Bankat qendrore në mbarë botën do të vazhdojnë të mbajnë normat e larta të interesit

Investitorët janë vënë në dijeni se bankat qendrore në të dyja anët e Atlantikut do të vazhdojnë me rritjet e normave të interesit për të qetësuar ekonomitë e tyre dhe për të zbutur inflacionin e lartë.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, paralajmëroi se priten rritje të mëtejshme të normave të interesit, deklaratë kjo e cila u pasua më vonë nga komentet e një zyrtari të lartë të Rezervës Federale në SHBA.

“Ne do të qëndrojmë në këtë linjë deri kur inflacioni të rikthehet në shifrën 2 për qind në një periudhë të arsyeshme,” tha presidentja e BQE-së në një panel diskutimi gjatë Forumit Ekonomik Botëror.

Reklama e sponzorizuar

Lael Brainard, nënkryetarja e Fed, sinjalizoi se banka qendrore e SHBA-së gjithashtu kishte akoma shumë punë për të bërë për ta sjellë inflacionin pranë objektivit të saj prej 2 për qind, pavarësisht nga shenjat që shpenzimet e konsumatorëve kanë filluar të bien, tregu i punës po qetësohet dhe presionet e çmimeve janë zbutur.

“Inflacioni është ende i lartë dhe do të duhet kohë e vendosmëri për ta ulur atë në shifrën 2 për qind. Ne jemi të vendosur për të vazhduar me këtë linjë”, tha Brainard në një event të organizuar nga Shkolla e Biznesit në Universitetin e Çikagos.

Gjatë ditës së enjte, John Williams, president i Fed-it të Nju Jorkut, tha se banka qendrore “duhet të vazhdojë të marrë masa” duke qenë se “do të duhet kohë që oferta dhe kërkesa të rikthehen në harmoni dhe në ekuilibrin e duhur”. Ai nënvizoi më tej nevojën që Fed të vazhdojë me ndjekjen e linjës së saj për norma të larta.

Williams shtoi: “Me inflacionin që ende vazhdon të jetë i lartë dhe me të gjithë indikatorët që tregojnë një çekuilibrim të vazhdueshëm mes ofertës dhe kërkesës, është e qartë se politika monetare ka ende shumë punë për të bërë për të ulur inflacionin në objektivin prej 2 për qind.”

Fed dhe BQE i kanë rritur me shpejtësi normat e interesit që nga viti i kaluar për të frenuar rritjen e inflacionit, të cilin fillimisht e konsideruan “kalimtar”. Dy bankat qendrore po vlerësojnë përmasat në të cilat do të duhet të reduktojnë më tej aktivitetin ekonomik, llogari që janë tepër të ndërlikuara duke marrë parasysh efektet e vonuara që vijnë nga shtrëngimi i ekonomisë.

Lagarde tha se tregjet financiare duhet të “rishikojnë pozicionin e tyre” lidhur me vlerësimet se BQE-ja së shpejti do të ngadalësojë rritjen e normave të interesit, në përgjigje të shenjave se inflacioni në eurozonë e ka kaluar pikun e tij. /FT/