Pranvera Dobruna-Kryeziu: Kosovës i nevojitet një termocentral me kapacitet rreth 400 megavatësh

Sipas ish-drejtoreshës së KEK-ut, Pranvera Dobruna-Kryeziut, Kosovës i nevojitet një burim energjetik fleksibil, që do të mund të mbulonte konsumin gjatë orëve të ngarkesës maksimale ose pikut, deri në 200 megavatë.

Buletini Ekonomik

Pranvera Dobruna – Kryeziu, , ish drejtoreshë e Korporatës Energjetike të Kosovës, në një intervistë për Buletinin Ekonomik thotë se sistemi energjetik i Kosovës ka pasur dështime fillimisht nga mos-sigurimi i investimeve të domosdoshme, që do të garantonin stabilitet energjetik në sektorin e energjisë.

Reklama e sponzorizuar

Prandaj, si rezulat i mosinvestimeve adekuate, Kosova ka arritur në një situatë që termocentralet ekzistuese të saj, të gëzojnë një besueshmëri shumë të ulët, dhe për pasojë ka edhe rënie të paplanifikuara të blloqeve.

Vet fakti se Kosova nuk ka burime energjetike fleksibile, që do të mund të aktivizoheshin në rastet e rënieve të blloqeve aktuale prodhuese, Dobruna Kryeziu thotë se me këtë, rritet nevoja e investimeve urgjente për të garantuar siguri të energjisë.

Sipas saj, Kosovës i nevojitet një termocentral me kapacitet rreth 400 MW, që do ta zëvendësonte Termocentralin ‘Kosova A’, i cili është dashur të mbyllej që në fund të vitiT 2017, për shkak të mosplotësimit të kushteve ambientale sipas direktivave të Bashkimit Evropian. Por, përpos kësaj, ajo thotë se Kosovës gjithashtu i nevojitet edhe një burim energjetik fleksibil, që do të mund të mbulonte konsumin gjatë orëve të ngarkesës maksimale ose pikut, deri në 200MW.

Ajo në këtë intervistë shprehet kundër opsionit të mundshëm për rehabilitimin e Termocentralit ‘Kosova A’. Sipas saj, rehabilitimi i A-së nuk duhet të jetë opsion, sepse teknikisht është i parealizueshëm dhe financiarisht i pajustifikueshëm, pasi teknologjia është shumë e vjetër, dhe se me çfarëdo rehabilitimi nuk mund të përmirësohet efiçienca në prodhim si dhe nuk mund të arrihen parametrat e pranueshëm sipas direktivave të BE-së. /Buletini Ekonomik/