Mikrofinancat fituan gjithsej 14.3 milionë euro gjatë vitit 2021

Euro

Sektori mikrofinanciar në Kosovë gjatë vitit 2021, saktësisht deri në dhjetor, ka arritur të regjistrojë 14.3 milionë euro fitim neto.

Nëse e krahasojmë me një muaj përpara, pra me muajin nëntor, kur profiti neto i institucioneve mikrofinanciare ishte 12.9 milionë euro, në muajin dhjetor në këto institucione fitimet u rritën për 1.4 milionë euro.

Bazuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “SISTEMIT FINANCIAR, INFORMATA MUJORE DHJETOR 2021”, shihet se të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 48.8 milionë euro në muajin dhjetor, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Krahasuar me një muaj më herët, pra me muajin nëntor, në muajin dhjetor të hyrat u rritën për 4.4 milionë euro, pasiqë deri në nëntor shuma e të hyrave tek institucionet mikrofinanciare ishte 44.4 milionë euro.

Nga gjithsej 48.8 milionë i të hyrave në muajin dhjetor, 43.4 milionë prej tyre ishin të hyra vetëm nga interesi.

Ndërkohë, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar në muajin dhjetor kapën vlerën e 34.5 milionë eurove. Nga e gjithë kjo shumë e shpenzimeve, 19.4 milionë prej tyre ishin për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative, ndërkohë 8.1 milionë euro të tjera shkuan për shpenzime të interesit.

Tutje në raport theksohet se kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit nëntor arritën në 238.3 milionë euro, ku 155.6 milionë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 82.7 milionë të tjera u dhanë për korporata jo financiare. Kurse norma e interesit në kredi u shpreh në një përqindje prej 19.4%

Ndryshe, në Kosovë funksionojnë gjithsej 30 institucione mikrofinanciare, ku 12 prej tyre janë në pronësi të huaj. Numri i degëve të këtyre institucioneve në vend është 158, ndërkohë që numri i të punësuarve është 1 mijë e 284. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/