ATK: Për 12 ditë, 88 punëtorë kanë denoncuar punëdhënësit për mosregjistrim të punëtorëve

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se pas lansimit të aplikacionit elektronik për verifikimin e punëtorëve, nëse janë të deklaruar apo regjistruar nga punëdhënësit e tyre, janë raportuar gjithsej 88 raste denoncuese nga punëtorët për pundhënësit.

Të gjitha këto raste të denoncimit, sipas ATK-së, janë raportuar për vetëm 12 ditë, përcjell Buletini Ekonomik.

Në një njoftim për media nga ATK-ja, thuhet se bazuar në projektin për formalizimin e punësimit, ndër arsyet kryesore që kanë kontribuar që punësimi joformal të trajtohet si i tillë janë nën-deklarimi i pagave, pagesa e pagave në dorë, të punësuarit pa kontrata pune, etj.

Reklama e sponzorizuar

Nga ATK-ja theksojnë tutje se të gjitha pikat e përmendura, janë evidentuar edhe në raportet dhe anketat e bëra nga Banka Botërore, raportet e financuara nga Bashkimi Evropian, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Akademia e Shkencave të Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, si dhe nga Institucionet tjera, dhe të gjeturat e ATK-së në terren.

“ATK fton të gjithë punëtorët që t’i bashkohen kampanjës së ATK-së, duke shfrytëzuar këtë aplikacion, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që t’i ulim statistikat e punëtorëve të pa formalizuar, duke mundësuar realizimin e të drejtës tuaj për një të ardhme me një pensionim të sigurtë”, përfundon njoftimi i tyre. /Buletini Ekonomik/