Dobruna-Kryeziu: Çfarëdo rehabilitimi në termocentralin ‘Kosova A’, nuk mund ta përmirësojë efiçiencën në prodhim

“Sektori energjetik në Kosovë e ka pasur një panoramë të ndërlikuar edhe para fillimit të krizës momentale”, thotë Pranvera Dobruna Kryeziu, ish drejtoreshë e Korporatës Energjetike të Kosovës. Sipas saj, për shkak të mosinvestimeve adekuate në fushën e sistemit energjetik të Kosovës, Kosova ka arritur në një situatë që termocentralet ekzistuese të saj, të gëzojnë një besueshmëri shumë të ulët, prandaj edhe ka rënie të paplanifikuara të blloqeve.

(Intervista e Buletinit Ekonomik me Pranvera Dobruna-Kryeziun)

Mirjeta SHABANI

Reklama e sponzorizuar

Pranvera Dobruna-Kryeziu, një njohëse e fushës së energjetikës dhe punëtore shumëvjeçare në ndërmarrjet energjetike në vend, si dhe ish-drejtoreshë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka folur rreth krizës energjetike në të cilën po kalon Kosova muajve të fundit, në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, duke ofruar edhe zgjidhje të mundshme për një stabilitet energjetik në të ardhmen.

Ajo thotë se sistemi energjetik i Kosovës ka pasur dështime fillimisht nga mos-sigurimi i investimeve të domosdoshme, që do të garantonin stabilitet energjetik në sektorin e energjisë. Prandaj, si rezulat i mosinvestimeve adekuate, Kosova ka arritur në një situatë që termocentralet ekzistuese të saj, të gëzojnë një besueshmëri shumë të ulët, dhe për pasojë ka edhe rënie të paplanifikuara të blloqeve.

Vet fakti se Kosova nuk ka burime energjetike fleksibile, që do të mund të aktivizoheshin në rastet e rënieve të blloqeve aktuale prodhuese, Dobruna Kryeziu thotë se me këtë, rritet nevoja e investimeve urgjente për të garantuar siguri të energjisë në vend.

Sipas Pranvera Dobruna-Kryeziut, Kosovës i nevojitet një termocentral me kapacitet rreth 400 MW, që do ta zëvendësonte termocentralin ‘Kosova A’, i cili është dashur të mbyllej që në fund të vitit 2017, për shkak të mosplotësimit të kushteve ambientale sipas direktivave të Bashkimit Evropian. Por, përpos kësaj, ajo thotë se Kosovës gjithashtu i nevojitet edhe një burim energjetik fleksibil, që do të mund të mbulonte konsumin gjatë orëve të ngarkesës maksimale ose pikut, deri në 200MW.

Ajo në këtë intervistë shprehet edhe kundër opsionit të mundshëm për rehabilitimin e termocentralit ‘Kosova A’. Sipas saj, rehabilitimi i A-së nuk duhet të jetë opsion, sepse teknikisht është i parealizueshëm dhe financiarisht i pajustifikueshëm, pasi teknologjia në termocentral është shumë e vjetër, dhe se me çfarëdo rehabilitimi nuk mund të përmirësohet efiçienca në prodhim si dhe nuk mund të arrihen parametrat e pranueshëm sipas direktivave të BE-së.

Në vijim mund ta gjeni intervistën e plotë të Buletinit Ekonomik me Pranvera Dobruna-Kryeziun:

Buletini Ekonomik: Pse dështuam në zhvillimin energjetik të Kosovës? Në këtë kontekst, çka nuk u bë që duhej të bëhej në Kosovë, për të pasur tashmë mbi 20 vjet pas luftës, kapacitete premtuese për stabilitet energjetik?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Kosova duhet të bëjë “leximin e drejtë” të krizës energjetike. Sektori energjetik në Kosovë ka pasur një panoramë të ndërlikuar edhe para fillimit të krizës momentale. Ka pasur dështime në sigurimin e investimeve të domosdoshme që do të garantonin stabilitet energjetik në sektor, si dhe është përkrahur një qasje shumëvjeçare, që konsumatori shtëpiak dhe biznesi i vogël nuk duhet të preken nga ndonjë rritje e çmimit. Prandaj, si rezultat i mosinvestimeve adekuate, kemi arritur në një situatë ku termocentralet ekzistuese kanë një besueshmëri të ulët, prandaj edhe kemi rënie të paplanifikuara të blloqeve.

Fakti se Kosova nuk ka burime energjetike fleksibile, që do mund të aktivizoheshin me rastin e rënieve të blloqeve, e rritë nevojën e investimeve urgjente për të garantuar siguri të energjisë.

Buletini Ekonomik: Dihej, madje edhe para luftës, që Kosovës i nevojitet një termocentral 500-600 megavatësh për të pasur siguri energjetike në vitet në vijim. Pati alternativa e alternativa për një termocentral dhe mbi 2 dekada nuk u bë asgjë. Pse?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Kosovës i nevojitet një elektranë me kapacitet rreth 400 MW, që do ta zëvendësonte termocentralin Kosova A, që është dashur të mbyllet në fund të vitit 2017, sepse nuk i plotëson kushtet ambientale sipas direktivave të BE-së. Termoelektrana Kosova B është në fazën e rehabilitimit për të ndërruar elektrofiltrat dhe për të garantuar një prodhim me besueshmëri më të madhe. Gjithashtu, Kosovës i nevojitet një burim energjetik fleksibil qëdo të mund të mbulonte konsumin gjatë orëve të ngarkesës maksimale ose pikut, rreth 200MW.

Deri tani, Kosova është dashur t’i sigurojë këto investime, por nuk i bëri për shkak të politikave të vonuara si dhe politikave energjetike të dështuara.

Buletini Ekonomik: Nuk ditëm, pra na mungoi dija, apo nuk ishim të aftë të joshim dhe t’i angazhojmë investitorët e jashtëm për të ndërtuar një kapacitet elektroenergjetik, që ç’është e vërteta në vitet e para pas luftës nuk ishte se munguan? Por, erdhën, biseduan dhe u larguan sikur të mos ishin fare. Pse ndodhi kjo?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Sektori i energjisë në Kosovë është përgatitur me kohë për kyqjen e kapitalit privat në sektor. Reformat në sektor kanë filluar në vitin 2006 me daljen e KOSTT-it nga KEK-u për të siguruar qasje të barabartë në infrastrukturën për transmision, si prodhuesve publik ashtu edhe atyre privat.

Gjithashtu që nga viti 2004, është vlerësuar se rezervat e thëngjillit në Kosovë mundësojnë prodhimin e energjisë me koston më të ulët. Në atë kohë është pritë që do të ndërtohen termocentrale të reja në afat nominal.

Buletini Ekonomik: Në një paraqitje publike të këtyre ditëve, keni deklaruar se Kosova “ka krizë të politikave energjetike, pasi politikat janë afatgjata dhe gjatë kësaj kohe ka pasur lëshime të shumta, prandaj jemi në këtë gjendje, pasi nëse ka politika të mirëfillta, nuk vijmë deri te kriza energjetike”. Sipas jush, çka nënkuptohet me krizë të politikave energjetike?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Përkundër vlerësimeve se Kosova me burimet energjetike ka potencial të bëhet fuqi energjetike, kanë munguar politika proaktive për monetarizimin e burimeve energjetike. Ka ekzistuar një qasje e studimeve të tepruara vetëm për të vonuar procesin e ndërtimit të termocentraleve të reja. Ka munguar pronësia mbi procesin e implementimit të projektit. Me kohë, është pranuar një qasje “e pritjes” së investitorëve, në vend se të thirren investitorët.

Momentumi është humbur në vitin 2008, kur pas shpalljes së pavarësisë ka pasur interesim më të madh të investitorëve të huaj për të investuar në sektorin e energjisë. Ndërkohë, mungesën e politikave energjetike proaktive e kanë shfrytëzuar ambientalistët, të cilët në emër të kerkesës për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme e kanë kundërshtuar ndërtimin e termocentraleve me thëngjill, duke u fokusuar vetëm në segmentin e ambientit dhe duke mos u marrë me çështjen e sigurisë energjetike që është edhe siguri nacionale.

Buletini Ekonomik: Pse nuk u mendua më herët në Kosovë për ngritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, aty ku ka potenciale? Dhe, a mendoni se ky dështim evident, është pjesë përbërëse e krizës politike energjetike që e potenconi ju?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Burimet e rinovueshme kanë filluar të zhvillohen në botë dhe në rajon në një masë më të madhe gjatë viteve 2009-2014, kur kanë filluar të bien çmimet e teknologjive për energji të erës dhe ato për energji solare. Prandaj Kosova, në atë kohë e ka përfunduar kornizën legjislative për kyqjen e burimeve të ripërtëritshme në infrastrukturën ekzistuese. Por, qasja refuzuese ndaj burimeve fosile e ka dëmtuar në masë të madhe procesin e ndërtimit të termocentraleve të reja.

Buletini Ekonomik: Tani, çka mendoni se duhet bërë shpejt për ta zbutur, apo edhe për ta zgjidhur krizën energjetike, që na ka përfshirë edhe si rrjedhojë e krizës globale energjetike?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Duhet të ndërtohen kapacitete prodhuese me burime energjetike tranzicionale, që do ta zëvendësojnë thëngjillin. Do të jemi të detyruar të vazhdojmë të shfrytëzojmë thëngjillin për prodhimin e energjisë nga termocentrali Kosova B. Duhet të zhvillohet i gjithë potenciali i burimeve të ripërtëritshme, si burimet eolike të erës, ato solare dhe ato të teknologjive të reja, si bateritë për depozitimin e energjisë elektrike (battery Storage).

Gjithashtu, duhet të bashkëveprojmë me sistemin elektroenergjetik të Shqipërisë pasi që jemi në një bllok rregullues në raport me ENTSO-e (Asociacioni i operatorëve të sistemeve të transmisionit të Europës Qendrore). Për më shumë, duhet të bashkëfinancojmë projektet energjetike dhe t’i menaxhojmë burimet e përbashkëta sipas parimit të menaxhimit më të mirë të rezervës hidrike në Shqipëri, derisa Kosova duhet të investojënë sigurimin e energjisë bazë (burim energjetik që siguron prodhim tëenergjisë 24 orë në ditë.

Buletini Ekonomik: A ka mundësi të bëhet rindërtimi i termocentraleve “Kosova A”, siç u deklarua edhe nga qeveria aktuale, dhe në njëfarë mënyre edhe nga KEK-u në muajt e fundit të vitit të kaluar, sidomos tani pas “kërcënimeve” të BE-së dhe shteteteve të fuqishme për të mos investuar në kapacitete me bazë të qymyrit?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Rehabilitimi i Termocentralit Kosova A nuk duhet të jetë opsion, sepse teknikisht ështëi parealizueshëm dhe financiarisht i pajustifikueshëm.Teknologjia është shumë e vjetër, me çfarëdo rehabilitimi nuk mund të përmirësohet efiçienca në prodhim (hargjimi i thëngjillit T/MW ) si dhe nuk  mund të arrihen parametrat e pranueshëm sipas direktivave të BE-së.

Buletini Ekonomik: Më konkretisht, çka duhet të bëjë Kosova nëse nuk mund të ndërtojë, apo të rindërtojë një TC në bazë të qymyrit, kur dihet se edhe potencialet për të pasur në perspektivë energji të rinovueshme i kemi të mangëta? Nuk kemi ujë, dhe as erë të mjaftueshme për shumë turbina me erë dhe as tokë të mjaftueshme për energji solare?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Ndërtimi i një termocentrali  me teknologji të pastër për ambient apo me teknologjinë më të pastër të mundshme, në afërsi të termocentralit Kosova B, kishte me qenë opsion por jo edhe rindërtimi apo rehabilitimi i termocentralit të vjetër Kosova A.

Buletini Ekonomik: Çka mendoni dhe si e vlerësoni idenë që u bë publike, sidomos gjatë shpërfaqjes së krizës energjetike, për ndërtimin e një hidrocentrali 200-300 megavatësh në Shqipëri nga ana e Kosovës, kuptohet nëse miratohet nga Shqipëria? A do të ishte i leverdishëm një projekt i tillë?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Po, bashkëfinancimi i projekteve energjetike, posaqërisht ato publike siç është hidrocentrali ‘Skavica’ me kapacitet 210MW, kishte me qenë opsion i mirë. Koha e ndërtimit të këtij projekti është 10 vjet, që për projektet e tilla është kohë e shkurtër. Hidrocentrali ‘Skavica’ që është hidrocentrali i parë në Kaskaden e Drinit, që do të mundësojë rritjen e prodhimit të hidrocentraleve tjera në kaskadë për 80 GWh.

Buletini Ekonomik: Pse, edhe tani, këtyre ditëve, hezitohet në qarqet vendimmarrëse dhe në institucionet shtetërore kompetente për të qenë më kërkues dhe më këmbëngulës për t’ia nisur sa më shpejt realizimit të ndonjë projekti më të madh dhe më të efektshëm të energjisë si rinovueshme në vend?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Duhet të zhvillohen projektet e energjisë së ripërtëritshme. Gjithashtu, duhet të ju mundësohet bizneseve instalimi i paneleve solare nëpër kulme, për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm. Mund të  prezantohet modeli i Komunitetit të Energjisë, model që mobilizon disa biznese në një zonë ekonomike që të bëhen bashkëprodhues  të energjisë elektrike, por të kenë mundësi t’i plasojnë tepricat në rrjetin distributiv dhe të marrin energji nga i njëjti rrjet kur kan nevojë.

Buletini Ekonomik: A keni pasur rastin të njoftoheni me strategjinë e zhvillimit energjetik të Kosovës 2023-2030, e cila siç është paralajmëruar, gjatë këtij muaji do të dalë në diskutim publik. Si e vlerësoni ju këtë strategji?

Pranvera Dobruna-Kryeziu: Nuk kam dëgjuar që është draftuar ndonjë dokument strategjik. Së pari, duhet të draftohen parimet e politikave energjetike, e pastaj kur t’i shtohet elementi kohë dhe ai financiar, atëherë bëhet strategji. Paraprakisht duhet të identifikohet se cili ka me qenë burimi energjetik i tranzicionit që do ta prodhojë energjinë elektrike bazike (24 orëshe), paralel me zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme si dhe teknologjive për deponimin e energjisë (Batery Storage). Duhet të investohet në teknologjitë që mundësojnë fleksibilitet në operim, posaqërisht tani kur po rritet kapaciteti i burimeve të ripërtëritshme që e rrisin nevojën e burimeve rezervë për kohën kur nuk ka dritë dhe erë. /Buletini Ekonomik/