Maqedonia e Veriut paralajmëron bllok tarifa, Kosova i kishte larguar të njëjtat më 2017

Komisioni rregullator për energjetikë dhe resurse të ujit (KRRE) në Maqedoni të Veriut paralajmëroi se në fund të janarit ose në fillim të shkurtit do të vendosë bllok tarifa, me të cilat do të sigurohet konsumi i energjisë elektrike me çmim më të ulët. E Kosova i kishte larguar bllok tarifat që në vitin 2017.

Siç kumtoi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, kufizimet nuk janë opsion.

Bislimovski në një konferencë për shtyp kumtoi se energjia elektrike për amvisëritë do të rritet për 9,48 për qind, ndërsa nga 1 janari do të hiqet edhe tarifa e lirë ditore. Me këtë vendim, KRRE beson se nuk do të ketë nevojë për rritje të re të çmimeve, por do të monitorohet gjendja e tregut.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kryetarit të KRRE-së, tarifa e lirë brenda natës dhe të dielën mbetet dhe asnjëherë nuk është vënë në dyshim, ndërsa nëse nuk hiqet tarifa e lirë ditore nga ora 14:00 deri në 16:00, çmimi i energjisë elektrike do të duhej të rritet për 14.23 për qind.

Ndryshe, bllok tarifat ishin pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike edhe në Kosovë. Ato u larguan në vitin 2017, pas kërkesave të vazhdueshme të një pjese të shoqërisë civile, opozitës dhe konsumatorëve.

Bllok tarifat parashihnin që kur një familje shpenzonte më shumë se 600 kWh energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 kWh në muaj.

Bllok tarifat aplikohen nga shumë vende në botë, pasi nxisin kursimin e energjisë elektrike nga konsumatorët për shkak të rregullit të thjeshtë: ai që shpenzon më pak rrymë, paguan më lirë çmimin e kilovatit të shpenzuar. /kosovo.energy/