Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se sot është kthyer në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, ndërkohë që për gjendjen e turbinës thotë se është e mirë dhe se nuk ka pasur nevojë për balancim.
Ai gjithashtu thotë se pas kthimit të B2-shit për çdo orë do të paguhen rreth 50 mijë euro import më pak, ndërsa deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas.
“Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!”, përfundon njoftimi i tij.
KEK: Blloku B2 është duke prodhuar me kapacitet të plotë
Ndërkohë, edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se blloku B2 është duke funksionuar në gjendje stabile.
Përmes një njoftimi në facebook, KEK ka bërë të ditur se blloku B2 është duke prodhuar energji me kapacitet të plotë.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se pas përfundimit të punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe pas testimeve të njëpasnjëshme që zakonisht realizohen pas një remonti të tillë, njësia prodhuese B-2 në Termocentralin Kosova B, mbrëmë rreth orës 23:55 është sinkronizuar me rrjetin energjetik. Aktualisht njësia B-2 është duke prodhuar me kapacitet të plotë dhe gjendja e saj është stabile”, shkruan në njoftimin e tyre./Buletini Ekonomik/