INDEP: Zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon efiçiencës së energjisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar sot pas marrjes së vendimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ata këtë vendim të ZRRE-së për strukturën tarifore, e vlerësojnë si të dëmshëm për sektorin e energjisë,dhe e quajnë “si të ndikuar politikisht dhe si një arrnim i paqëndrueshëm i krizës aktuale”.

Sipas INDEP-it, zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë, dhe për më tepër, subvencionimi selektiv dhe jo linear, vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend. Si vendim i tillë, ata thonë se nuk i ndihmon tranzicionit energjetik, përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, ata theksojnë se zhvendosja e bllokut në 800 kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë. Poashtu, ky vendim, sipas tyre, ngadalëson procesin e tranzicionit energjetik duke bërë që investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtrishme përmes paneleve solare, të jenë të pafavorshme në një treg ku çmimi i energjisë deri në 800 kWh subvencionohet, përcjell Buletini Ekonomik.

“Ekzistimi i kufirit të bllokut tarifor deri në 600 dhe vendosja e një blloku shtesë mbi 1200 është arsyetuar mjaft mirë në Analizën dhe komentet që Instituti INDEP ka dorëzuar në ZRRE. Por, kjo e fundit, ka vendosur që duke dëmtuar hapur pavarësinë dhe profesionalizmin e vet, të përkrahë opsionin e partisë udhëheqëse, duke rënë në kundërshtim me vetveten, me komentet e INDEP dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë”, thonë nga INDEP në një reagim publik ndaj vendimit të sotëm të ZRRE-së.

Sipas INDEP, vendimi i ZRRE-së bjen në kundërshtim edhe me vlerësimet e vet Rregullatorit dhe realitetin e sektorit të energjisë në vend, pasi që në arsyetimin e vendosjes së bllok tarifës në 600 Kë herën e parë, vet ZRRE-ja kishte deklaruar që në fakt sasia mbi 600 kWh është sasia e energjisë që ka nevojë të importohet dhe e cila e ngarkon sistemin.

“I bëjmë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që menjëherë të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik. Është koha e fundit që Rregullatori të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare dhe të krijojë një standard të vendimmarrjes profesionale. Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist. Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës”, përfundon reagimi. /Buletini Ekonomik/