Emanuel Bajra: Bursa e Kosovës duhet të jetë e pavarur dhe Kosova ka nevojë për këtë entitet

“Një treg i kapitaleve i menaxhuar nga Bursa e Kosovës/Prishtinës dhe i kontrolluar nga Fondi Sovran, i mbështetur nga një bazë likuide nga valuta dixhitale e Kosovës, bankat komerciale dhe Trusti, do të ishte një mrekulli ekonomike e financiare për vendin tonë”.

(Intervistë e Buletinit Ekonomik me Emanuel Bajrën, njohës i tregjeve financiare)

Agon Sinanaj

Reklama e sponzorizuar

“Krijimi i tregut të kapitalit nuk është i lehtë. Por, megjithatë nuk është edhe i pamundur të krijohet sepse të mos harrojmë që “brumin” e kemi, e që janë kompanitë, shpirti ndërmarrës i bizneseve tona. E kemi Fondin Sovran që do ta mundësojë një ri-pozicionim të ekonomisë së Kosovës brenda dhe jashtë, pasi që të gjitha asetet kombëtare të vendit do të deshifrohen e ri-vlerësohen, si dhe e kemi infrastrukturën e mirë fizike dhe financiare pasi që kemi sistem bankar me kapital depozitues të konsiderueshëm, qarkullim efektiv të transaksioneve si edhe një nivel të respektueshëm të kredi-marrjes dhe kreativitetit, si dhe një konsumator të etshëm për diçka të re”, thotë në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik, Emanuel Bajra, njohës i mirë i tregjeve financiare.

Sipas tij, Tregu i kapitalit do të mund të ishte entitet i integruar brenda bursës së Kosovës/Prishtinës me indeksim të 20 kompanive më profitabile.

Duke u përgjigjur në interesimin e Buletini Ekonomik se a duhet të ekzistojë dyshim e frikë nga mungesa e përvojës dhe të njohurive bazë për të administruar Tregun e Kapitalit, Emanuel Bajra thotë se e kupton shqetësimin.

“Ne mund të fillojmë me pak. Si alternativë e dytë brenda mundësive dhe potencialeve që i kemi. Ta zëmë Fondi Sovran krijon një mekanizëm brenda dikasterit të Financiave dhe Investimeve, që do të merrej me organizimin e një mase të caktuar të likuiditetit për tregun e kapitalit – pra, krijohet një Pool-of-Money sistem, ta zëmë €200mln ku kompanitë marrin pjesë si entitete biznesore me objektiv rritjen e apetitit për likuiditet. Këto kompani i indekson Fondi ndërsa në të njejtën kohë Fondi do të mund të përcaktonte kritere të fuqishme të strukturimit transparent të këtyre kompanive, bordeve të këtyre kompanive, ku do të mund të bëhej edhe kualifikimi i metriksit të përfitueshmërisë së këtyre kompanive përpara se këto të merrnin pjesë në Pool-of-Money”, shprehet ai.

Pra, mund ta fillojmë edhe me një sistem “Arrnimi” por me kritere dhe aspekt juridik të mbuluar mirë duke i përfshirë edhe bankat komerciale si entitete të tregjeve. “Bankat gjithsesi se duhet të jenë pjesë përbërëse e strukturës së re të një tregu të kapitalit kosovar” thotë Bajra.

Sipas Emanuel Bajrës, karakteri i këtyre entiteteve si për shembull tregu i kapitaleve, bursa, fondi etj., janë relativisht koncepte edhe praktika të reja në Kosovë.

“Unë mendoj, edhe kam besim, që disa entitete brenda Qeverisë së Kosovës kanë apetit edhe kuriozitet që të eksplorohen më tej këto iniciativa, por megjithatë, duhet të jemi të durueshëm dhe të presim edhe një kohë, sepse janë edhe disa prioritete tjera që janë programuar shumë më herët nga kjo qeveri.

“Unë personalisht jam i padurueshëm edhe për nga natyra kur vie puna te promovimi i këtyre ideve mbi Fondin, Bursën dhe Tregun e Kapitalit dhe nuk do të ndalem deri kur ta gjejmë mënyrën më të mirë për t’i krijuar këto entitete vitale financiare për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, thotë ai në këtë intervistë.

Bajra vlerëson se ne nuk duhet të marrim pjesë në asnjë iniciativë tjetër financiare në nivelin ballkanik ose evropian pa i themeluar entitetet tona sikurse Fondi Sovran dhe Bursa e Kosovës/Prishtinës. Pra, sipas Bajrës, tregu i kapitaleve dhe Bursa duhet të jenë një entitet, dhe këto si segmente të rëndësishme financiare-ekonomike duhet të themelohen si institucione brenda sovranitetit tonë ekonomik, pra brenda shtetit të Kosovës e jo të shkrihemi në ndonjë entitet tjetër, sepse kjo do të ketë rrezik për vlerësimin korrekt të pasurisë sonë kombëtare, por po ashtu, edhe keqaproprimin e bizneseve tona, pronës intelektuale të kompanive tona si edhe sovranitetit tonë juridik-ekonomik.

Bajra në këtë intervistë e shpreh besimin me gjithë qenien e tij se  krijimi i Fondit Sovran dhe Bursës së Kosovës do t’i hapë vendit perspektiva të paimagjinueshme ndonjëherë më parë në historinë tonë. Sepse, siç thotë ai, e ardhmja është teknologjia dhe dislokimi i ekonomive globale nga ajo rudimentare në dixhitale (dhe ne si Kosovë kemi një rini shumë të edukuar dhe të uritur në këtë aspekt) dhe e dyta, Kosova ka pasuri minerale por edhe shpirt ndërmarrësie më të shëndetshmin në Ballkan, kemi edhe një vend që është më demokratiku në hemisferën e Evropës jug-lindore dhe qëndrore, institucione të qëndrueshme dhe potencial për krijimin e bazës ligjore për një zhvillim të tillë.

Ai apostrofon me këtë rast edhe potencialin e ristrukturimit të remitancave nga diaspora, që është mëse e nevojshme të bëhet në mënyrë që i gjithë kapitali të zhvendoset në tregun e kapitaleve, Fondin sovran dhe Bursën e Kosovës.

Intervistën e plotë me Emanuel Bajrën dhënë Buletinit Ekonomik, mund ta lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Cilat do të ishin përfitimet e Kosovës, ekonomisë së saj, nga Tregu i Kapitalit?

Emanuel Bajra: Së pari duhet ta kemi parasysh se çfarë strukture të tregut duhet të ndërtojmë dhe më pastaj t’i marrim parasysh potencialet dhe kapacitetet e kompanive pjesëmarrëse në këtë treg. Unë e ndaj këtë proces në tri faza:

  1. Indeksimi i gjithë kompanive kosovare në treg që do të duhej të marrin pjesë në një familje të madhe të kapitalit. Kemi gjithsej 216.000 kompani të regjistruara në Kosovë. 185.000 janë aktive, prej tyre 82.000 janë kompani pa arkë fiskale, 7.000 nuk kanë datë regjistrimi, 8.000 nuk kanë aktivitete të regjistruara të biznesit, 500 sosh nuk kanë pronar – pra, plot 97.500 kompani janë një potencial i humbur i ekonomisë së Kosovës. Këto kompani duhet të konsolidohen brenda sistemit të indeksimit për kapital-vlerësues.
  2. Duhet të krijohet një ndërlidhshmëri direkte në mes të bankave komerciale dhe bizneseve nëpërmjet bursës së Kosovës ose Prishtinës, sido që ta quajmë.
  3. Na duhet një institucion rregullator i tregut të kapitalit e që për mendimin tim, këtë rol duhet ta luajë Fondi Sovran i Republikës së Kosovës që është në krijim e sipër. Nëse ta zëmë se prej 185.000 kompanive të regjistruara e të indeksuara, të strukturuara me referencë specifike të përfitimit në Yield/kapital, vlerë borxhesh, kosto borxhesh, ekuitet etj., dhe mbi këto kompani kemi përafërsisht 50 kompani tjera multimilionëshe me aktivitet të dendur dhe fitim-prurës, atëherë unë llogaris që ‘turnover’ ose qarkullimi veç i kapitalit brenda tregut kosovar për një vit, do të mund të kapte shifra multi-milionëshe edhe miliardëshe duke e përfshirë edhe vlerën e konvertibilitetit në valutat e jashtme. Por, megjithatë përfitimi më i madh për Kosovën do të ishte konsolidimi i bizneseve në një strukturë institucionale të indeksuar që për investitorët e jashtëm do të ishte joshës. E kam fjalën këtu për investitorë serioz!

Buletini Ekonomik: Si do të operonte dhe funksiononte Tregu i Kapitalit në Kosovë, ky institucion kaq kompleks dhe i ndërlikuar financiar. Në këtë kontekst, a ka Kosova potencial real me kuadro për të krijuar Tregun e Kapitalit dhe cilat do të ishin, sipas jush vështirësitë dhe sfidat e fillimit të punës së këtij institucioni financiar?

Emanuel Bajra: Ke të drejtë! Krijimi i këtij entiteti financiar nuk është i lehtë. Por, megjithatë nuk është edhe i pamundur të krijohet, sepse të mos harrojmë që “brumin” e kemi, e që janë kompanitë, shpirti ndërmarrës i bizneseve tona. E kemi Fondin Sovran që do ta mundësojë një ri-pozicionim të ekonomisë së Kosovës brenda dhe jashtë pasi që gjitha asetet kombëtare të vendit do të deshifrohen e ri-vlerësohen, si dhe e kemi infrastrukturën e mirë fizike dhe financiare pasi që kemi sistem bankar me kapital depozitues të konsiderueshëm, qarkullim efektiv të transaksioneve si edhe një nivel të respektueshëm të kredi-marrjes dhe kreativitetit si edhe një konsumator të etshëm për diçka të re. Tregu i kapitalit do të mund të ishte entitet i integruar brenda bursës së Kosovës/Prishtinës me indeksim të 20 kompanive më profitabile si psh: (PriStock 20), pastaj do të kishim indeksuar 100 kompanitë tjera (PriStock 100) si edhe TechStockPri 50, AgriStockPri 100 dhe All-in-All-PriStock 000. Çka janë gjitha këto? Prej 185,000 kompanive pjesëmarrëse, indeksimi i tyre do të ishte kategorizuar në bazë të sektorit që këto kompani operojnë, pastaj Fondi Sovran nëpërmjet kontrollimit të sistemit vlerësues të burimeve të kapitalit, do të mund të përcaktonte vlerën monetare të çdo entiteti biznesor me pjesëmarrje direkte në tregun e brendshëm të kapitaleve, metriksin e kalkulimit të Ekuitetit, borxheve dhe obligimeve tjera etj. Pastaj si fazë tjetër, do të bëhej indeksimi i çdo kompanie pjesëmarrëse e që do të mund të mbarte me vete një numër reference brenda bursës, numër që në bazë të dinamikës së pjesëmarrjes në treg, e përcakton edhe vlerën e kësaj kompanie para dhe pas tregtimit. Pra, ta zëmë nëse Agon S Plc tregton me Emanuel B ltd në një ditë, duke shit-blerë në vlerë prej €20k secili, atëherë vlera e secilit përcaktohet e ekuilibruar në një transaksion paralel në ‘real time’, por merr vlerësim tjetër nëse Agon S Plc tregton me, ta zëmë Vala Co, dhe vlera e shit-blerjes (shërbime ose produkte) është €100k, ndërsa Emanuel B Ltd tregton me, ta zëmë Devolli Corp, me vlerë tregtimi prej €50k – ekuilibri këtu humbet pasi që Agon S Plc vlerësohet në fund të ditës së tregtimit me një metriks më të madh në bursë e kështu më rradhë.

Ne si Grup Punues për Fondin Sovran e kemi parashikuar themelimin e Akademisë së Fondit që do të mund të ndërtonte bazamentet për tregtarët e ardhshëm të aksioneve dhe akterët në tregjet financiare. Por, megjithatë ne kemi njerëz brenda sistemit bankar kosovarë që do të ishin të interesuar të merrnin pjesë në krijimin e bursës së Kosovës. Një valë dinamike e rekrutimit nga Fondi Sovran në të ardhmen, do të mund të ndihmonte në përshpejtimin e themelimit të Bursës. Por, më duhet të them edhe një gjë të rëndësishme këtu: Është vetë-shkatërruese për energjitë e krijuara dhe kohën që do të mund ta kishim shpenzuar për themelimin e tregut të kapitalit të Kosovës, nëse ne nuk krijojmë CBDC-në tonë ose valutën dixhitale të Kosovës. Kjo është nëna që do ta mundësojë lindjen e një tregu të kapitalit të suksesshëm të Kosovës. Por, natyrisht kjo është një temë tjetër që unë për një kohë të gjatë e kam shtyer dhe shtjelluar edhe me qeverinë e sotme.

Buletini Ekonomik: Pos mundësive goxha favorizuese dhe në njëfarë mënyre ndihmaçare për investitorët potencialë, cilat funksione të tjera konkrete do t’i kryente tregu i kapitalit për të qenë më shumë në krah të zhvillimit ekonomik të vendit?

Emanuel Bajra: Tregu me mënyrën se si unë e parashikoj si një arkitekturë e ndarë në dysh në ato elemente që merrë pjesë në tregun e jashtëm nëpërmjet PriStock 20 dhe atyre tjerave të brendshme, do të mund të krijonte mundësi të pa fundme për kompanitë tona brenda vendit, sepse këto kompani varësisht kreativitetit dhe potencialit për të përmbushur një vrimë të zbrazët në tregjet e jashtme, do të mund të ri-vlerësoheshin nëpërmjet mekanizmit të IPO-së në bursën e Londrës ose New Yorkut. Por, këtu është shumë me rëndësi të specifikojmë që të mos i bëjmë gabimet siç i bëjnë tregjet Anglo-Amerikane, pasi që ato po blehen nga kinezët ose evropianët por pa mbrojtje strategjike për strukturën e këtyre kompanive. Për shembull, ta zëmë Vala Corp përgatitet për IPO në LSE (London Stock Exchange), unë kisha propozuar që përpara IPO-së, kompania VALA Corp të shndërrohet në entitet përbërës i Fondit Sovran, pasi që Fondi do të kishte strategji të mbrojtjes së vlerës së aksioneve duke e përcaktuar pronësinë në aset strategjik kombëtar për Kosovën por edhe nëpërmjet sistemit ‘Golden Shares’ që Vala dhe Fondi do t’i kishin mbajtur brenda një kompanie që ishte blerë ta zëmë nga amerikanët ose anglezët. Pra, e njëjta strukturë e strategji ishte aplikuar me të gjitha kompanitë që marrin pjesë në tregjet e jashtme kapitale. Pra, ne duhet të ndërrojmë qasje kur vie puna te mënyra se si i përceptojmë investitorët e huaj dhe investimet e huaja – sepse ka kaluar koha kur investitorët shkojnë në një vend dhe ndjejnë një lidhje emocionale me atë vend vetëm pse ai vend ka kaluar luftën dhe ka vuajtur shumë – Jo, më vjen keq, investitorët do të shohin dy aspekte të rëndësishme: Interesin e kthimit në përfitim për investimin e tyre si dhe potencialin njerëzor, profesional e arsimor, sigurinë e investimeve, shtetin ligjor dhe nivelin e korrupsionit. Një treg i kapitaleve i menaxhuar nga Bursa e Kosovës/Prishtinës dhe i kontrolluar nga Fondi Sovran, i mbështetur nga një bazë likuide nga valuta dixhitale e Kosovës, bankat komerciale dhe Trusti, do të ishte një mrekulli ekonomike e financiare për vendin tonë.

Buletini Ekonomik: Në qarqet financiare të Kosovës, pse shfaqet akoma dyshim, mbase edhe frikë, nga mungesa e përvojës dhe të njohurive bazë për të administruar Tregun e Kapitalit. A duhet të ekzistojë, sipas jush, kjo drojë, e cila është dhe nuk mund të fshihet në mjediset e ndryshme financiare të vendit?

Emanuel Bajra: E kuptoj shqetësimin. Ne mund të fillojmë me pak. Si alternativë e dytë brenda mundësive dhe potencialeve që i kemi. Ta zëmë Fondi Sovran krijon një mekanizëm brenda dikasterit të Financiave dhe Investimeve që do të merrej me organizimin e një mase të caktuar të likuiditetit për tregun e kapitalit – pra, krijohet një Pool-of-Money sistem, ta zëmë €200mln ku kompanitë marrin pjesë si entitete biznesore me objektiv rritjen e apetitit për likuiditet. Këto kompani i indekson Fondi, ndërsa në të njëjtën kohë Fondi do të mund të përcaktonte kritere të fuqishme të strukturimit transparent të këtyre kompanive, bordeve të këtyre kompanive ku do të mund të bëhej edhe kualifikimi i metriksit të përfitueshmërisë së këtyre kompanive përpara se këto të merrnin pjesë në Pool-of-Money. Pra, mund ta fillojmë edhe me një sistem “Arrnimi” por me kritere dhe aspekt juridik të mbuluar mirë duke i përfshirë edhe bankat komerciale si entitete të tregjeve. Bankat gjithsesi se duhet të jenë pjesë përbërëse e strukturës së re të një tregu të kapitalit kosovar. Për bankat, pjesëmarrja në një entitet të tillë, do të jetë shumë fitim-prurës sepse ato do të mund të jenë mekanizmi më i qëndrueshëm për likuiditet konsistent, të mos harrojmë këtu edhe TRUSTIN. Ky fond pensional e ka obligim moral por edhe imperativ ekonomik, që të jetë pjesë e tregut të kapitaleve të Kosovës. Nuk ka nevojë për drojë, është e pa arsyeshme që kjo drojë ta mbizotërojë debatin se a duhet a jo të kemi tregje kapitale në Kosovë. Unë mendoj që më shumë ka të bëjë me konsumimin e madh që kemi pasur për 22 vjetët e kaluara, kohë kur kemi folur vetëm për çështje politike përderisa ekonominë e kemi lënë anash. Kohërat kanë ndryshuar tashmë. Duhet vetëm vullnet politik nga Qeveria, së pari me implementimin e rekomandimeve për Fondin dhe më pastaj me të tjerat iniciativa siç janë: Paraja dixhitale e Kosovës dhe Bursa.

Buletini Ekonomik: Pse në Kosovë nuk bëhet fare përpjekje, e kam fjalën sosh institucionale, për promovimin e rolit të rëndësishëm të tregut financiar duke zbërthyer kuptueshëm konceptin e Tregut të Kapitalit dhe detajet, siç është, bie fjala, blerja e letrave me vlerë dhe benefitet e aktivitetet e tjera tjera konkrete të Tregut të Kapitalit?

Emanuel Bajra: Unë mendoj që karakteri i këtyre entiteteve, si për shembull tregu i kapitaleve, bursa, fondi etj., janë relativisht koncepte edhe praktika të reja në Kosovë. Unë mendoj dhe kam besim që disa entitete brenda Qeverisë së Kosovës kanë apetit edhe kuriozitet që të eksplorohen më tej këto iniciativa, por megjithatë, duhet të jemi të durueshëm dhe të presim edhe një kohë, sepse janë edhe disa prioritete tjera që janë programuar shumë më herët nga kjo qeveri. Unë personalisht jam i padurueshëm edhe për nga natyra kur vie puna te promovimi i këtyre ideve mbi Fondin, Bursën dhe Tregun e Kapitalit, dhe nuk do të ndalem deri kur ta gjejmë mënyrën më të mirë për t’i krijuar këto entitete vitale financiare për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Por, natyrisht, si gjithnjë vullneti politik, prapë insistoj, është shumë i rëndësishëm të merret parasysh këtu.

Buletini Ekonomik: Pse, krahas Tregut të Kapitalit e shihni që në Kosovë është shumë e nevojshme që të krijohet bursa e Prishtinës. Pse nuk jemi të integruar si Kosovë në bursën e përbashkët të Ballkanit (brenda kësaj burse janë Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnja, Bullgaria), nuk na duan apo nuk jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të qenë pjesë e kësaj burse?

Emanuel Bajra: Jo. Kurrsesi. Ne nuk duhet të marrim pjesë në asnjë iniciativë tjetër financiare në nivelin ballkanik ose evropian pa i themeluar entitetet tona sikurse Fondi Sovran dhe Bursa e Kosovës/Prishtinës. Pra, tregu i kapitaleve dhe Bursa duhet të jenë një entitet, dhe këto si segmente të rëndësishme financiare-ekonomike, duhet të themelohen si institucione brenda sovranitetit tonë ekonomik, pra, brenda shtetit të Kosovës e jo të shkrihemi në ndonjë entitet tjetër sepse kjo do të ketë rrezik për vlerësimin korrekt të pasurisë sonë kombëtare, por po ashtu, edhe keqapropriimin e bizneseve tona, pronës intelektuale të kompanive tona si edhe sovranitetit tonë juridik-ekonomik. Me thënë të drejtën, aleancat e bursave nuk janë të suksesshme historikisht. Duhet të jenë të pavarura nga njëra-tjetra dhe në vend se ato të shikojnë gllabërimin e njëra-tjetrës, gjithë bursat e Ballkanit duhet të gjejnë mënyra më të mira për bashkëpunim dhe shit-blerje e zhvillim biznesi me njëra-tjetrën. Bursa e Kosovës/Prishtinës duhet të jetë entitet i pavarur dhe Kosova ka nevojë për këtë entitet.

Buletini Ekonomik: A mendoni se me ekzistimin e bursës krijohen mundësi reale për ristrukturimin e mirë të ekonomisë kosovare. Në këtë mënyrë, qytetarët e Kosovës kanë mundësi të bëhen bashkëpronarë të kompanive, edhe të huajave, që veprojnë në Kosovë. Dhe,sipas jush, a është bursa e vetmja mënyrë për të tërhequr investimet e jashtme?

Emanuel Bajra: Po. Edhe besoj me gjithë qenien time se krijimi i Fondit dhe Bursës së Kosovës do t’i hapë vendit perspektiva të paimagjinueshme ndonjëherë më parë në historinë tonë. E them këtë për dy arsye: E para, Sepse e ardhmja është teknologjia dhe dislokimi i ekonomive globale nga ajo rudimentare në dixhitale (dhe ne si Kosovë kemi një rini shumë të edukuar dhe të uritur në këtë aspekt) dhe e dyta, Kosova ka pasuri minerale por edhe shpirt ndërmarrësie, më të shëndetshmin në Ballkan, kemi edhe një vend që është më demokratiku në hemisferën e Evropës jug-lindore dhe qëndrore, institucione të qëndrueshme dhe potencial për krijimin e bazës ligjore për një zhvillim të tillë. Ndërmarrësia e qytetarëve tanë, vigjilenca dhe apetiti i konsumatorëve tanë, krijojnë mundësi të pa fundme për thithje të shëndoshë të kapitalit në treg, shkëmbime solide si edhe shpirt ndërmarrësie dinamik. Të mos harrojmë edhe potencialin e ristrukturimit të remitancave nga diaspora që është mëse e nevojshme të bëhet në mënyrë që i gjithë kapitali të zhvendoset në tregun e kapitaleve, fondin sovran dhe bursën e Kosovës.

Buletini Ekonomik: Ju keni qenë i angazhuar në grupin për hartimin e koncept-dokumentit për Fondin Sovran. Në një postim tuajin në rrjete sociale, keni thënë se pas Fondit Sovran, tash e ka kohën konstituimi i Bursës së Kosovës dhe Tregut të Kapitalit. A mund të na jepni më shumë detaje për këto plane? A do të punojë grupi i njëjtë edhe për hartimin e konceptit për Bursën e Kosovës dhe nëse po, kur pritet të filloni me punën në këtë drejtim?

Emanuel Bajra: Po. Siç e theksova më sipër, ekziston apetit për t’i konsoliduar edhe disa iniciativa tjera ekonomike për të ardhmen e mirë të vendit, por momentalisht të gjitha energjitë janë të fokusuara në krijimin e Fondit Sovran, që për mua si pasionant i zhanrit letrar Fantastiko-Shkencor, është sikurse ajo “Millennium Falcon Starship”, anije kozmike në Star Wars, që nëse e krijojmë Fondin ashtu siç e kemi dizajnuar si grup punues, atëherë mendoj unë që shumë dyer tjera do të hapen në të ardhmen dhe fytyra e ekonomisë së Kosovës do të ndryshojë për së miri, përgjithmonë. /Buletini Ekonomik/