Çmimet e larta të rrymës në faturat e shkurtit, Rizvanolli kërkon sqarim publik nga KESCO

Artane Rizvanolli
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë sot në Kuvend se do të kërkojë sqarim publikisht nga KESCO se si është bërë llogaritja e faturave të energjisë elektrike për këtë muaj.

Ajo tha se KESCO publikisht duhet të dalë me sqarim për mënyrën e llogaritjes së faturave.

“Ka pasur paqartësi në fatura. Për këtë pajtohem plotësisht dhe për këtë i bëjë thirrje KESCO-së që të dal publikisht me një sqarim për mënyrën se si janë llogaritur faturat”, tha ministrja.

Reklama e sponzorizuar

Rizvanolli e pranoi se në disa fatura janë paraqitur numra më të lartë se sa ato që do të duhej t’i paguanin qytetarët.

“Sipas diskutimeve që kemi pasur me ZRrE-në dhe shpjegimeve që janë dhënë, tarifat dhe faturat janë llogaritur ashtu siç duhet, por ka paqartësi në fatura dhe shpesh janë paraqitur numra më të lartë sesa ato që duhet t’i paguajnë qytetarët”, tha ajo.

Ministrja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe biznese që dyshojnë se u janë bërë gabime në fatura që t’i raportojnë këto raste.

“Nuk është e qartë se cila shifër është fatura finale. Kjo është një gjë që duhet të sqarohet. Ftojë të gjithë qytetarët dhe bizneset që dyshojnë se janë bërë gabime me ose pa qëllim që të ankohen”, tha ajo.