Bizneset kërkojnë heqjen e kriterit për tri doza të vaksinës në kufi

Fitimi minimal dhe mungesa e lëndës së parë po ua vështirëson punën bizneseve kosovare.

Pronarët e tyre pranojnë se këta faktorë kanë ndikuar edhe në rritjen e çmimit të produkteve.

Rëndesë për ta, thonë se janë masat anti-COVID, të ndërmarra nga shteti.

Reklama e sponzorizuar

“Niveli i papunësisë do të rritet dhe prapë do të ketë probleme për të gjetur fuqi punëtore kompanitë. Doza e tretë është e paarsyeshme sepse nuk ka rëndësi a është dikush i vaksinuar me tri doza ose jo”, thotë Burim Piraj, pronar i kompanisë “MEKA”.

Rishikim të vendimeve kërkon edhe një tjetër afarist, që thotë se doza e tretë e vaksinës për ata që hyjnë në Kosovë është e panevojshme.

“Mirë është që doza e tretë nuk po kërkohet për shoferë të cilët vijnë me mallra. Kjo nuk duhet të ndodhë për partnerët dhe afaristët që do duan të vizitojnë Kosovën dhe besoj që kjo do të miratohet nga ana e Qeverisë që të mos ketë pengesa” shprehet Shaqir Palushi, pronar i Frutex.

Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka bërë të ditur se janë në vëzhgim të situatës epidemiologjike, teksa masat do të rishikohen varësisht nga shpërndarja e virusit.

Por problem tjetër për bizneset po del të jetë ikja e të rinjve nga vendi, pasi thonë se nuk do të mund të gjejnë mjaft punëtorë në të ardhmen.