72% e CEO-ve druhen se do të humbasin punën në vitin 2022

Megjithëse pagat e CEO-ve kanë shkuar në stratosferë këtë vit, po aq shumë është rritur edhe ankthi i tyre për ruajtjen e vendit të punës. Sipas një sondazhi të fundit, 72% e CEO-ve druhen se do të humbasin pozicionet e tyre.

Disruption Index 2022, i publikuar nga firma globale e konsulencës AlixPartners, mblodhi të dhëna nga 3,000 CEO dhe drejtues në mbarë botën (50% e kompanive të këtyre drejtuesve kishin të ardhura vjetore mbi 100 milionë dollarë) për të përcaktuar shqetësimet e tyre kryesore në lidhje me biznesin deri në këto momente, si dhe efektet e problematikave të ndryshme për kompanitë që ata drejtojnë, të tilla si: kriza në zinxhirët e furnizimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe transformimet teknologjike të përshpejtuara nga pandemia.

Rreth 57% e CEO-ve thanë se druhen që kompania e tyre nuk po i zbaton ndryshimet me shpejtësinë që duhet për të përballuar këto sfida. Si rezultat i kësaj, rreth 72% e drejtuesve janë të shqetësuar për vetë sigurinë e tyre në vendin e punës, duke shënuar kështu një rritje me 20 pikë përqindje nga shifrat e vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

“CEO-t duhet të kenë aftësi të reja dhe një mentalitet tjetër për të drejtuar kompanitë në rrethanat e këtyre sfidave të vazhdueshme”, tha në një deklaratë CEO i AlixPartners, Simon Freakley. “CEO-t e kohëve të sotme duhet të jetë në një proces konstant rritjeje dhe inovacioni, duke demonstruar guximin për të marrë vendime të bazuara në informacione të paplota, të bëjnë strategji bazuar te njohuri të reja dhe te forcat e tregut, si dhe të mos qëndrojnë kurrë pengje të modeleve të biznesit që janë të provuara si të suksesshme, por që rrënohen shpejt.”

Shumë kompani u detyruan të ndryshojnë modelet e tyre të biznesit gjatë pandemisë dhe të operojnë në distancë, për shkak të shqetësimeve të lidhura me shëndetin e njerëzve. Si rrjedhojë, një aspekt kryesor që shqetëson drejtuesit përfshin adoptimin e mjeteve dixhitale që janë të nevojshme për botën që do të kemi pas pandemisë, sipas sondazhit.

Rreth 78% e CEO-ve besojnë se adoptimi i mjeteve dixhitale është integral për mbijetesën e vazhdueshme të bizneseve, por 46% e tyre identifikojnë si sfidë kryesore përdorimin e dobët të teknologjisë ku ata kanë investuar. “Mundësitë dixhitale së shpejti do të forcojnë çdo kompani të suksesshme, kudo në botë,” shkroi AlixPartners.

“Kjo nuk mund të jetë diçka që ekziston në një departament të vetëm apo jashtë organizatës kryesore, por përkundrazi, duhet të jetë thelbi i organizatës – dhe përgjegjësia e të gjithëve.” /Fortune/