Janë disa industri që rrezikojnë të mbeten pa punetorë të kualifikuar, nëse trendi i emigrimit vazhdon. Ato janë TIK-u, kujdesi shëndetësor, gastronomia dhe ndërtimtaria. Në fakt, disa prej këtyre industrive paraqesin edhe nevojën më të madhe për punëtorë në Gjermani, Slloveni e Kroaci, ku edhe trendi i emigrimit është më i madh, thotë Jeton Mehmeti, drejtor për hulumtime në Institutin GAP. Sipas tij, teprica e fuqisë punëtore e Kosovës duhet të shndërrohet në një aset për bizneset e Kosovës, për të marrë projekte në vendet ku ka një deficit të punës ose për të tërhequr Investime të Huaja Direkte (IHD).
(Intervista e Buletinit Ekonomik me drejtorin për hulumtime në Institutin GAP, Jeton Mehmetin)
Mehmet GJATA
Numri i kërkesave për vizë pune nuk do të thotë që do të përkthehet në po aq viza pune. Gjermania ka vendosur një kuotë prej 25.000 viza pune në vit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo nënkupton se pavarësisht interesimit të madh, numri i vizave të punës për qytetarët e Kosovës që lëshohen në baza vjetore sillet rreth 5-6 mijë në vit, ka shpjeguar në një intervistë për Buletinin Ekonomik, drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti.
Sipas Mehmetit, nga hulumtimet që janë bërë me qytetarët e Kosovës mbi motivet e migrimit, niveli i pagës, mundësitë e zhillimit n karriere dhe kushtet më të mira për jetë, përmenden si shtytësit kryesor për të emigruar.
Interesimi për viza pune në Gjermani nuk është dukuri e re.. Papunësia në Kosovë, sidomos në mesin e të rinjëve dhe grave, mbetet mjaft e lartë. Shkalla e të papunëve të diplomuar është po ashtu e lartë.
“Ajo çfarë ne kemi vërejtur është se në vendin tonë shkalla e mospërputhjes mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës është po ashtu mjaft e lartë. Kjo nënkupton se nuk kemi arritur të harmonizojmë arsimin me tregun e punës, nuk kemi ofruar mjaft programe për trajnim dhe aftësim për profesionet në kërkim nga tregu i punës, dhe nuk kemi arritur të vendosim meritokraci në punësimet publike”, thotë ai në intervistën për Buletinin Ekonomik..
Jeton Mehmeti thekson në këtë intervistë se teprica e fuqisë punëtore në Kosovë, duhet të shndërrohet në një aset për bizneset e Kosovës për të marrë projekte në vendet ku ka një deficit të punës ose për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte (IHD). Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan ose një strategji për të zvogëluar emigrimin e atyre nga profesionet që kanë deficite të fuqisë punëtore dhe produktivitet të lartë. Strategjia duhet të sjellë stimuj të ndryshëm, siç janë grantet për bizneset fillestare (start-up) dhe/ose masa të tjera të politikave që do ta mbajnë fuqinë punëtore në Kosovë.
Intervistën e plotë me Jeton Mehmetin, mund ta lexoni në vijim:
Buletini Ekonomik: Sipas të dhënave të juaja, numri i kërkesave për leje pune të paraqitura nga qytetarët e Kosovës në Agjencinë Federale të Punësimit të Gjermanisë përbën 30% të të gjitha aplikacioneve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Doemos, që edhe numri i kosovarëve që kërkojnë punë dhe strehim edhe në shumë vende të tjera të Perëndimit është shumë i madh, madje edhe enorm. Ç’shpjegim keni ju dhe Instituti GAP rreth këtyre fakteve?
Jeton Mehmeti: Kjo ndërlidhet me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, që është një politikë e Gjermanisë për të tërhequr punëtorë të kualifikuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtu duhet të bëjmë një dallim esencial. Numri i kërkesave për vizë pune nuk do të thotë që do të përkthehet në po aq viza pune. Gjermania ka vandosur një kuotë prej 25.000 viza pune në vit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo nënkupton se pavarësisht interesimit të madh, numri i vizave të punës për qytetarët e Kosovës, që lëshohen në baza vjetore, sillet rreth 5-6 mijë në vit.
Buletini Ekonomik: Më konkretisht, si do ta komentoni migracionin kaq të numërt të kosovarëve edhe në këto kohët e fundit. Pse mendoni se bëhet kjo ikja kaq e numërt nga Kosova e vogël edhe për nga numri i banorëve?
Jeton Mehmeti: Nga hulumtimet qe janë bërë me qytetarët e Kosovës mbi motivet e migrimit, niveli i pagës, mundësitë e zhillimit në karrierë dhe kushtet më të mira për jetë, përmenden si shtytësit kryesor për të emigruar. Interesimi për viza pune në Gjermani nuk është dukuri e re. Tani mund të jenë grumbulluar më shumë aplikacione për shkak të kufizimeve në lëvizje si pasojë e pandemisë gjatë vitit 2020, por ne kemi hulumtuar trendin e emigrimit që nga viti 2016, kur ka hyrë në fuqi Rregullorja e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, dhe kemi parë se në secilin vit, kosovarët kanë prirë në krahasim me shtetet e rajonit për nga numri i aplikacioneve të parashtruara pranë Agjencisë Federale të Punësimit në Gjermani.
Buletini Ekonomik: Cilat janë shkaqet e braktisjes së vendit nga kaq shumë kosovarë?
Jeton Mehmeti: Papunësia në Kosovë, sidomos në mesin e të rinjëve dhë grave mbetet mjaft e lartë. Shkalla e të papunëve të diplomuar është po ashtu e lartë. Ajo çfarë ne kemi vërejtur është se në vendin tonë shkalla e mospërputhjës mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës është po ashtu mjaft e lartë. Kjo nënkupton se nuk kemi arritur të harmonizojmë arsimin me tregun e punës, nuk kemi ofruar mjaft programe për trajnim dhe aftësim për profesionet në kërkim nga tregu i punës, dhe nuk kemi arritur të vendosim meritokraci në punësimet publike. Shkalla e atyre që mendojnë se punësimi në sektorin publik është meritë ë shkollimit dhë aftësive profesionale është shumë e ulët në krahasim me shkallën e atyre që besojnë se lidhjet familjare e partiake janë esenciale për punësim në sektorin publik. Dhe kjo duhet të ndryshojë në mënyrë që të rritet besimi në proceset rekrutuese.
Buletini Ekonomik: Me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, a rrezikohet Kosova të mbesë pa krahë pune dhe pa kuadro të nevojshme, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht?
Jeton Mehmeti: Janë disa industri që rrezikojnë të mbeten pa punëtorë të kualifikuar, nëse trendi i emigrimit vazhdon. Ato janë TIK-u, kujdesi shëndetësor, gastronomia dhe ndërtimtaria. Në fakt, disa prej këtyre industrive paraqesin edhe nevojën më të madhe për punëtorë në Gjermani, Slloveni e Kroaci, ku edhe trendi i emigrimit është më i madh.
Buletini Ekonomik: Sipas GAP-it, çka duhet bërë Kosova urgjentisht dhe çka në periudha afatmesme dhe afatgjate, për të ndalur dhe për ta ulur në njëfarë mase numrin e migrantëve të këtyre ditëve?
Jeton Mehmeti: Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK) duhet të vlerësojë dhe parashikojë siç duhet nevojat e tregut të punës në Kosovë. Për ta bërë këtë, APK-ja duhet të mbledhë të dhëna gjithëpërfshirëse për vendet e lira të punës dhe shkallën profesionale dhe arsimore të të papunëve. Ajo duhet të kryejë anketa të rregullta/periodike me bizneset ose shoqatat e biznesit në lidhje me nevojat aktuale dhe të parashikuara të punës. Bashkëpunimi me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, agjencitë lokale të punësimit, OJQ-të dhe odat e tregtisë, është thelbësor për të siguruar rezultate të shpejta dhe me kosto efektive.
Ministria e Punës në Kosovë duhet t’i përdorë të dhënat nga APK-ja për të hartuar politikat e migracionit të fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës. Për më tepër, kur lidhen marrëveshje bilaterale të migracionit, Ministria e Punes duhet t’i mbrojë të drejtat e emigrantëve, të ndajë koston e migracionit të punës (udhëtimin, kurset gjuhësore, etj.), dhe të hartojë procedura të shpejta dhe të parashikueshme të migracionit. Marrëveshjet e punës sezonale mund të shihen si një mundësi për profesionet ku Kosova ka shkallë të ulët të papunësisë.
Qeveria e Kosovës duhet t’i mbështesë ndërmarrjet kosovare për të krijuar degë në Gjermani dhe në vendet e tjera të BE-së, për të marrë përsipër punë në ato vende duke punësuar njerëz me kualifikime të larta ose me kualifikime të ulëta nga Kosova. Teprica e fuqisë punëtore e Kosovës duhet të shndërrohet në një aset për bizneset e Kosovës për të marrë projekte në vendet ku ka një deficit të punës ose për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte (IHD). Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan ose një strategji për të zvogëluar emigrimin e atyre nga profesionet që kanë deficite të fuqisë punëtore dhe produktivitet të lartë. Strategjia duhet të sjellë stimuj të ndryshëm siç janë grantet për bizneset fillestare (start-up) dhe/ose masa të tjera të politikave që do ta mbajnë fuqinë punëtore në Kosovë. /Buletini Ekonomik/