Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën u morën disa vendime, shkruan Gazeta Express.
Një ndër vendimet e marra sot është ai për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti nga shumat aktuale në shumën prej 100 euro, për pensionet bazike; pensionet e aftësisë së kufizuar; pensionet familjare; dhe pensionet invalidore të punës.
Me miratimin e këtij vendimi, në Kosovë nuk do të ketë më pensione nën shumën prej 100 eurove.
Të gjitha vendimet:
Një projektligj, një koncept-dokument dhe shtatë vendime të ndryshme nga fusha të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore u miratuan në mbledhjen e 54-të të Qeverisë, të parën për këtë vit.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu keqardhjen për aksidentin e mbrëmshëm të autobusit me udhëtarë nga Kosova, në vendin Kupci i Madh, afër Krushevcit, në Serbi.
“Sipas informatave, fatmirësisht të gjithë udhëtarët e lënduar, janë jashtë rrezikut për jetë.
Është koha e kthimit të mërgatës sonë në vendet, ku ata jetojnë dhe punojnë. Shpirtërisht jemi me ta, derisa ata kalojnë mijëra kilometra në këto kohë të acarta të dimrit.
Sakrifica, kontributi, mundi i tyre për të qëndruar sa më afër familjarëve në Kosovë, është për t’u admiruar.
Urojmë që udhëtimet e tyre të jenë sa më të lehta e të sigurta dhe, edhe njëherë, ju urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë të lënduarve.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm dhe do të bëjnë gjithçka dhe çdo gjë, që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, tha kryeministri.
Në vazhdim të mbledhjes u miratua Projektligji për pronën publike, i cili rregullon të drejtën pronësore publike dhe të drejtat e tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive tjera të vetëqeverisjes lokale, duke përcaktuar edhe të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre subjekteve. Projektligji përkufizon pronën publike, si dhe përcakton formën e deponimit dhe të shfrytëzimit të kësaj prone.
Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme ka marrë edhe plotësimi dhe ndryshimi i Vendimit të Qeverisë për Themelimin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Me ndryshimet e miratuara znj. Leonora Selmani emërohet kryesuese e këtij komisioni, ndërsa znj. Minire Begaj, kryesuese e deritashme emërohet anëtare e këtij Komisioni.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Komisionin e përzgjedhjes për rekomandim të kandidatëve për kryetarë dhe të katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Alban Nevzati, kryesues, Leonita Shabani – Mullarama anëtare, Isuf Zejna, anëtar, Enis Spahiu anëtar, dhe Imer Shevelli, anëtar.
Në mbledhje u miratua vendimi për themelimin e ‘Njësisë për Ekspertizë’ në kuadër të Sekretariatit Koordinues të Qeverisë të Zyrës së Kryeministrit, si strukturë përgjegjëse qeveritare me qëllim të mbështetjes së institucioneve në fusha specifike dhe deficitare, përmes angazhimit të ekspertëve vendorë dhe të huaj.
Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të ‘Njësisë për Ekspertizë’ do të jenë në identifikimin e nevojave të institucioneve publike për ekspertizë dhe të tregut të ekspertëve brenda dhe jashtë vendit; administrimin e procesit të angazhimit të ekspertëve me qëllim të përmbushjes së kërkesës për ekspertizë përmes ofertës së tregut; dhe përgjegjësi të tjera, të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe nga menaxhmenti i ZKM-së.
Në vazhdim të mbledhjes është miratuar vendimi për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti nga shumat aktuale në shumën prej njëqind (100) euro, për pensionet bazike; pensionet e aftësisë së kufizuar; pensionet familjare; dhe pensionet invalidore të punës. Me miratimin e këtij vendimi, në Kosovë nuk do të ketë më pensione nën shumën prej 100 eurove.
Më kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, është miratuar vendimi për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, prej datës 01.01.2022 deri më 31.08.2022.
Është themeluar Këshilli Kombëtar për Ndryshimet Klimatike në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili është përgjegjës për përcjelljen dhe zbatimin e dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshimet klimatike në përputhje me angazhimet në kuadër të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Marrëveshjes së Parisit dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Këshilli përbëhet nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës, që do të kryesojë Këshillin; Ministri i Ekonomisë; Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve; Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal; dhe Ministri i Shëndetësisë.
Vendimi për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit për interes publik është miratuar në mbledhjen e sotme. Ky vendim aprovon shqyrtimin e mëtejmë të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore “OPB Mirusha” të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e objektit të Qendrës për pajisje me dokumente dhe të Qendrës për regjistrimin e automjeteve në Malishevë.
Ka marrë miratimin edhe Koncept dokumenti për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Koncept dokumenti rekomandon që të rregullohet ligjërisht mbledhja dhe përpunimi i informacioneve të rëndësishme për sigurinë e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo do të jetë edhe një vlerë e shtuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e mandatit dhe misionit të saj.