Kopač: Kosova ende është shumë larg tranzicionit energjetik

“Energjia elektrike me bazë qymyrin po bëhet jokonkurruese dhe burimet e rinovueshme po fitojnë terren. Ndalimi i qymyrit është proces jo i lehtë por i pashmangshëm”, thotë Janez Kopač, ish-ministër i Energjisë dhe Ambientit në qeverinë e Sllovenisë gjatë viteve 2000-2004, në një intervistë ekskluzive për Buletinin Ekonomik.

 Agon Sinanaj

Njohës i mirë i ambientit dhe energjisë në nivel ndërkombëtar, Janez Kopač në këtë intervistë tregon se çka e pret Kosovën në vitet e ardhshme, nëse nuk fillon seriozisht procesin e kalimit nga energjia me bazë qymyrin te energjia e ripërtëritshme.

Kopač për vende si Kosova (ku 95% e energjisë vjen nga qymyri) parasheh shumë sfida për ta përballuar këtë proces, mirëpo, sipas tij, deri më tani nuk ka parë “vullnet politik” nga vendimmarrësit në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Nga taksa e karbonit deri të shtrenjtimi i rrymës: Çka e pret Kosovën në vitet e ardhshme sa i përket tranzicionit energjetik dhe sfidat që ka ky proces, mësoni më shumë në intervistën e plotë me Janez Kopač, dhënë për Buletinin Ekonomik.

Intervista e plotë:

Buletini Ekonomik: Zoti Kopač, Tranzicioni i gjelbër në energjetikë, po shihet dhe po dëshmohet se është i vështirë për vendet e varfëra dhe të vogla dhe thuaja traumatik për Kosovën me resurse të mëdha të qymyrit dhe me kapacitete qind për qind nga ky resurs. Si e shihni ju te këto shtete realizimin e tranzicionit të drejtë energjetik?

Janez Kopač: Shumë sfiduese. Tranzicioni i energjisë kërkon një ndryshim të madh teknologjik dhe kjo kushton. Dikush duhet të paguajë. Ndoshta mund të ketë ndonjë ndihmë nga jashtë por shumica e shpenzimeve do të mbulohen nga konsumatorët e energjisë elektrike. Mund të kalojë një periudhë më e gjatë ose më e shkurtër, por asnjë vend nuk mund ta shmangë këtë. Tranzicioni i energjisë është thjesht një trend global dhe kërkesë për të mbetur konkurrues ndërkombëtarisht.

Buletini Ekonomik: Çka duhet të bëjnë shtetet fare të papërgatitura për këtë proces të rëndësishëm, siç është Kosova, fillimisht për t’ia nisur seriozisht tranzicionit dhe për ta evituar frikën, gjithsesi prezente, te vendimmarrësit?

Janez Kopač: Ka vetëm dy mënyra: ose hapja ndaj tregut ose mbyllja. Ekonomitë perëndimore zgjodhën qasjen e tregut e cila është më e butë. Fillon me një çmim relativisht të ulët të emetimeve të karbonit, zakonisht taksa, i cili rritet me kalimin e viteve. Energjia elektrike me bazë qymyrin po bëhet jokonkurruese dhe burimet e rinovueshme po fitojnë terren. Ndalimi i qymyrit është proces jo i lehtë por i pashmangshëm.

Buletini Ekonomik: Sipas jush, çka duhet të bëjë Kosova me mundësi minimaliste financiare, me kuadro të domosdoshme të munguara dhe totalisht amatore për tranzicionin energjetik për të përmbushur parashikimet (deri më 2025, 500 megavatë energji të rinovueshme, ndërsa deri më 2031, 1300 megavatë) për kalimin nga energjia në bazë të qymyrit në atë të erës dhe të diellit?

Janez Kopač: Kosova duhet të vendosë taksën e emetimeve të karbonit dhe t’i bëjë çmimet e energjisë elektrike për amvisëritë më të reflektueshme në kosto. Taksa e karbonit do të rrisë çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, duke përfshirë edhe familjet, por, për të përballuar tranzicionin gradual nga qymyri, të ardhurat nga kjo taksë duhet të dedikohen për të ndihmuar kategoritë sociale më të cënueshme, siç është komuna e Obiliqit. Energjia elektrike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë (era dhe dielli) është tashmë konkurruese dhe investitorët nuk varen më nga subvencionet, por nga lejet e shpejta të ndërtimit, lidhja në rrjet, liberalizimi i tregut, etj. Çmimi i tregut të energjisë elektrike dhe legjislacioni adekuat tërheqin më shumë investitorë. Me çmimin e karbonit ky proces do të ishte edhe më i shpejtë.

Buletini Ekonomik: Ju, si njohës i respektuar dhe i vlerësuar i kësaj fushe, a besoni se Kosova në një mënyrë apo tjetër do t’i përmbushë këto vizione të tranzicionit, kur kihet parasysh se deri sivjet (fundi i 2023-tës) Kosova ka vetëm një park në bazë të erës 105 megavatësh në Shalë të Bajgorës dhe një tjetër me kapacitet simbolik 36 megavatësh në Kitkë të Kamenicës dhe disa hidrocentrale me fuqi minimaliste?

Janez Kopač: Kosova mund ta bëjë, nëse do të ketë vullnet politik për ta bërë.

Buletini Ekonomik: Cilin lloj të energjisë, asaj të erës, apo energjisë solare do i sugjeronit Kosovës për t’i dhënë prioritet në këto rrethana?

Janez Kopač: Të dyja, por nuk u takon politikanëve të vendosin, vetëm të përgatisin parakushtet e nevojshme, p.sh. planet hapësinore. Nëse një investitor duhet të ndërtojë një kabllo të gjatë të tensionit të lartë për të lidhur parkun e tij të erës me një rrjet publik të energjisë, një investim i tillë ka shumë të ngjarë të mos jetë fitimprurës dhe investitori do të zgjedhë më mirë vendndodhjet që janë më afër rrjetit publik energjetik. Autoritetet që duan të lehtësojnë investimet duhet të zbulojnë lokacione të tilla dhe të përgatisin planet e duhura hapësinore.

Buletini Ekonomik: Çka ju sugjeroni kosovarëve, çfarë ndihmash duhet kërkuar ata pos ndihmës financiare nga asociacionet ndërkombëtare financiare dhe nga komuniteti energjetik ndërkombëtarë? A ka kritere specifike që duhet t’i plotësojë Kosova për të thithur fonde nga BE-ja për tranzicionin e drejtë?

Janez Kopač: BE-ja ende nuk ka dedikuar ndonjë fond specifik për tranzicionin e drejtë të vendeve jashtë BE-së. Në këtë drejtim duket se do të shkojë edhe ndihma e fundit financiare për Ballkanin Perëndimor në shumën prej 6 miliardë eurosh, e cila së fundmi u njoftua nga presidentja e Komisionit Ursula von der Layen. Besoj se kushti i parë do të jetë që vendi që synon fonde të ketë një Plan Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP) të besueshëm me objektivat 2030 dhe 2050. Kosova nuk e ka krijuar ende një të tillë.

Buletini Ekonomik: Si mendoni ju se do të ngulitej më shpejtë dhe më efektshëm te kosovarët urgjenca për tranzicionin energjetik? A mendoni se edhe popullsia e gjerë duhet të krijojë sa më shpejtë ndërdijen për të pasur energji të rinovueshme si domosdoshmëri e zhvillimeve energjetike në botë. Si do të arrihej, thjesht kjo, dhe si do të duhej bërë edukimi i kosovarëve për ta kuptuar më mirë dhe më shumë tranzicionin?

Janez Kopač: E përmenda tashmë se besoj se fondet e mbledhura nga taksimi i emetimeve të karbonit duhet të përdoren për të ndihmuar çdo qytetar që ta përdorë energjinë elektrike në mënyrë më efikase, të ndihmohen konsumatorët nga kategoritë e cënueshme për ta përballuar çmimin e rritur të energjisë dhe të ndihmohen zonat më të prekura nga ky proces. /Buletini Ekonomik/