Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka tejkaluar planin e të hyrave që ka pasur për muajin janar 2022. Përmes një njoftimi për media, ata kanë bërë të ditur se vetëm në janar, madje edne pa përfunduar i gjithë muaji, është tejkaluar projeksioni i të hyrave tatimore për 4.3 milionë euro.
Siç bëjnë me dije nga ATK, këto të hyra janë tejkaluar si rezultat i reformave në ATK, kualitetit në punë, rritjes së llogaridhënies, efektivitetit në inkasimin e borxheve, e që sipas tyre, janë edhe janë disa prej indikatorëve kyç, të cilët edhe për muajin e parë të këtij viti kanë siguruar inkasim të të hyrave në nivel më të lartë se targeti i përcaktuar, përcjell Buletini Ekonomik.
ATK-ja gjatë këtij muaji, ka inkasuar 77.3 milionë euro apo 4.3 milionë euro më shumë se plani i paraparë për këtë muaj. Ndërsa, në krahasim me muajin janar 2021 janë mbledhur 13.3 milion euro më shumë, pasi në janar të vitit 2021 ishin arkëtuar 64.0 milionë euro.
Nga ATK konisderojnë se në këtë fillimvit të mbarë fiskal ka dhënë rezultat edhe performanca e jashtëzakonshme e të hyrave në vitin 2021, ku ishin mbledhur 41.07 milionë euro më shumë se projeksioni për tërë vitin, kurse totali i të hyrave më 2021 ishte 597.07 milionë euro.
“Administrata Tatimore e Kosovës konsideron se një trend i tillë i të hyrave, por edhe objektivave të tjera, do ta përcjellin vitin 2022. Andaj, lusim gjithë tatimpaguesit që të vazhdojnë të jenë motor i zhvillimeve në vendin e tyre, për të mirën e përbashkët”, përfundon njoftimi nga ATK. /Buletini Ekonomik/