Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, u miratua edhe projektligji për njohjen e stazhit të punës dhe marrëveshja për sigurimet shoqërore, apo për të drejtën për pension në Kosovë, për të gjithë të punësuarit kosovarë në Shqipëri, kur të arrijnë moshën e pensionimit.
Sipas qeveritarëve, ky projektligj ua mundëson të gjithë qytetarëve të të dyja vendeve t’i realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, ato familjare, si dhe ato invalidore.
Po ashtu, me anë të këtij projektligji, qytetarëve nga Kosova që kanë qenë të punësuar për një kohë të gjatë në Shqipëri, do t’iu mundësohet pensioni në Kosovë, pas arritjes së moshës për pensionim.
“Kjo mundëson që qytetarët e të dyja vendeve të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, familjare, invalidore, të punës; e drejta e pra edhe nga fondi i kursimeve pensionale individuale si dhe pushimin e lehonisë. Me anë të këtij projektligji, qytetarëve nga Kosova që kanë qenë të punësuar për një kohë të gjatë në Shqipëri do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë”, tha ministri Murati.
Ai shtoi se punëtorët nga Kosova që punojnë në Shqipëri po ashtu mund t’i bashkojnë periudhat e kontributeve, apo stazhin e punës. /Buletini Ekonomik/