Operatori i këmbimit të kriptomonedhave, Binance Holdings Ltd. po bën një investim prej 200 milionë dollarësh në botuesin e revistës Forbes, një lidhje e pazakontë midis një firme të valutave dixhitale dhe një mediumi.
Binance është operatori më i madh i shkëmbimit të kriptovalutave në botë për nga vëllimi i tregtimit. Ajo do të bëhej një nga investitorët më të mëdhenj në Forbes Global Media Holdings Inc. nëse arrihet marrëveshja, transmeton Telegrafi.
Bumi i kriptovalutave gjatë vitit të kaluar i ka sjell një pasuri marramendëse themeluesit dhe shefit ekzekutiv të Binance, Changpeng Zhao. Pasuria e kinezit vlerësohet 86.8 miliardë dollarë, duke e bërë atë personin e 12-të më të pasur në botë, sipas listës së Bloomberg, raporton foxnews.
Zhao tha se ai po investonte në Forbes për të ndihmuar kompaninë mediatike të kalonte në “Web3”. Një fjalë kryesore e popullarizuar në mesin e kapitalistëve sipërmarrës dhe sipërmarrësve të kriptovalutave, termi i referohet një gjenerate të re aplikacionesh interneti të karakterizuara nga kontrolli i decentralizuar dhe përdorimi i teknologjisë blockchain.
“Media nuk është e vetmja industri…tradicionale që do të shikojmë”, tha ai. “Ne do të shikojmë pothuajse çdo sektor të industrive tradicionale dhe do të përpiqemi të bëjmë disa blerje, disa investime dhe të përpiqemi t’i sjellim ato në Web3 dhe botën e blockchain”, pohoi Zhao.
Investimi i Binance në Forbes vjen pasi kompania e monedhave dixhitale është përballur me një kontroll rregullator në rritje në SHBA dhe jashtë saj.
Vitin e kaluar, rregullatorët në Britani të Madhe, Japoni, Gjermani dhe një numër vendesh të tjera paralajmëruan se Binance po ofronte produkte të parregulluara.
Binance u tërhoq nga disa prej vendeve si kundërpërgjigje ndërsa Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim dhe Departamenti i Drejtësisë po kryejnë hetime të veçanta ndaj Binance.