Numarics, vjen në Kosovë me idenë për ta ndryshuar mentalitetin e të bërit biznes

Me prejardhje nga Kosova, por i lindur dhe rritur në Gjermani, Kristian Kabashi është kthyer në Kosovë, siç thotë ai në një intervistë për Buletinin Ekonomik, “për ta dhënë një shembull se si duhet të zhvillohet një biznes sipas trendeve të fundit inovative”.

Një pasionant i teknologjisë dhe transformimit të bizneseve, ai drejton kompaninë Numarics, e cila përfaqëson një koncept të trendeve të fundit për kontabilitet dhe zhvillim të bizneseve të bazuar në inteligjencë financiare.

“Numarics është një multi-platformë që funksionon në mobil, në desktop, në web dhe bashkon ekspertat e kontabilitetit, taksave, auditimit me klientat që targetojmë, që janë kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thotë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ideja është që e gjithë udhëheqja e një biznesi të reduktohet në një aplikacion në telefonin mobil.

“Prej se ka ardhë telefoni mobil, për çdo gjë ke aplikacion, por zakonisht nuk kemi aplikacion për bizneset që drejtojmë. Kjo është çka ne duam t’ju ofrojmë bizneseve”, thotë Kabashi, kompania e të cilit në shtator të vitit të kaluar ka fituar çmimin si “Biznesi më i mirë në Zvicër”.

Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Buletini Ekonomik: A mund të na flisni për kompaninë, kur ka fillu, dhe qysh ka ardhë deri te ideja?

Kristian Kabashi: Numarics është një multi-platformë që funksionon në mobil, në desktop, në web dhe bashkon ekspertat e kontabilitetit, taksave, auditimit me klientat që targetojmë, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Synimin tash për tash e kemi në Zvicër. Kemi fillu në Zvicër, atje kemi gati 400 klienta. Edhe deri në fund të vitit pritet me qenë gati 1 mijë. Do të thotë jemi duke u rritur shumë shpejt. Në shtator e kemi fitu çmimin “Best Enterprise of Switzerland”, ku në garë kanë qenë kompanitë më të mëdha në Zvicër. Qysh jemi duke e bërë punën, synojmë të rritemi. Kontabiliteti nuk ka ndryshu gati 2 mijë vjet, qysh kur ka qenë me papirus, pastaj excel, ndërsa na tash jemi duke e zhvillu kontabilitetin qysh duhet me qenë në kohët e sotit. Numarics ka nisë si ide para disa vitesh. Numarics do të thotë “numra” dhe “analizë”. Jam marrë gati 20 vite me zhvillimin dhe transformimin e bizneseve dhe optimizimin e proceseve në biznese në Zvicër dhe kompani tjera nëpër botë.

Buletini Ekonomik: Si duhet me qenë “në kohët e sotit” kontabiliteti?

Kristian Gashi: Në kohë të sotit është që punëtorët me u fokusu vetëm në punë, krejt gjërat administrative, manuale me u dixhitalizu. Prej se ka ardhë telefoni mobil, për çdo gjë ke aplikacion, por zakonisht nuk kemi aplikacion për bizneset që drejtojmë. Kjo është çka ne duam t’ju ofrojmë bizneseve.

Buletini Ekonomik: Motoja e juaj është “dixhitalizimi i shërbimeve të kontabilitetit?” A ofroni aktualisht shërbime edhe për bizneset në Kosovë?

Kristian Kabashi: Jo vetëm shërbimet e kontabilitetit por krejt udhëheqjen e biznesit me e dixhitalizu. Ky është synimi jonë. Për momentin nuk kemi klientë nga Kosova, por jemi të interesuar që shumë shpejt me e sjellë këtë sistem edhe në Kosovë. Në Kosovë më së shumti punohet me programin Quick-Books në fushën e kontabilitetit. Ky program sot është i tejkaluar. Quick-books është veç për kontabilitet. Sistemin që e kemi kriju na përfshin dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve të biznesit në një vend, përmes një aplikacioni. Për ne, kontabiliteti është burimi i suksesit të një kompanie, por është vetëm njëra pjesë. Kur ta kesh kontabilitetin nën kontroll, ti e ke krejt kompaninë nën kontroll. Por më e pas kontabilitetin nën kontroll janë disa mënyra si bashkohen këto. Njëra është faturimi, menaxhimi i dokumenteve, lista e pagave; pra janë disa gjëra që bashkohen që e bëjnë një ekosistem. Problemi është qysh i bashkon të gjitha këto me një vend. Kosova është prapa me këto zhvillimet e reja në zhvillim dhe transformim të bizneseve. Këtu gjithçka bazohet ne letër, me krejt klientët që punojmë në Zvicër nuk ekziston asnjë letër. Gjithçka është e dixhitalizuar.

Buletini Ekonomik: Pse mendoni që ne jemi prapa në nxënien e hapit në trendet e reja të kontabilitetit dhe dixhitalizimit të shërbimeve?

Kristian Kabashi: Ndoshta për shkak të politikës. Duke e mbajtur mënyrën tradicionale të funksionimit, ti i ‘subvencionon’ punëtorët e shtetit, sepse kur administrata bazohet në letër, kjo duhet me u printu, pastaj me u dërgu diku, ta zëmë duhet me shku patjetër deri në ARBK fizikisht me i dorëzu dokumentet. Në Kosovë pra gjithçka është letër, letër, letër. Problemi kryesor pra është politika. Unë këtu shoh shumë punëtor, por puna nuk bëhet. Nëse gjithçka dixhitalizohet, çka do të ndodhë me ata punëtorë, sepse nuk do të kishte më nevojë për ta. Krejt këto gjëra është lehtë me i standardizu, se është një standard. Ta marrim shembull Estonin që është shtet jo i madh. Është krejt e dixhitalizuar. Ata e kanë arritë një përparim në dixhitalizimin e shërbimeve, ndoshta edhe për shkak se janë popull i vogël. Këtë mund ta bëjë edhe Kosova. Në Kosovë ka shumë burokraci. Këto gjëra është shumë lehtë me u zgjidh, por duhet zgjidhja me ardhë nga lartë.

Buletini Ekonomik: T’i kthehemi edhe njëherë Kosovës. Jeni me zyre të vendosur në Kosovë, por thatë se për momentin jeni duke kryer shërbime vetëm për klientë në Zvicër. A është synimi juaj që të gjithë punëtorët këtu t’i keni nga Kosova?

Kristian Kabashi: Unë kam ardhur në Kosovë për me punësu njerëz edhe me dhënë një shembull. Për me zbulu talenta, të rinj që duan të zhvillohen. Gati të gjithë të punësuarit do të jenë nga Kosova. Deri në fund të vitit synojmë të kemi 50 kontabilista. Ndërsa në vitin tjetër deri në 150 punëtorë. Këta do të jenë vetëm për klientët që i kemi për Zvicër.

Buletini Ekonomik: A mendoni se do të mund t’i gjeni këtë numër të kontabilistëve në Kosovë, kur dihet se disa profile specifike në Kosovë janë deficitare?

Kristian Kabashi: Kjo është e vetmja fushë që nuk kam problem për gjetjen e punëtorëve. SCAAK-u është një institucion që është duke bërë shumë punë të mirë, në nxjerrjen e gjeneratave të reja të kontabilistëve dhe e ka kriju një standard për kualitet. Tëk të gjitha profesionet tjera ka mungesë të punëtorëve, për marketing, për shitje, por jo për kontabilistë.

Buletini Ekonomik: Kontabiliteti i bazuar në “inteligjencë artificiale”, çka nënkupton kjo në terma më të thjeshtë dhe pse është e rëndësishme për zhvillimin e bizneseve?

Kristian Kabashi: Inteligjenca artificiale nuk është duke e zëvendësuar inteligjencën e njerëzve në punë, por kisha më thënë “budallakinë” e njerëzve në punë. Unë jam duke kërku njerëz që mendojnë qysh me e avancu një biznes. Krejt puna burokratike mund të automatizohet përmes inteligjencës artificiale. Brenda dy vjetëve pritet që 95 për qind e punëve kanë me u eliminu, si pasojë e aplikimit të inteligjencës artificiale. Unë jam duke kërkuar specialista për momentin. Por synimet janë që me u shndërru në gjeneralista, pra menaxhera të kompanisë, sepse kur eliminohen punët burokratike, punëtorët do të merren me punë që i shtojnë vlerë kompanisë.

Buletini Ekonomik: A mendoni me pas klientë edhe nga Kosova, dhe cila do të ishte ndihma që Numarics do t’u ofronte bizneseve në Kosovë?

Kristian Kabashi: Jo pak, por goxha shumë, sepse unë jam duke e parë vetë, pasi po punoj me kontabilista këtu, edhe shoh se bizneset në Kosovë kanë shumë probleme. Punohet shumë “me të vjetrën”. Arsyeja kryesore pse jam këtu është pikërisht me ju ndihmu bizneseve. “Jam këtu me dhënë një shembull”.