masat e propozuar nga Qeveria nuk përkojnë me gjendjen e familjeve kosovare. Pas një periudhe ekonomike, si rezultat i pandemisë COVID-19, e cila po vazhdoj të jetë e tillë, madje edhe më e rënduar, kjo është njëra nga goditjet më të ashpra që po i bëhet qytetarëve tonë sot, e të cilët fatkeqësisht dhe padrejtësisht do të përballen me pasojat më të mëdha të rrymës në historinë e Kosovës”, tha Stavileci.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po shqyrton mundësinë e organizimit të protestave për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Kjo ka qenë njëra ndër kërkesat e kryesisë së partisë, gjatë mbledhjes të së martës.
Sipas komunikatës për medie, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Aleancës, është diskutuar për situatën aktuale politike në vend.
“Kryesia e AAK-së ka vlerësuar se rritja e çmimeve në këtë kohë është e patolerueshme. Përderisa veriu i vendit nuk paguan fare për energjinë, është e padrejtë rritja enorme e çmimeve për pjesën tjetër të qytetarëve, ku goditën amvisëritë dhe bizneset. Gjithashtu, Kryesia kërkoi që të shqyrtohet mundësia e organizimit të protestave për te kundërshtuar shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës elektrike”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
Molliqaj përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se dokumenti ku parashihet rritja e çmimit të energjisë është shqetësues.
“Rikthimi i sistemit të blloktarifave godet direkt shumicën e konsumatorëve. Kjo rritje parashihet të ndodhë për të gjithë konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600KhW. Rritja e çmimit do të jetë ndërmjet 80% – 100%. Në shoqërinë tonë ngrohja me rrymë ka shumë pak alternativa, shtrenjtimi i çmimit do të përfshijë shumë familje”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj ka theksuar se Qeveria duhet të mos tregohet frikacake, por të krijojë kushtet që KESCO të shtrijë faturimin edhe në veri.
Ai madje ka thënë se paralajmërimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike është paralajmërim për protesta.
Ndërkaq, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thotë se Qeveria ka bërë veprim të ngutshëm duke pranuar propozimin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në komunikatën për medie thuhet se BSPK ka pritur me shqetësim propozimin e KEDS-it drejtuar ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Analisti Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lejimin e ngritjes së çmimit energjisë elektrike, duke thënë se kjo vjen si rezultat i “sinkronit ‘Qeveri-KEDS’”.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “pasi Kryeministri deklaron në Kuvend se rryma në Kosovë është shumë lirë, një ditë më pas KEDS-i kërkon nga ZRRE-ja shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike”.
“Rezultati i këtij sinkroni ‘Qeveri-KEDS’, sot kulmon me shtrenjtimin e faturës së energjisë elektrike për 200 mijë familje. Ky është rezultati i një Qeverie që mbron interesin e korporatës në vend të interesit të qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi, përcjell Telegrafi.
“Ky është diskriminim ndaj atyre që nuk kanë alternativa tjera për ngrohje gjatë dimrit. Shtrenjtimi për ata që shpenzojnë më shumë do të kishte kuptim vetëm atëherë kur të ofrohen alternativat e zgjedhjes. E alternativat që u ofruan – siç ishte projekti i gazit- u refuzuan”, ka shkruar ai.