Fondi Monetar Ndërkombëtar tha të mërkurën se e nxitur nga shkalla e përmirësuar e vaksinimit, rivendosja e lirisë së lëvizjes, veprimet politike dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga diaspora, ekonomia e Kosovës po ripërtërihet nga recesioni i saj më i thellë në një dekadë.
Në raportin për Kosovën thuhet se pas tkurrjes prej 5.3 për qind në vitin 2020, Bruto Prodhimi i Brendshëm (GDP) real parashikohet të jetë rritur me 7.5 për qind në vitin 2021. Përgjigja fiskale ndaj pandemisë siguroi rrugë shpëtimi për familjet dhe kompanitë dhe zbuti ndikimin e goditjes tek ata që u prekën më shumë nga pandemia.
Fondi thekson se politika fiskale u vu në një pozicion pothuajse të balancuar në vitin 2021 nga një deficit prej afërsisht 8 për qind të GDP-së në vitin 2020.
Raporti thekson se vështirësitë ekonomike u kompensuan më shumë nga të hyrat e jashtëzakonshme nga diaspora dhe rritjet e qëndrueshme të kredive për sektorin privat. Inflacioni në vitin 2021 duket të jetë rritur në më shumë se 5 për qind për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Me rezerva të kapitalit dhe likuiditetit si dhe shkallë të ultë të kredive me probleme, sektori bankar ka qenë i qëndrueshëm në përgjithësi, thuhet në raport.
Aktiviteti ekonomik parashihet të rritet me 3.8 për qind në vitin 2022, i nxitur pjesërisht nga ‘momentumi’ i fortë ekonomik në vitin 2021, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se pandemia vazhdon të paraqesë rrezikun kryesor, por pasojat e saj tani pritet të jenë më të pakta, pasi të hyrat nga diaspora qenë më të mëdha sesa pritej. Politikat strukturore, përfshirë luftimin e informalitetit dhe krijimin e kushteve për ekonomi të gjelbër, mund të zbusin efektet afatgjata të pandemisë.
Në raport kërkohet forcimi i transparencës së shpenzimeve dhe përcaktim më i mirë i veprimeve të synuara të politikave në kuadër të “Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike” dhe ligji i ri për pagat publike duhet të përmbajë faturën e pagave brenda kufirit ligjor. Rreziqe të tjera fiskale përfshijnë rishikimin e vazhdueshëm të ligjit për pagat dhe rregullimin e çështjes së përfitimeve të veteranëve të luftës, të cilat vazhdojnë të shkelin kufirin ligjor prej 0.7 për qind të GDP-së.
Fondi mes tjerash thekson se ndër përparësitë fiskale afatmesme duhet të jenë zgjerimi i bazës tatimore dhe forcimi i transparencës fiskale, ndërsa të ardhurat e paplanifikuara të siguruara nga diaspora duhet të përdoren për të mbyllur boshllëqet e infrastrukturës sociale dhe ekonomike.
Në raport theksohet se të hyrat nga diaspora nuk mund të jenë motori kryesor i rritjes ekonomike dhe se shtimi i burimeve të kësaj rritjeje, kërkon përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e investimeve publike dhe që sistemi arsimor të përshtatet me nevojat e ekonomisë.
Synimet e Kosovës për të reduktuar emetimet e karbonit janë të lavdërueshme, thuhet mes tjerash në raport në të cilin nënvizohet se përparësi është instalimi i filtrave në termocentralet me bazë linjiti në bashkëpunim me BE-në.