Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka vendosur të subvencionojë qytetarët dhe bizneset e Kosovës me 75 milionë euro, në emër të mbrotjes së tyre nga rritja e tarifave të energjisë, të propozuara dje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Sipas një njoftimi nga Ministria e Ekonomisë, subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, ato zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike, përcjell Buletini Ekonomik.
Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë, nga ministria në fjalë thuhet se do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor të mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet po ashtu me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZrrE-ja për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.
Kujtojmë se dje Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si institucion i pavarur përgjegjës për përcaktimin e tarifave për konsumatorët fundor në Kosovë, ka lëshuar Raportin e saj Konsultativ për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e tremujorit të fundit të vitit 2021, kur Kosova ka importuar energji elektrike për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike mbi nivelin që mund të sigurohet nga kapaciteti gjenerues vendor dhe për të plotësuar rritjen e kërkesës si pasojë e motit të ftoftë.
Pas kësaj, kostoja e furnizimit me energji elektrike nga importet është ngritur ndjeshëm, duke ndikuar kështu edhe në koston e energjisë.
ZRRE-ja dje propozoi edhe rivendosjen e bllok tarifës deri në 600 KËh për konsumatorët e amvisërisë, si dhe që tarifat e energjisë elektrike të ngriten për 9% për të gjithë konsumatorët komercial dhe konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 KËh, ndërsa tarifat për konsumin e amvisërisë mbi 600 KËh do të reflektonin çmimin e importit.
“Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, qëllimi primar i subvencionit të ndarë nga Qeveria e Kosovës është për të mbrojtur veçanërisht konsumatorët e ndjeshëm nga ndikimi i çmimeve më të larta të energjisë elektrike”, përfundon komunikata e ministrisë. /Buletini Ekonomik/