Syla: Efiçienca dhe energjia e ripërtëritshme, të jenë në fokus të projekteve afatshkurta energjetike

“Në fokus të projekteve afatshkurta duhet të jetë efiçienca në energji dhe energjia e ripërtëritshme përmes mekanizmit siç është Fondi për Efiçiencë, i cili do të fokusohej në ndarje të një fondi prej 10 milionë eurove në baza vjetore, për të mbështetur pjesërisht familjet dhe bizneset, në investimet që kualifikohen si efiçiencë e energjisë dhe prodhim të energjisë nga burimet e ripërtëritshme për vet-konsum”, vlerëson Lulzim Syla, njohës i sektorit energjetik në Kosovë. Ai në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, ka shpalosur disa prej ideve të projekteve të mundshme që do ta ‘shpëtonin’ Kosovën në vitet e ardhshme nga mungesa e energjisë elektrike.

(Intervista e Buletinit Ekonomik me Lulzim Sylën, përfaqësues i kompanisë vendore të energjisë së ripërtëritshme –ELEN)

Mirjeta SHABANI

Lulzim Syla, njohës i sektorit energjetik në Kosovë dhe njëherësh edhe përfaqësues i kompanisë vendore për energjinë e ripërtëritshme “ELEN”, ka folur për Buletinin Ekonomik rreth objektivave aftashkurta dhe atyre afatgjata që duhet t’i ketë Kosova tani për tani, pas shpërfaqjes së krizës energjetike në vend, e diktuar kjo edhe nga kriza energjetike në të gjithë botën.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, në fokus të projekteve afatshkurta duhet të jetë efiçienca në energji dhe energjia e ripërtëritshme përmes mekanizmit siç është Fondi për Efiçiencë, i cili nëse do të themelohej, do të duhej të fokusohet në ndarje të një fondi prej 10 milionë eurove në baza vjetore për të mbështetur pjesërisht familjet dhe bizneset në investimet që kualifikohen si efiçiencë e energjisë dhe prodhim të energjisë nga burime të ripërtëritshme për vet-konsum. Kështu, në bazë të kësaj, Syla thotë se do të duhej të vendosej dhe të miratohej nga Qeveria fillimisht një kod ndërtimi për izolimin e objekteve, të krijohen sistemet për kursimin e energjisë tek komponentët ftohje-ngrohje, si dhe të ketë mbështetje për blerjen e pajisjeve të reja me efiçiencë në kategorinë “AAA”.

Në këtë fazë, ai thotë se duhet të parashihet edhe mbështetja për sistemet solare fotovoltaike për familjet, ku përveç përkrahjes me fonde deri në 30% të vlerës së investimit, duhet përkohësisht të hiqet edhe TVSh-ja, sepse kjo do të mundësonte kthim më të mirë të investimit dhe gatishmëri më të lartë për investime. Kurse, potenciali i instalimit të sistemeve solare nëpër shtëpi në Kosovë, Syla tregon se është mbi 100MW në 10 vitet e ardhshme.

Syla rekomandon që Qeveria duhet t’i mbështesë familjet dhe bizneset për të ndërtuar kapacitete për vetëkonsum mbi 500MW për 10 vitet e ardhshme. E njëjta, ai thotë se duhet ta miratojë edhe Ligjin për Burime të Ripërtëritshme, i cili iu mundëson investitorëve privatë të investojnë në gjeneratorë të vegjël me energji solare prej 1-10MW për të gjeneruar edhe 100-200MW të tjerë dhe 100MW energji solare, që do të mund të mund të bëheshin tutje përmes auksioneve nga Qeveria. E ky kapacitet, në total mund të mbulojë kërkesën për energji deri në 15%, thotë Syla.

Po ashtu, sipas tij, duhet të shterrohen edhe mundësitë që ofron energjia me erë në Kosovë, që deri më tani janë duke pritur në radhë projekte strategjike për leje pune, ku kapacitet e pashfrytëzuara janë mbi 150MW. Kurse, në fokus afatmesëm, sipas vlerësimeve të Sylës, duhet të jenë edhe kapacitetet e gazit, me ç’rast ai thekson se një central të tillë, me gaz pra, do të mund ta ndërtonte edhe Kosova së bashku me Shqipërinë, e ku kapaciteti i tij do të mund të ishte 200+200MW.

“Por, Kosova duhet të mendojë edhe për një hidrocentral më pompë kthyese riversibil me rezervuar uji, si dhe të rishikojë mundësitë për centrale të reja nukleare, sidomos nga teknologjitë e fundit amerikane, të cilat mundësojnë ndërtim të kapaciteteve gjeneruese jo vetëm për konsum të brendshëm por edhe për eksport, duke mundësuar të ndërtojmë kapacitete fleksibile nga 1MW deri në GW”, shton tutje Syla.

Intervista e plotë e Buletinit Ekonomik me Lulzim Sylën:

Buletini Ekonomik: Kosova është tashmë e përfshirë nga kriza energjetike. Thjesht, ka goxha mungesë të rrymës, ndërkohë që kapacitetet elektroenergjetike prodhuese nuk kanë fuqi të prodhojnë për nevojat e shtuara të konsumit. Sipas jush, çka duhet bërë urgjentisht vendimmarrësit, apo subjektet elektroenergjetike, që të zbusin këtë ç’ekulibrim energjetik, çka në periudha afatmesme dhe çka në ato afatgjate?

Lulzim Syla: Qeveria e Kosovës është duke e përpiluar strategjinë e zhvillimit ekonomik 2022-2030 dhe me këtë rast edhe strategjinë e energjisë për periudhën e njëjtë. Me këtë rast, Qeveria në nivel qendror dhe atë lokal, duhet që të bashkërendojë aktivitetetet për të integruar në këtë strategji karshi disa projekte në fushën e energjisë. Vlerësoj se objektivat duhet të ndahen në afatshkurtë, afatmesëm dhe afatgjatë. Në fokus të projekteve afatshkurtë duhet të jetë efiçienca në energji dhe energjia e ripërtëritshme përmes mekanizmit siç është Fondi për Efiçiencë, i cili do të fokusohej në ndarje të një fondi prej 10 milionë eurove në baza vjetore, për të mbështetur pjesërisht familjet dhe bizneset në investimet që kualifikohen si eficiencë e energjisë dhe prodhim të energjisë nga burime të ripërtëritshme për vet-konsum. Këtu futen izolimet e objekteve sipas një kodi të ndërtimit, që do të duhej të miratohej nga Qeveria, sistemet për kursim të energjisë tek komponentët ftohje-ngrohje, mbështetja për blerjen e pajisjeve të reja me efiçiencë në kategorinë AAA. Në këtë fazë duhet të parashihet edhe mbështetja për sistemet solare fotovoltaike për familjet, ku përveç përkrahjes me fonde deri në 30% të vlerës së investimit, duhet përkohësisht të hiqet edhe TVSh-ja, sepse kjo do të mundësonte kthim më të mirë të investimit dhe gatishmëri më të lartë për investime. Potenciali i instalimit të sistemeve solare nëpër shtëpi është mbi 100MW në 10 vitet e ardhshme. Gjithashtu edhe bizneset duhet mbështetur në këtë segment, duke përdorur kulmet e biznesit me potencial të përgjithshëm prej 100-200MW për 5 vitet e ardhshme. Objektivi tjetër duhet të jetë ulja e humbjeve teknike dhe komberciale që arrijnë vlerën rreth 26.5% të të gjithë prodhimit të energjisë, që i bie dëme të mëdha në inkasim dhe buxhet të vendit me miliona euro në vit. Duhet të përgatitemi për blerje të energjisë me kontrata në funksion të evitimit për mbetje pa energji.

Buletini Ekonomik: A ka kohë dhe a ka mundësi (potencë financiare) Kosova që edhe një herë t’i rikthehet qymyrit, përkatësisht ndërtimit të një termocentrali të ri energjetik, apo të rindërtojë Kosovën A, në mënyrë që deri në vitin 2050, kur ndalohet tërësisht qymyri si burim energjetik, të mos varemi papërballueshëm nga importi? Fundja, shumë shtete (edhe nga ato të fuqishmet dhe nga ato që vrullshëm pronocohen anti-qymyrit) kanë vepruar kështu, pak a shumë në nguti për të mos humbur kohën deri më 2050, janë rikthyer me investime në ndërtimin dhe rindërtimin e termocentraleve.

Lulzim Syla: Kosova nga papërgjegjësia e qeverive të kaluara ka humbur disa mundësi ideale për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike, jo vetëm në fushën e termocentraleve. Por, e kaluara mbetet e kaluar. Vendi ka nevojë për kapacitete energjetike të qëndrueshme, të cilat ofrojnë energji 24 orë 365 ditë në vit. Burimet e ripërtëritshme për momentin nuk e ofrojnë këtë mundësi prandaj investimet në teknologji siç janë qymyri, gazi ose centralet e reja nukleare, janë teknologji e domodoshme, ose  duhet importuar energjinë që mungon. Prandaj, pavarësisht që disa institucione kanë ndaluar mbështetjen e financimit të qymyrit, janë shumë institucione tjera financiare që ofrojnë mbështetje të tillë nëse garantohet që ndotja është minimale në ambient. Qeveria së bashku me KEK-un ka nevojë të bëjë një studim të fizibilitetit për të, pa saktësuar se cila është arsyeshmëria e renovimeve të Termocetralit Kosova A dhe B, për të evituar nevojën e ndërtimit të një termocentrali të ri. Qeveria ka fonde dhe mekanizma të tjerë ku mund të financojë edhe vetë një pjesë të madhe të projekteve energjetike.

Buletini Ekonomik: Nëse shteti ynë nuk do të ketë mundësi për të shtuar kapacitetin në bazë të qymyrit, çka mendoni ju, cila është zgjidhja dhe kah duhet të orientohemi për të mos vuajtur për rrymë?

Lulzim Syla: Siç e kam përmendur më lartë, qeveria duhet të mbështesë familjet dhe bizneset për të ndërtuar kapacitete për vetëkonsum mbi 500MW për 10 vitet e ardhshme. Duhet të miratojë Ligjin për Burime të Ripërtëritshme, që iu mundëson investitorëve privatë të investojnë në gjeneratorë të vegjël me energji solare prej 1-10MW për të gjeneruar edhe 100-200MW të tjerë dhe 100MW energji solare mund të bëhen përmes auksioneve nga qeveria. Ky kapacitet në total mund të mbulojë kërkesën për energji deri në 15%. Duhet të shterrohen edhe mundësitë që ofron energjia me erë, ku edhe janë duke pritur projekte strategjike për leje pune, e që kapacitetet e pashfrytëzuara janë mbi 150MW. Fokusi afatmesëm duhet të jetë edhe në kapacitete të gazit, ku një central me gaz mund ta bëjmë bashkë edhe me Shqipërinë me kapacitet 200+200MW.

Buletini Ekonomik: Shumë vendimmarrës, por edhe persona nga komuniteti i ekspertëve dhe shoqërisë civile, tashmë kërkojnë investime urgjente në kapacitete të energjisë së rinovueshme. Më konkretisht, a mund të zëvendësojnë kapacitetet e energjisë së gjelbër, nevojat në rritje të vendit për rrymë, kur dihet që Kosova nuk ka resurse ujore për ndonjë hidrocentral të efektshëm 200-300 megavatësh dhe kur nuk ka edhe aq shumë tokë për ndërtime më të mëdha të sipërfaqeve me panele solare dhe kur nuk janë identifikuar edhe aq shumë vende si të mundshme për energji në bazë të erës?

Lulzim Syla: Përveç opsioneve që mund të investohen në burime të ripërtëritshme që kam përmendur më lartë, kur jemi tek burimet alternative, Kosova duhet të mendojë edhe për një hidrocentral me pompë kthyese riversibil me rezervuar uji. Përveç kësaj, centralet e reja nukleare sidomos teknologjitë e fundit amerikane mundësojnë ndërtim të kapaciteteve gjeneruese jo vetëm për konsum të brendshëm por edhe për eksport duke mundësuar të ndërtojmë kapacitete fleksibile nga 1MW deri në GW.

Buletini Ekonomik: Po të kishte para me bollëk dhe kondita të tjera të favorshme, për sa kohë do të mund të kishte Kosova përqindjet e energjisë së ripërtëritshme të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar energjetik, shtetet e fuqishme botërore dhe asociacionet kompetente ndërkombëtare energjetike, me qëllim të dekarbonizimit total deri më 2050?

Lulzim Syla: Nëse do të punohej me intensitet të lartë dhe profesionalizëm, fonde lokale dhe ndërkombëtare ka mjaftueshëm, prandaj për të ndërtuar mes 1.5GW-2GW kapacitete të reja deri më 2050, përfshirë gazin dhe energjinë nukleare si teknologji të gjelbra, atëherë do të arrihej deri tek dekarbonizimi i plotë para vitit 2050.

Buletini Ekonomik: Si e komentoni dhe e vlerësoni njoftimin e ditëve të fundit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, rreth dizajnimit të programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), se paratë e përfituara nga MCC-ja, një fond prej 200 milionë dollarësh, do të përdoren për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit energjetik në Kosovë, ose më konkretisht, siç tha ministrja, këto mjete “pritet të shkojnë veçanërisht në projektin për akumulimin e energjisë në vend”, dhe për trajnim të fuqisë punëtore, me theks të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin energjetik?

Lulzim Syla: Vlerësoj që ky program është shumë i mirëseardhur në këtë fushë dhe në një momentum të duhur siç është sfida jonë në fushën e energjisë ku kemi nevojë për një vizion të ri afatgjatë. Përveç akumulimit të energjisë dhe trajnimit të fuqisë punëtore e që janë komponente shumë të rëndësishme, mendoj se në kuadër të këtij fondi do të ishte mirë të punohet edhe në përgatitjen e legjislacionit që ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve energjetike në fushën e energjisë nukleare në teknologji të reja, sidomos ato amerikane.

Buletini Ekonomik: A mund ta shpjegoni dhe ta sqaroni më shumë për publikun se ç’është “projekti për akumulim të energjisë”, në të cilin me prioritet, parashihet të investohen gjithë këto para?

Lulzim Syla: Sektori i energjisë është duke u bërë çdo herë e më kompleks. Prandaj, integrimi i burimeve të ripërtëritshme, digjitalizimi i sektorit të energjisë kërkon domodoshmërisht integrimin e baterive të mëdha që njihen si ”energy storage”, të cilat përveç që menaxhojnë më mirë luhatjet nga burimet e rinovueshme, ato luajnë rolin e stabilizatorit mes rrjetit të shpërndarjes së energjisë, distribucionit dhe kërkesës për energji në treg. Sipas të dhënave preliminare, parashihet që kapaciteti mund të jetë mes 50MW deri 100MW.

Buletini Ekonomik: Po, për idenë e ndërtimit me mjete financiare të Kosovës, të një hidrocentrali 200-300 megavatësh në ndonjërin nga lumenjtë e Shqipërisë, ide që është shpërfaqur, sidomos gjatë daljes në skenë të krizës energjetike, çka mendoni – a është e mundshme të realizohet ky projekt, që realisht do ta stabilizonte goxha shumë sistemin kosovar elektroenergjetik?

Lulzim Syla: Sikurse mundësia për ndërtim të kapaciteteve të reja me gaz që e përmenda më lartë, edhe projektet e reja në fushën e hidrocentraleve, Kosova duhet t’i diskutojë me Shqipërinë, që projektet e reja të energjisë me ujë t’i bëjmë bashkë sepse përveç përfitimeve financiare, në aspektin teknik do të ishte mbështeteje e madhe e njëri-tjetrit si dy shtete, sidomos gjatë kohës së dimrit kur kërkesa për energji është shumë më e madhe. Jo vetëm në segmentin e hidrocentraleve, por në të gjitha projektet strategjike energjetike, do të duhej të kishim bashkërendim të bashkë-investimeve në projekte me rëndësi vitale për shtetet tona.

Buletini Ekonomik: Krejt në fund, sipas jush, pse po heziton, ose pse nuk është më këmbëngulëse Qeveria dhe komuniteti energjetik kosovar në marrjen e vendimeve më të shpejta për të investuar në energji të ripërtëritshme dhe për të përcaktuar prioritetet se kah dhe në cilën lloj energjie të rinovueshme do të investohet me përparësi?

Lulzim Syla: Besoj që me përfundimin e strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe asaj të energjisë deri në mars të këtij viti, atëherë Qeveria në bashkëpunim edhe me partnerët strategjikë, sigurisht se do të qartësojë vizionin e zhvillimit ekonomik, përkatësisht do të rezultojnë edhe projektet që do të mbështeten në fushën e energjisë së ripërtëritshme. Unë mendoj që kërkesat për energji do të përcaktohen sipas modelit ekonomik që ne e përzgjedhim dhe rritjes ekonomike që parashohim, sepse kjo përcakton edhe kërkesën për energji. Nga pranvera e tutje, Qeveria e ka gjithë potencialin dhe mekanizmat për të hyrë në projekte atraktive në fushën e energjisë, duke gjeneruar investime të mëdha brenda vendit, krijim të vendeve të reja të punës dhe rritje ekonomike. /Buletini Ekonomik/